Meta: BE është destinacioni ynë i përbashkët

812

Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur punimet sot Konferenca e Komisioneve të Sigurisë të Parlamenteve të Kartës së Adriatikut A5 me temën “Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut-SHBA”.

Të pranishëm në konferencë ishin Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, z. Spartak Braho, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli dhe Ambasadori i SHBA-së, z. Aleksandër Arvizu.

Gjithashtu, në këtë aktivitet marrin pjesë edhe përfaqësues të Komisioneve të Sigurisë Parlamentare të vendeve të Kartës së Adriatikut nga Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Serbia, Mal i Zi, Maqedonia, Kosova si edhe nga Shoqëria Civile.

Në fjalën e hapjes, Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, z. Spartak Braho, e cilësoi nismën mbarëballkanike të Kartës së Adriatikut, një histori suksesi, e cila bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

“Në gjykimin tonë vazhdimi i Bashkëpunimit në kuadrin e Kartës së Adriatikut do të promovojë dhe fuqizojë në radhë të parë bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë, si dhe do të rrisë ndërveprimin në adoptimin e standardeve që kërkohen si nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta ashtu edhe në vazhdimin dhe thellimin e reformave demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut, të minoriteteve, impenjim në luftën kundër terrorizmit, trafikut ndërkufitar, etj”, theksoi Braho.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve, falë të cilës Karta vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive për t’i sjellë vendet e rajonit më pranë integrimit të plotë euro-atlantik.

“Duhet të vlerësohet roli i pazëvendësueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falë të cilës Karta vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive për t’i sjellë vendet e rajonit më pranë integrimit të plotë euro-atlantik, shtoi z. Braho. Ne mbështesim dhe inkurajojmë progresin e bërë nga vendet aspirante të rajonit tonë, para ministerialit të qershorit. Ndaj, mendoj se është e rëndësishme, që vendet aspirante, të paraqesin rezultate pozitive brenda qershorit, në mënyrë që vendet aleate që mbështesin idenë e zgjerimit të Aleancës”, theksoi ai.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta në fjalën e tij ka vlerësuar kontributin dhe përkushtimin e secilit vend anëtar të Kartës përmes angazhimit respektiv në funksion të rritjes së sigurisë në rajonin tonë, si dhe për dedikimin ndaj avancimit të axhendës së përbashkët të integrimit Euro-Atlantik.

Gjithashtu, z. Meta ka shprehur mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të SHBA për Kartën e Adriatikut dhe për promovimin e integrimit Euro-Atlantik të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Pa një Ballkan Perëndimor të integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike, parametrat e sigurisë në Evropën Juglindore nuk do të arrijnë kurrë standardet që ne dëshirojmë dhe që qytetarët tanë meritojnë. Nga ana tjetër, as vetë Bashkimi Evropian nuk do të jetë kurrë i plotësuar dhe i sigurt, tha z. Meta.

“Shqipëria i mbështet plotësisht aspiratat e të gjitha vendeve të rajonit tonë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, sepse jemi të bindur se avancimi i këtyre proceseve të ndërlidhura, do të sjellë më tepër siguri, paqe afatgjatë dhe më tepër prosperitet, duke na çuar të gjithëve më afër standardeve të politikëbërjes dhe të jetesës së Bashkimit Evropian”, theksoi Kryetari i Kuvendit.

Sipas z. Meta roli i NATO-s në mbarëvajtjen e paqes në Ballkan është i padiskutueshëm, por bashkëpunimi rajonal, duhet të prodhojë efekte konkrete për rritjen e prosperitetit ekonomik të të gjithë qytetarëve tanë.

“Kjo mund të ndodhë vetëm nëse zhvillimi ekonomik shoqërohet nga forcimi i institucioneve demokratike, që mund të ndodhë vetëm përmes integrimit të plotë të secilit vend të Ballkanit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. BE është destinacioni ynë i përbashkët, pavarësisht progresit të secilit vend. Vetëm nëse familja e madhe evropiane plotësohet me pjesën e saj të munguar të Ballkanit Perëndimor, do të arrijmë të përballemi bashkërisht me sfidat që kërcënojnë elementet e sigurisë dhe stabilitetit social jo vetëm në rajon, por në të gjithë kontinentin”, tha ndër të tjerash Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli duke marrë fjalën gjatë konferencës deklaroi se Karta e Adriatikut ka ndikuar në ndryshimet thelbësore në vendin tonë dhe ka rritur sigurinë në vendet e rajonit.

