“La Repubblica” – “Turbo Albania”

Rajoni

Gjuhë neonesh blu ngjyrosin ndërtesa të rënda prej betoni. Një tufë flokësh në një rozë tronditëse feks në permanentin gri të një zonje të veshur me kostum ngjyrë qershi e kuqe, e cila qëndron ulur në një bar-kafe. Dhe kur perëndon dielli, shkallët prej mermeri të Universitetit Shtetëror me pamjen hijerëndë të arkitekturës fashiste, transformohen në skenë për akrobacitë çiklistike të adoleshentëve.
Kështu e nis artikullin e saj të gjatë, me titull “Turbo Albania”, gazeta prestigjioze italiane “La Repubblica”, shkrim të cilin e ka promovuar sot i pari që herët në mëngjes kryeministri Edi Rama në faqen e tij në FB, duke e quajtur “artikull tërheqës për Shqipërinë”.
“La Repubblica” e krahason Tiranën me një vajzë 20-vjeçare e cila, për të imituar motrat e saj më të mëdha – kryeqytetet evropiane – ekzagjeron me tualetin vetëm e vetëm që të bjerë në sy. Në fund të fundit, Shqipëria ka kohë që jeton duke parë drejt Perëndimit, duke ushqyer ëndrrën për të hyrë në Europë.
Aq e vërtetë është kjo, saqë shqiptarët kanë përshpejtuar hapat për të përfunduar të gjitha detyrat e shtëpisë që u ka ngarkuar atyre Komisioni Europian si i vetmi kusht për të kaluar provimin e hyrjes në BE, që shihet edhe si shmangie e ndikimit të Lindjes në Shqipëri dhe Ballkan, shkruan La Repubblica.
Gazeta që nuk harron një prej yjeve të arkitekturës italiane, Stefano Boeri, të cilit i kanë besuar planin urbanistik të kryeqytetit brenda vitit 2030, ndërsa një reformë e fortë e drejtësisë ka si objektiv që të çojë në burg gjyqtarët dhe politikanët e korruptuar.
Pastaj është ekonomia, e cila sipas gazetës italiane ka marrë hov jo vetëm falë një bumi investitorësh të huaj të cilët zgjedhin Shqipërinë sepse këtu paguajnë vetëm 15 përqind taksa dhe 400 euro paga për punëtorët, por edhe falë një turizmi në shpërthim e sipër që ka tërhequr vëmendjen e aktorëve të mëdhenj italianë të fushës siç është Alpitour që nga ky vit ka nisur dy ture kulturore në Shqipëri.
Por pesëdhjetë vjet komunizëm nuk harrohen sa hap e mbyll sytë, dhe prandaj procesi i fshirjes nga kujtesa dhe ndjenja e fajit janë ende aty.
Një impakt pozitiv mbi mjedisin ka pikërisht kthimi i të rinjve shqiptarë që kanë jetuar për një farë kohe në Europë. Por sistemi politik është ende i kapur nga korrupsioni, nivele të larta të punës në të zezë, rroga shumë të ulëta, asnjë sindikatë, asistencë shëndetësore shumë e ulët, zero sigurime qytetare ose platforma të rrjeteve sociale. Le ta themi, pas pamjes ekzotike dhe bukurive natyrore fshihet një vend që duhet ndërtuar ende i gjithi, shkruan La Repubblica”.