Lufta kundër krimit, në stade të tjera

487

tahiri 55

Gjatë fjalës në Raportin Publik për 100 ditë qeverisje, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri tha se puna e këtij institucioni është orientuar në dy drejtime, së pari reformimi i vetë strukturës së Policisë së Shtetit dhe forcimi i kapaciteteve parandaluese të krimit në tërësi. Ministri Tahiri u shpreh se është bërë një punë e madhe jo vetëm për të rikthyer Policinë në detyrë, por edhe për të rritur transparencën ndaj publikut. “Baza e rekrutimit në rradhët e Policisë është vendosur meritokracia”, shtoi ministri Tahiri. Duke theksuar rritjen e vëmendjes së qeverisë për të rivendosur rendin dhe sigurinë e munguar në vend, ministri i Punëve të Brendshme veçoi rritjen e mbështetjes buxhetore për këtë intitucion, më e madhja pas viteve 1990.

Fjala e plotë e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

Më lejoni që me shumë përulje t’ju falënderoj për besimin që secili prej jush dhe qytetarët më kanë dhënë mua dhe me shumë gjasa dhe gjithë kolegëve, për besimin që na keni ngarkuar dhe për të mbajtur përgjegjësi në institucionet që drejtojmë.

Policia e Shtetit dhe sigurisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një sektor që ka goxha rezultate, por që kurrë nuk mund të thuhet se mbaron lufta kundër krimit të organizuar kriminalitetit, paligjshmërisë në tërësi.

Ne kemi zgjedhur të ecim në 2 rrugë: nga njëra anë reformimin tërësor të sektorit dhe nga ana tjetër duke forcuar kapacitetet parandaluese dhe reaguese të Policisë së Shtetit.

Kur them reformim tërësor këtu kam parasysh hartimin e gjithë paketës së sigurisë, për të cilën besoj në janar do t’i drejtohemi Qeverisë për miratim dhe pastaj Parlamentit, e këtu përfshij ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, si një instrument për kontrollin civil ndaj Policisë së Shtetit, ligjin për sigurinë e Policisë Private, Ligjin për Armët (përdorimin e armëve) dhe një sërë aktesh të tjera, të cilat do të ndihmojnë në reformimin themelor dhe substancial të kapacitetit të Policisë së Shtetit për të adresuar sfidat që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Nga ana tjetër kemi njohur, identifikuar dhe shpallur publikisht si prioritet luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore. Jemi të gjithë të vetëdijshëm për renditjen aspak dinjitoze të Shqipërisë në mesin e vendeve në vëzhgim nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe e kemi shpallur prioritet absolut nxjerrjen nga kjo renditje dhe për këtë arsye kemi përcaktuar Koordinatorin Kombëtar Antitrafik, që është zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea (Hoxha) dhe bashkë me të kemi përcaktuar mekanizmin kombëtar të referimit; analizën e riskut në të gjitha pikat kufitare; procedurat dhe protokollin e standartizuar të punës për evidentimin e viktimave potenciale të trafikimit dhe njëkohësisht, kemi ngritur Bordin e Shoqërisë Civile pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme për të përfshirë Shoqërinë Civile në luftën kundër trafikut të qënieve njerezëre, por edhe Komitetin Shtetëror të Luftës kundër Trafikut të Qënieve Njerëzore.

Nga ana tjetër kemi shtuar kapacitetin parandalues dhe reagues të Policisë së Shtetit, lidhur me luftën kundër paligjshmërisë në tërësi dhe krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti.

Unë besoj se kemi bërë më shumë sesa krahasimi i shifrave në luftën kundër krimit. Kjo duke pasur në konsideratë atë që kemi gjetur në Policinë e Shtetit, në Ministrinë e Brendshme dhe pasigurinë publike në tërësi.

Unë besoj kemi rikthyer Policinë e Shtetit dhe kemi rilindur kapacitetin e Policisë së Shtetit për të qenë përballë dhe në krye të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është shumë më shumë se çdo rezultat i krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Unë besoj kemi nxjerrë Policinë e Shtetit nga bunkeri ku ishte futur, e kemi kthyer në një institucion demokratik dhe shumë më transparent, unë besoj se kemi instaluar sistemin e meritokracisë në Policinë e Shtetit dhe gjithashtu i kemi dhënë mundësi oficerëve të Policisë të përballen me krimin në rrugë, pa patur stresin se janë të tradhëtuar apo mund të ndjehen të tradhëtuar nga shefat e tyre, më së pari.