Znj. Kodheli e cilësoi këtë takim si të veçantë, jo vetëm për integrimin e vendeve të rajonit, por dhe për sigurinë dhe bashkëpunimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.

“Ky bashkëpunim ka sjellë jo vetëm siguri, por shtimin e anëtarëve të rinj në aleancë. Gjithashtu, këtë vit Shqipëria ka marrë kryesimin e radhës, ndryshe nga dekada më parë, rajoni është me i qetë dhe më bashkëpunues.

Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se Shqipëria i kushton rëndësi kryesore bashkëpunimit rajonal.

“Sfidat tona të ardhshme janë siguria dhe përfshirja e vendeve në një bashkëpunim afatgjatë”, theksoi znj. Mimi Kodheli.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati u shpreh gjatë konferencës se Shqipëria është e vetëdijshme për ndjeshmërinë e çështjes së zgjerimit të Kartës së Adriatikut.

Z. Bushati risolli në vëmendje faktin se karta u nënshkrua në 2 maj 2003 në Tiranë për Shqipërinë nga Ministri i Punëve të Jashtme i atëhershëm, z. Ilir Meta.

“Nënshkruesi për palën amerikane, Sekretari Powell, në fjalën e tij shpalosi vizionin dhe konfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore”.

Por më lejoni të theksoj se ne udhëhiqemi nga nevoja për të nxitur më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, që janë parakusht i rëndësishëm për integrimin euro-atlantik, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha ai.

“Sot 11 vjet pas formimit të Nismës së Kartës së Adriatikut, rajoni është në paqe. Por paqja dhe stabiliteti që gëzojmë aktualisht nuk duhen marrë si të mirëqena, sepse vija të tjera ndarëse rrezikojnë të shfaqen. Duhet shmangur rreziku i grupimit të vendeve të rajonit në vende të dalluara dhe ngelëse në klasë. Pasi, një rajon që nuk është i integruar plotësisht nuk mund të eksportojë siguri”, deklaroi z. Bushati.

Në fund e mori fjalën edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Aleksandër Arvizu, i cili ka theksuar vendosmërinë e palëkundur të SHBA-ve për të vijuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s.

Rreth 11 vjet më parë, Karta e Adriatikut-SHBA nisi pikërisht këtu në Tiranë. Colin Powell nënshkroi për SHBA-të dhe më vjen mirë që Kryetari i Kuvendit, z. Meta, i cili firmosi për Shqipërinë në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme, është këtu sot për të parë se Karta mbetet po aq e rëndësishme edhe sot e kësaj dite, teksa rajoni vazhdon rrugëtimin drejt integrimit Euro-Atlantik”, tha z. Arvizu.

Sipas ambasadorit, Karta e Adriatikut kontribuon për një Europë të lirë dhe në paqe.

“Ripohojmë përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe krimin dhe për të mbrojtur të drejtat njeriut dhe liritë civile për të gjithë individët në rajon. Aleanca mundet dhe duhet të pranojë anëtarë të rinj kur ata të jenë gati”, deklaroi ambasadori z. Arvizu.

 Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta në Konferencën Karta e Adriatikut me temë: “Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut-SHBA”

 Të nderuar Kryetarë të Komisioneve të Sigurisë,

Të nderuar anëtarë të delegacioneve të vendeve fqinje,

Të nderuar Ministra,

I nderuar Ambasador,

Miq, zonja e zotërinj.

 Është kënaqësi e veçantë që në emër të Kuvendit të Shqipërisë t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë dhe t’ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë takim të Komisioneve të Sigurisë Parlamentare të vendeve të Kartës së Adriatikut.

 Së pari, dua të vlerësoj kontributin dhe përkushtimin e secilit vend anëtar të Kartës përmes angazhimit respektiv në funksion të rritjes së sigurisë në rajonin tonë, si dhe për dedikimin ndaj avancimit të axhendës së përbashkët të integrimit Euro-Atlantik.

