Kur shteti sillet si gjobëvënës ndaj qytetarëve

Sociale

 

policia gjoba te majme

Afrim KRASNIQI /  Një nga tiparet kryesore të shtetit funksional është ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve.

Përgjatë dy viteve të fundit shteti shqiptar, qeveria dhe njësitë vendore, kanë promovuar si sukses të rëndësishëm ofrimin e shërbimeve online, heqjen e praktikave burokratike, si dhe eliminimin e pengesave që ushqejnë korrupsionin. Qeveria ka krijuar portalin e-albania, me pretendime të mëdha, me investime të mëdha, por me rezultate ende pa ndikim pozitiv në sistemin e shërbimeve. Shteti dhe institucionet, të cilat kanë detyrim kushtetues shërbimin ndaj qytetarëve, vijojnë ta shohin funksionin e tyre të kundërt, – ti kthejnë qytetarët në funksion të tyre. Pa përmendur piramidën e përmbysur në përfaqësim, vendimmarrje, etj, le të ilustrojmë katër raste praktike të sistemit abuziv, sipas të cilit, qytetarët penalizohen financiarisht dhe administrativisht për të marrë shërbime, të cilat janë ekskluzivisht detyrë e përgjegjësi e shtetit.

Rasti i parë: Agjensia e Trajtimit të Pronave nxori një udhëzim me detyrime të reja për disa mijëra qytetarë që ende presin të kompensohen për pronat e tyre. Ata do jenë të detyruar të kryejnë disa akte të tjera noteriale, për të gjithë anëtarët e familjes dhe për deklarime, të cilat, sipas ligjit, bëjnë pjesë në përgjegjësinë shtetërore: siç janë përfituesit e tokës bujqësore apo çështjet e gjykuara në gjykatat tona. Urdhri administrativ prek 4 mijë pronarë, kërkon një dokumentacion dy herë më të madh në numër, dhe ka kosto noteriale rreth 12-15 milionë lekë. Shkurt dhe shqip, vetëm ky urdhër u merr qytetarëve të interesuar rreth 12-15 milionë lekë, pa llogaritur investimin në kohë (ditë të humbura, kontakti me ata familjarë që janë në emigracion, dokumentacioni burokratik nëpër zyra, etj). Në fakt, ATP mund ti siguronte këto të dhëna me 0 kosto financiare, duke i kërkuar të dhënat në rrugë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Rasti i dytë: Bashkia Tiranë njoftoi rregullat e reja për Kartën e Rezidentit, projekt për parkimet me pagesë. Në njoftimin zyrtar thuhet se qytetari (banori) për të marrë Kartën duhet të paraqesë, certifikatë familjare, vërtetim banimi, certifikatë pronësie / qiraje të banesës, certifikatë pronësie mbi automjetin, fotokopje e taksave të makinës dhe të faturës së UKT / OSHE. Pra, banorët e Tiranës për të provuar se janë banorë të Tiranës duhet të harxhojnë 1-2 ditë dhe para të tjera! Bashkia dhe shteti disponojnë të dhëna të plota për banorët, për banesat në pronësi, për regjistrimin e automjeteve, për taksat vjetore dhe për faturat e shërbimeve. Në vend të një program unik që merr këto të dhëna dhe u vjen në ndihmë qytetarëve, bashkia zgjedh të kundërtën, – i detyron qytetarët të kryejnë vetë shërbime që në fakt janë detyrë e shtetit dhe e bashkisë.

Rasti i tretë: Për të ri-marrë kartën e identitetit ose pasaportën, Policia e Shtetit ka listuar një numër të gjatë dokumentesh, – si dhe një procedurë të gjatë kalimi nga zyra në zyrë. Ditën e parë nxirren dokumentet në bashki dhe blihen kuponat në postën qendrore, ditën e dytë dorëzohen në komisariat, një javë më vonë duhet të shkosh tek minibashkia tjetër për të kryer procedurat e Kartës, dhe dy javë më vonë duhet të shkosh në mini-bashi për kartën dhe në polici (në drejtori, jo në komisariat) për pasaportën. Të paktën 3-4 ditë investim në kohë (shërbimet janë në orarin zyrtar të punës për gjithsecilin), pagesa që kalojnë 100 mijë lekë personi, dhe radhë në pritje për një shërbim, të cilin, shtetet funksionale e ofrojnë përmes postes dhe brenda ditës.

