Liria është Jetë, Jeta është Liri

194


“Komandant Jetë Hasani, heroi që i bashkoi armët me UÇK-në” është një monografi e avancuar. Forca krijuese e autorëve Avdi Ibrahimi e Naim Musolli, si dhe imazhi heroik i komandant Jetë Hasani të njësuara, i japin një dimension shtesë kësaj vepre.  Kjo është diçka për t’u lavdruar në punën e autorëve, sepse njëra nga arsyet që, monografive nuk u jepet vëmendja e merituar nga lexuesit, është mungesa e prezencës së një elementi esencial, siç është mbledhja e një informacioni të saktë dhe të plotë.

Autorët e kësaj monografie i kanë kushtuar mjaftueshëm kohën dhe dedikimin e duhur studimit të fakteve që, pasqyrojnë jetën, vdekjen e më pas kujtimin e heroit.Libri i fuqizuar me detaje substanciale rreth heroit, të cilat kanë një rëndësi absolute për monografinë, dëshmon se si autorët janë përfshirë tërësisht në vepër. Ata paraqiten si aktivistë aktiv në jetën e heroit njëherësh dhe si bashkëidealistë e bashkëqytetarë të tij.Bashkimi i pjesës faktike me komponentët e tjerë letrar integrohen me efektivitet nga fillimi deri në fund të kësaj vepre. Eksplorimi i heroit nga autorët fillon që në faqet e para. Imazhi i Jetë Hasanit vishet me rëndësinë e merituar që nga koha kur; nga gjyshi dhe babai i tij, kishte trashëguar tiparet fizike, si dhe besën, trimërinë, guximin e mbi të gjitha urrejtjen e papërmbajtur kundër pushtuesve dhe kundër bashkëpunëtorëve të tyre. Vendosmëria dhe guximi, zhdërvjelltësia dhe gjeturia, kanë qenë anët më të shprehura të temperamentit luftarak të Jetë Hasanit, të cilat autorët i kanë në qendër të vëmendjes përgjatë gjithë rrëfimit në këtë vepër.

Në libër janë paraqitur vuajtja, sakrifica, veprimet konkrete të  Jetë Hasanit për liri, pasi ai kishte frymë idealiste dhe dashuri të madhe për lirinë e vendit. Libri “Komandant Jetë Hasani, heroi që i bashkoi armët me UÇK-në dhe triumfoi në batalionin e II-të, Brigada 121” na shpie nëpër kohë, ngjarje e situata interesante, të një periudhe nëpër të cilën shqiptarët e Kosovës kanë kaluar si popull deri në luftën e fundit çlirimtare kur djemtë më të mirë të këtij vendi e hoqën nga këtu okupatorin shekullor. Jetë Hasani dhe bashkëluftëtarët e tij të UÇK-së me veprën e tyre, kanë fituar terren në hierarkinë e vlerave tona Kombëtare dhe rrezatojnë në vizionin e ardhmërisë së Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare. Kosova, Shqipëria e shqiptaria do të ishin ndryshe, pa shembullin dhe veprën e lavdishme të Komandantit Legjendar Adem Jashari, e të gjithë djemve e vajzave të Kosovës pushka e të cilëve nuk e duronte më Kosovën nën lëngatën serbo-sllave. Kjo pushkë ishte aq e fuqishme dhe e rizgjoi dhe njëherë ndërgjegjien tonë Kombëtare, duke e ngritur atë si rrallëherë në lartësi.

Në mesin e këtyre  djemve  më të mirë që dhanë gjithçka nga vetja e tyre madje edhe jetën është edhe  heroi Jetë Hasani, të cilit edhe i kushtohet ky libër që na sjellë plot ngjarje nga jeta e tij për të cilat shkruajnë autorët,  që njëherësh janë bashkëkohës e shokë të idealeve me heroin. Gjithashtu në këtë monografi kemi edhe rrëfime të shokëve të idealit si atyre të veprimtarisë në ilegalitet, shokëve me të cilët heroi ka vuajtur gjatë dënimeve policore serbe, edhe të shokëve me të cilët ishte bashkë në radhët e të lavdishmes UÇK. Jetë Hasani dhe luftëtarët të tjerë u vendosën në frontin e luftës me Flamurin Kuqezi në ballë, me armë në dorë ecën në shtigjet dhe rrugët që i çuan në beteja, duke ngritur kryet mbi malet dhe duke u bërë pjesë e epopesë të UÇK-së.