 Së dyti, dëshiroj të shpreh mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të SHBA për Kartën e Adriatikut dhe për promovimin e integrimit Euro-Atlantik të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pa një Ballkan Perëndimor të integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike, parametrat e sigurisë në Evropën Juglindore nuk do të arrijnë kurrë standardet që ne dëshirojmë dhe që qytetarët tanë meritojnë. Nga ana tjetër, as vetë Bashkimi Evropian nuk do të jetë kurrë i plotësuar dhe i sigurt. Shqipëria i mbështet plotësisht aspiratat e të gjitha vendeve të rajonit tonë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, sepse jemi të bindur se avancimi i këtyre proceseve të ndërlidhura, do të sjellë më tepër siguri, paqe afatgjatë dhe më tepër prosperitet, duke na çuar të gjithëve më afër standardeve të politikëbërjes dhe të jetesës së Bashkimit Evropian. Shqipëria i qëndron besnike parimit të dyerve të hapura të NATO-s, pikërisht sepse e kemi parë shumë qartë rezultatin pozitiv që kjo politikë ka prodhuar gjatë viteve të fundit, jo vetëm si një kontribut për rajonin e Ballkanit, por edhe në funksion të vizionit më të madh të një Evrope të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Në kontekstin e krizës ekonomike globale që ka tundur themelet e sigurisë ekonomike të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe për rrjedhojë ka rritur sfidat e parametrave të sigurisë të të gjithë Evropës, shpreh bindjen e thellë se forcimi i bashkëpunimit mes vendeve tona, merr një dimension të veçantë.

 Në këtë kuadër, rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit konkret ndërparlamentar, përfaqëson një peshë të rëndësishme dhe mbi të gjitha, një kontribut të veçantë në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.

 Kuvendi i Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, është i vetëdijshëm për peshën e rëndësishme që ne mbajmë mbi supe në Ballkan, në shërbim të mbarëvajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin tonë. Për këtë arsye ne kemi qenë gjithnjë të bindur në politikën tonë konstruktive dhe bashkëpunuese rajonale, duke lënë mënjanë përqasjet konfliktuale, dhe duke i përqendruar përpjekjet tona tek përshpejtimi i axhendës së integrimit rajonal dhe atij Euro-Atlantik për vendin tonë, por edhe në funksion të fqinjëve tanë, me të cilët ndajmë të njëjtën hapësirë gjeografike e kulturore. E kam shprehur edhe më parë, dhe dua ta rikonfirmoj sot qëndrimin tonë të palëkundur se politika më e mirë e sigurisë në Ballkan është forcimi i bashkëpunimit në vetvete. Dhe kjo duhet të ndodhë përmes iniciativave konkrete, me mbështetjen e partnerëve tanë evropianë dhe amerikanë. Mjafton të vërejmë ndryshimet rrënjësore në rajonin tonë gjatë dy dekadave të fundit, ku ishim, e ku jemi sot. Në rastin e Shqipërisë, ne sot krenohemi me marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi zhvilluar me Malin e Zi dhe me Maqedoninë; Po punojmë për marrëdhënie shumë më të ngushta bashkëpunimi me Serbinë, dhe mendoj se hapa të rëndësishëm janë hedhur këto vite në këtë drejtim; krenohemi me arritjet e Kosovës dhe mbështesim plotësisht dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe implementimin e Marrëveshjes së 19 prillit, duke shpresuar se përafrimi i qëndrimeve i të dy palëve do të ndodhë në kohën e duhur. E pra, as siguria dhe as stabiliteti nuk do të ndodhte në Kosovë pa kontributin e NATO-s dhe as dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të avanconte pa ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

 Normalizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është një arritje historike për rajonin tonë dhe për vetë Evropën. Në këtë drejtim, më lejoni të theksoj rëndësinë e zgjerimit të Kartës së Adriatikut, duke bërë të mundur anëtarësimin e plotë të Serbisë dhe Kosovës në të. Jam i bindur se kjo do të kontribuonte konkretisht në konsolidimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore, ashtu siç ka ndodhur me bashkimin në këtë Kartë të Malit të Zi dhe të Bosnje-Hercegovinës. Gjithashtu, shpreh besimin se takimet në kuadër të kësaj Karte do të jenë në funksion të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendeve aspirante të rajonit tonë në NATO, në shërbim të forcimit të partneritetit mes Serbisë dhe Aleancës, dhe do të kontribuojnë për qartësimin e rrugëtimit të integrimit Euro-Atlantik të Kosovës. Përfitoj nga rasti të përshëndes pjesëmarrjen e delegacionit nga Kosova në këtë Konferencë sot. Misioni i përbashkët i Parlamenteve të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut duhet të jetë forcimi i bashkëpunimit dhe ndërmarrja e iniciativave legjislative që i shërbejnë heqjes së barrierave dhe rritjes së shkëmbimeve njerëzore dhe tregtare mes vendeve tona, hapa që do të forcojnë më tej parametrat e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë Evropën Juglindore, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor.