Rasti i katërt. Çdo vit mijëra maturantë konkurrojnë për një vend në universitet. Ata janë në shkollë, hyjnë në provim, regjistrohen në sistem dhe nëse kanë fat me sistemin eksperimental, marrin një të drejtë studimi. Por, edhe pse ata janë pjesë e sistemit (janë maturantë), ata trajtohen si individë jashtë sistemit, dhe u kërkohet të depozitojnë në provime e universitete, një numër dokumentesh të tjera, krejtësisht të panevojshme, përfshirë dëftesat e shkollës, siglimin nga drejtoria arsimore, raporte mjekësore, certifikata familjare, etj. Përderisa ata janë në sistemin e provimit të MAS, të gjithë këto të dhëna janë pranuar, por pavarësisht nga kjo, ata janë të detyruar të bëjnë dosje të re, – e shprehur në fjalë të tjera, të paguajnë përsëri para dhe kohë brenda afatit për regjistrim. Po ashtu, sistemi burokratik e shoqëron të gjithë jetën universitare dhe kudo, në institucione të njëjta. Për shembull, unë jam pedagog në Universitet, por për të marrë një vërtetim për këtë, më duhet të tërheq një mandat financiar në Universitet, të shkoj ta paguaj në bankën më të afërt dhe të pres që vërtetimi të formulohet nga zyrat dhe më pas të firmoset nga kancelarët. Rasti më i mirë, kjo procedurë shkon 2 ditë pune. E njëjta praktikë edhe për mijëra student, – kur supozohet se në çdo vend serioz, karta e pedagogut dhe karta e studentit janë dokumente unike, të referueshme dhe me jetëgjatësi aq sa zgjat marrëdhënia e tyre me institucionin. Ekziston një listë e gjatë e detyrimeve në sektorë të tjerë për qytetarët, për të marrë shërbime të cilat shteti duhet ti ofrojë falas, dhe për të dorëzuar në zyrat e shtetit dokumente, të cilat vetë shteti ka për detyrë ti ketë në sistem. Për një familje normale me 4-5 anëtarë dhe që kërkon rregullisht shërbime shkolle, kopshti, pune, pensioni, banimi, etj, kostoja e shpenzimeve vetëm për shkak të natyrës arrogante dhe burokratike të shtetit shkon së paku 200-300 mijë lekë në vit dhe më shumë se 7-10 ditë kohë e harxhuar nëpër zyra. Në një shtet perëndimor si Gjermania, referuar MKP, kosto e shërbimeve vjetore për familje shkon 20 euro dhe deri në 10 orë pune, pra rreth 10-20 herë më pak sesa kosto financiare e kohore e qytetarit në RSH.

A mund të ketë zgjidhje? Po, janë disa. Qeveria mund të krijojë një strukturë ad-hoc që bën standartizimin e praktikave në të gjitha nivelet e shërbimeve ose ajo mund të detyrojë institucionet të ofrojnë falas / online shërbimet që përcakton ligji në përgjegjësinë e tyre. Kur qeveria nuk ofron zgjidhje dhe bëhet vetë problemi, si në rastin aktual, një institucion i tretë i interesit publik, si Avokati i Popullit apo një organizatë e të drejtave të njeriut mund të bëjë ankimim rast pas rasti ose në paketa shërbimesh në Gjykatë Kushtetuese për të detyruar shtetin të kryejë funksionet e tij dhe për të mbrojtur të drejtën kushtetuese të qytetarëve për marrjen falas të shërbimeve të shtetit, që burojnë nga burokracia dhe mangësitë e këtij të fundit.

Në një vend ku edhe vendimet e mëdha, siç janë importi i plehrave, borxhi i jashtëm, ndryshimi i taksave, privatizimet e mëdha, etj, merren apriori nga lart, pa pyetur e përfillur qytetarët, është e pritshme që të vijojë funksionin sistemi abuziv penalizues ndaj qytetarëve, megjithatë kjo mbetet një arsye më shumë që të kërkojmë e gjejmë rrugët ligjore, politike, sociale, administrative e qytetare për ta ndryshuar gjendjen.