Kjo Ushtri dëshmoi se lufta është një dinamikë e ashpër, që kërkonte pjesmarrje të gjërë individësh, të cilët në koordinim morën përgjegjësitë për të realizuar betejat. Pas çdo arme e në çdo pozicion luftimi qëndronte luftëtari që do ndërmerrte aktin e tërheqjes së këmbzës së shkrepjes. Sot kur e kemi në dorë këtë monografi, e sa herë do të ndalemi e të përkujtojmë kontributin e komandant Jetë Hasanit, e bashkë me të veprën e lavdishme të UÇK-së, duhet të kuptojmë se kemi përgjegjësinë e madhe të gjakut të derdhur, të të rënve të UÇK-së, të fëmijve dhe nënave të therura nga kriminelët serb, përgjegjësinë e shqiptarve të vrarë e masakruar një shekull në pesë genocide, shqiptarve të Kosovës të burgosur e atyre të humbur.Në emër të kësaj përgjegjshmërie Jetë Hasani sot për ne është kthyer në simbolin, ku ne referohemi për të projektuar ardhmërinë. Si luftëtar i UÇK-së, pjesmarrës në beteja Jetë Hasani, bashkëluftëtarët dhe bashkëpuntorët e tyre dëshmuan se pa luftë të vendosur nuk mund të arrihej liria.

Lufta në Kosovë ka qenë e gjatë, ndërsa UÇK ka qenë e madhe. Në këtë pikpamje për ne mbetet obligim që jo vetëm të evidentojmë çdo betejë, çdo ushtar, komandant a udhëheqës, çdo hero dëshmor, por t’u bëhen atyre të gjitha nderimet. Këtë e kanë bërë më së miri autorët e kësaj monografie Avdi Ibrahimi dhe Naim Musolli, e mesazhi është iqartë: Liria është Jetë, Jeta është Liri.Përvoja personale dhe spontaniteti i diskursit intelektual të autorëve kanë shërbyer si elemente vitale në cilësinë artistike dhe letrare të librit. Ky përqëndim profesional nga ana e autorëve ka qenë plotësisht i domosdoshëm, sidomos kur bëhet fjalë për ndarjen e asimilimit kërkimor me lexuesin, pra për përvetësimin e aspekteve të jashtme të heroit dhe përpunimin e tyre në laboratorin e bashkëautorial. E gjithë kjo është bërë pa shfaqur asnjë shenjë egocentrizmi si autorë, e njëkohësisht pa u distancuar nga jeta dhe veprat e heroit. Ky efiktivitet merr rëndësinë e vet, sidomos kur është fjala, për mbajtjen e lexuesit në njëfarë ankthi a pritje për faqen e ardhshme, teksa lexojnë.Balancimi struktural e bën këtë libër më domethënës dhe të rëndësishëm për lexuesin.

Rruga primare e segmenteve jetësore të Jetë Hasanit dhe përqëndrimi i autorëve në arsyen që e çuan heroin të mbetet hero ka rëndësi. Ajo kalon tangent me rrethin e jetës së heroit që bashkoi armët me UÇK-në, në një pikë kyçe, në dhënien e jetës së tij që, të gjithë ne të jetojmë të lirë jashtë kufijve të frikës.Aspekti që e mban lart nivelin cilësor të këtij libri është teknika autoriale në ndërtimin e skenave historike që kanë thelb intimitetin familjar dhe shoqëror të heroit. Çiltërsia me të cilin jepen detajet kthehet në një përbërje vitale në qëllimin kryesor të kësaj vepre, që padyshim është njohja e publikut me heroin, një impuls shtesë drejt kujtimit të tij. Për t’a ndarë një përpjekje të tillë autorët kanë përfshirë në libër një numër relativisht të madh artikuj të gazetave dhe foto të heroit me bashkëluftëtarë. Materiali i përzgjedhur nga autorët është organizuar mirë brenda një kornize me dimensione letrare. Ata kanë zgjedhur një strukturë të mbështetur në sistemin kronologjik për materialet objektive dhe në atë logjik për ato subjektive. Duke e ruajtur këtë ekuilibër ata bindin lexuesin se kjo monografi nuk është një arkivë sekuencash të risistemuara sipas traditës së sekretarisë. Autorët nuk kanë bërë kalime të shkurtëra apo ngjeshje të materialit. Përkundërazi, i kanë rezervuar vendin e nevojshëm çdo ideje. Kjo ka bërë që mendimet të shtjellohen në mënyrë natyrale duke marrë shkallëzime graduale sipas principeve të gjinisë së monografisë.