Luan Zyka : Bie poshtë spekulimi me coronavirusin (Video)

153

Koronavirusi SARS-CoV-2 që po kërcënon njerëzimin nuk është prodhuar nga njeriu në laboratorët shkencorë, por është produkt i evolucionit natyror.

Prof. Luan Zyka

Në këtë konkluzion ka arritur një grup shkencëtarësh nga universitete të ndryshme, sipas një studimi të tyre botuar më datën 17 Mars 2020 në revistën shkencore “Nature Medicine”. (Kristian G. Andersen, Andrew Rambaut, W. Ian Lipkin, Edward C. Holmes, Robert F. Garry. The proximal origin of SARS-CoV-2. Nature Medicine,)

Menjëherë pas fillimit të epidemisë në Kinë nga fundi i vitit të kaluar, shkencëtarët kinezë në një kohë rekord përcaktuan genomin e virusit SARS-CoV-2, dhe të dhënat i vunë në dispozicion të studiuesve në të gjithë botën.

Një grup prej 5 shkencëtarësh nga disa Universitete të ndryshme të botës, përdorën këto të dhëna për të studjuar strukturën e tij molekulare, si edhe mënyrën e futjes së virusit tek qeliza njerëzore.

Konkretisht;

E para, ky virus ka në proteinën e tij ka dy “ganxha” tij me të cilat kapet pas qelizës njerëzore, gjithashtu ka një mekanizëm me të cilin hap, “shqyen”, dhe futet brenda qelizës duke e “pushtuar” atë dhe përfundimisht duke e shkatërruar deri në shkaktimin e vdekjes së njeriut.

Ky zbulim pra, prania e këtyre dy mekanizmave të virusit dhe efektiviteti i tij agresiv tek qelizat që rregullojnë tensionin e gjakut, vërteton shkencërisht se ky virus është produkt i evolucionit natyral dhe jo i krijimit nga njeriu në laboratorët shkencorë.

E dyta, shkencëtarët studjuan strukturën molekualare të koronavirusit SARS-CoV-2 e cila është e ndryshme nga struktura e koronaviruseve të njohur që kanë infektuar njerëzit më parë, dhe ngjan me koronaviruset e lakuriqëve të natës dhe të pangulinit.

Këto dy fakte shkencore hedhin poshtë çdo thashethem për krijimin e koronavirusit në laboratorët shkencorë nga njeriu.

Po nga e ka origjinën ky virus ?

Bazuar në analizën e sekuencave të tyre gjenomike, Andersen dhe bashkëpunëtorët e tij arritën në përfundimin se dy janë origjinat më të mundshme për SARS-CoV-2.

Teza e parë; virusi pësoi mutacion dhe evoluoi në gjendjen e tij të rrezikshme përmes seleksionimit natyror në një bartës të botës shtazore dhe më pas kaloi tek njerëzit. Kështu janë shfaqur shpërthimet e mëparshme të koronaviruseve tek njerëzit, siç u infektuan nga koronavirusi SARS prej kafshëve civets, dhe nga koronavirusi MERS nëpërmjet deveve.

Në rastin e koronavirusit të tanishëm, shkencëtarët supozojnë se ka ardhur nga lakuriqët e natës pasi është shumë i ngjashëm me një koronavirus të tyre.

Por akoma nuk është zbuluar se si është bërë kalimi I koronavirusit nga lakuriqët tek njeriu, dhe ky fakt e bën akoma më shumë të rrezikshëm koronavirusin SARS-CoV-2 që shkakton infeksionin COVID-19 me pasoja vdekjepruerse tek njerëzit.

Teza e dytë; ka mundësi që virusi kaloi nga kafshët tek njeriu në formën e tij të thjeshtë, pa qenë i rrezikshëm, dhe atje brenda qelizave njerëzore pësoi mutacion duke infektuar tani njerëzit me pasoja që po shikojmë. Ky mendim përforcohet nga fakti i ngjashmërisë së proteinës së koronavirusit SARS-CoV-2 me proteinën e viruseve të gripit të shpendëve, i cili përhapet shumë lehtë midis njerëzve.

Shkencëtarët mendojnë se teza e parë është më e saktë, por edhe më e rrezikshme sepse burimi i virusit janë kafshët, ndërkohë që nuk dihet mënyra se si kalon virusi nga kafshët dhe infekton njeriun.

NE VIDEON E MEPOSHTME SPJEGOHET MENYRA E INFEKSIONIT TE QELIZES NJEREZORE NGA KORONAVIRUSI SARS-CoV-2