 Roli i NATO-s në mbarëvajtjen e paqes në Ballkan është i padiskutueshëm. Por bashkëpunimi rajonal, duhet të prodhojë efekte konkrete për rritjen e prosperitetit ekonomik të të gjithë qytetarëve tanë. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse zhvillimi ekonomik shoqërohet nga forcimi i institucioneve demokratike, që mund të ndodhë vetëm përmes integrimit të plotë të secilit vend të Ballkanit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian është destinacioni ynë i përbashkët, pavarësisht progresit të secilit vend. Vetëm nëse familja e madhe evropiane plotësohet me pjesën e saj të munguar të Ballkanit Perëndimor, do të arrijmë të përballemi bashkërisht me sfidat që kërcënojnë elementet e sigurisë dhe stabilitetit social jo vetëm në rajon, por në të gjithë kontinentin. Duke iu uruar punime të mbara të kësaj konference në Tiranë, këtu ku edhe u nënshkrua Karta e Adriatikut, dua t’ju siguroj për mbështetjen e pakursyer të Kuvendit të Shqipërisë në avancimin e axhendës së Kartës së Adriatikut, si dhe për angazhimin tonë të plotë në funksion të forcimit të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal dhe të anëtarësimit të plotë të të gjithë fqinjëve tanë në strukturat Euro-Atlantike.

 Fjala e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, z. Spartak Braho në Konferencën Karta e Adriatikut me temë “Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut – SHBA”

 I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit !

Të nderuar shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar kolege, anëtarë të komisioneve parlamentare të sigurisë të vendeve të pjesë e Kartës së Adriatikut.

Shpreh mirënjohjen për praninë tuaj dhe vlerësimin për pjesëmarrjen në këtë konferencë që e zhvillojmë sëbashku në Tiranë, duke synuar që edhe një herë të diskutojmë me synimin për t’i bërë kombet tona të rajonit të Ballkanit më të sigurta se kurrë. Karta e Adriatikut, e firmosur në Tiranë më 2 maj 2003, ka dëshmuar në këto vite se është dhe do të mbetet një instrument efikas me kontributin e saj të fuqishëm për një Europë Juglindore në paqe dhe plotësisht të integruar në komunitetin Euro-Atlantik, e përkushtuar për demokracinë, shtetin ligjor dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ishte kjo nismë mbare ballkanike fillesa, e cila bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe që padyshim në të ardhmen do të shënojë arritje të tjera të suksesshme duke e konkretizuar me anëtarësime të reja të shteteve të tjera të Ballkanit. Në gjykimin tonë vazhdimi i Bashkëpunimit në kuadrin e Kartës së Adriatikut do të promovojë dhe fuqizojë në radhë të parë bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë, si dhe do të rrisë ndërveprimin në adoptimin e standardeve që kërkohen si nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta ashtu edhe në vazhdimin dhe thellimin e reformave demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut, të minoriteteve, impenjim në luftën kundër terrorizmit, trafikut ndërkufitar, etj.

 Ne vlerësojmë rolin e Kartës ndër vite (krahas nismave të tjera rajonale), si një histori suksesi, që ka ofruar një kontribut të veçantë në përpjekjet tona të përbashkëta për rritjen e bashkëpunimit rajonal në çështjet e sigurisë. Duhet të vlerësohet roli i pazëvendësueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falë të cilës Karta vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive për t’i sjellë vendet e rajonit më pranë integrimit të plotë euro-atlantik. Ne mbështesim dhe inkurajojmë progresin e bërë nga vendet aspirante të rajonit tonë, para ministerialit të qershorit. Ndaj, mendoj se është e rëndësishme, që vendet aspirante, të paraqesin rezultate pozitive brenda qershorit, në mënyrë që vendet aleate që mbështesin idenë e zgjerimit të Aleancës. Padyshim që Parlamentet tona do të vazhdojnë të forcojnë përpjekjet e tyre për të mbështetur dhe përshpejtuar reformat demokratike, të cilat do të përmirësojnë institucionet demokratike të bazuara në shtetin ligjor, do të transformojnë më tej qeverisjen, shoqërinë civile dhe institucionet civile, dhe do të përmirësojë sigurinë, zhvillimin dhe stabilitetin në vendet tona dhe në rajon.

Ju falënderoj për praninë dhe vëmendjen tuaj dhe me këtë rast, ju uroj një konferencë sa më frytdhënëse në vazhdim, duke ju siguruar se jemi të gatshëm për bashkëpunime të mëtejshme në të ardhmen. Punë të mbarë.