Konkretisht, qeveria sapo ka miratuar project-buxhetin, i kemi dhënë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit, paketën e mbështetjes financiare dhe buxhetore që ka një rritje historike krahasuar me të gjithë buxhetet e kaluara, në këto thuajse 23 vite tranzicion.

Kjo është paketa më e plotë totale e mbështetjes financiare që shkon për forcimin e kapaciteteve, për pagat e punonjësve të Policisë, për investime në teknologji dhe infrastrukturën e Policisë së Shtetit, duke synuar sigurinë publike të qytetarëve, sepse çdo investim në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme është investim i menjëhershëm për sigurinë publike, sigurinë e jetës, pronës së qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjitha, për sigurinë e sipërmarrjes.

Janë shënuar në këto 100 ditë, 16 vrasje më pak sesa e njëjtja periudhë e vitit të kaluar. Situata me aksidentet rrugore është situatë alarmante dhe ne e njohim si prioritet, megjithatë ka përmirësime të dukshme, janë shënuar 8 aksidente më pak sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, janë 27 737 masa administrative, gjoba, kundër shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërkohë janë 470 persona të cilët për drejtim të mjetit pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur janë arrestuar nga policia.

Janë 473 autorë për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, që janë 54 % më shumë sesa e njëjtja periudhë e vitit të kaluar, është sekuestruar sasia e kokainës më e madhja në historinë e Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë janë sekuestruar gjatë 100 ditëve, më shumë sesa 8 ton marijuanë, që është prapë 50 % më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Janë evidentuar 1 424 vepra penale në fushën e krimit ekonomik dhe janë proceduar penalisht 1 519 persona, të cilët përbëjnë në këto 100 ditë, 480 % më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Janë 258 autorë për veprën penale të korrupsionit, të cilët janë proceduar, ndër to 14 janë operacione policiore pro-aktive.

Jeni të gjithë në dijeni të operacionit “Fund Marrëzisë”, për mbylljen e lojërave të paligjshme të fatit, me 675 autorë të kallëzuar dhe sekuestrimin e 4 557 pajisjeve elektronike. Xhiro vjetore e evazionit fiskal, nga të ardhurat e munguara në Buxhetin e Shtetit që pastaj duhet të rishpërndaheshin për qytetarët shqiptarë, llogaritet në rreth 110 milion dollarë në vit.

Këtu më lejoni të bëj një sqarim për të gjithë ata që mendojnë pasi shohin në rrugë ende lojëra fati të hapura, se ky operacion nuk shkoi deri aty ku duhet, se mbyllëm të gjitha njësitë e paligjshme të lojërave të fatit. Ndërkohë Qeveria, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme janë duke punuar për të hartuar kuadrin ligjor për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi.

Janë evidentuar dhe proceduar penalisht 611 raste të ndërtimeve pa leje ose abuzive dhe ndërkohë operacioni vazhdon edhe me procedime penale edhe me prishje të këtyre ndërtimeve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin vetëm 6 raste, ndaj nuk po i hyj fare krahasimit me përqindje.

Janë arrestuar gjatë 100 ditëve, 46 persona në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, mjafton t’ju them që gjatë vitit të kaluar ishin arrestuar gjithsej 68 vetë, ne në 100 ditë kemi arrestuar 46 vetë. Ndërkohë janë arrestuar 625 persona të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe këta ishin të gjithë në kërkim në Shqipëri.

Kemi forcuar bashkëpunimin me institucionet e tjera. Këtu dua të përmend memorandumin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, duke e konsideruar këtë si parakusht të bashkëpunimit ndërmjet Agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korruspionit, bashkëpunim që ka filluar të japë rezultatet e para, pra nuk është një bashkëpunim që ka mbetur në letër.

Këto janë pak a shumë rezultatet krahasuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit, por unë kam besim që lufta kundër krimit të organizuar, paligjshmërisë në tërësi dhe korrupsionit, do të njohë stade të tjera në bashkëpunim me gjithë kolegët, në bashkëpunim me të gjitha agjensitë ligjzbatuese në vend dhe patjetër në bashkëpunim me ju e me publikun.