Meta kritikon Ramën: Deklaratat populiste, largojnë investitorët nga Shqipëria

251

Meta-Rama
Në turin e takimeve me Lëvizjen e Gruas për Integrim, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ishte në qytetin e Fierit. Në fjalën e tij, Meta tha se forca politike që ai drejton është e vetmja që ka në strukturat një barazi gjinore.

Deklarata

“Lëvizja Socialiste për Integrim, është krenare për standardin e ri që ka sjellë në politikën shqiptare për përfaqësimin e grave dhe vajzave shqiptare, nëpërmjet LGI-së. Ne jemi krenarë që do të jemi e para forcë politike që ka vendosur barazinë e plotë gjinore 50% me 50%, në të gjitha forumet e saj”, tha Meta. Duke u ndalur tek situata politike në vend, kreu i LSI-së tha se vendi ka nevojë për stabilitet si dhe për një projekt të përbashkët integrues. “Unë besoj se 23 qershori nuk duhet të jetë një projekt përjashtues për njërën palë apo për palën tjetër. 23 qershori duhet të jetë projekt i përbashkët integrues, të rrisë më tej besueshmërinë dhe kredibilitetin e vendit, pasi në kohë krize është me rëndësi për të forcuar ekonominë kombëtare dhe për të forcuar ekonominë familjare. Sepse pa stabilitet nuk ka dhe nuk mund të ketë progres. Njerëzit e kuptojnë rëndësinë e stabilitetit kur e humbasin atë”, deklaroi Ilir Meta.

Kritikat ndaj PS          

Në përfundim, Meta u ndal edhe tek deklaratat e fundit të opozitës për sa i përket uljes së numrit të të papunëve si dhe heqjen e tatim fitimit për bizneset. “Ndërkohë kemi filluar fushatën elektorale dhe qëllon që të dëgjojmë edhe deklarata populiste jashtë realiteti ekonomik dhe social. Njëra nga ato është se do rrisim tatimin mbi fitimin për bizneset dhe do shtojmë punësimin. Të bësh deklarata të tilla do thotë që çosh të kolaps ekonominë e vendit, ti detyrosh investitorët e huaj apo vendas të largohen nga Shqipëria drejt Maqedonisë, drejt Serbisë apo Malit të Zi apo drejt Kosovës. Sepse dihet që në një botë të tillë ku nuk konkurrojnë vendet me vende, por rajonet me rajonet, ku këto vende kanë tatimin mbi fitimin njëlloj , ta shtosh ato do thotë tu tregosh derën investitorëve”, deklaroi Meta. Në vijim, kreu i LSI-së tha se forca që ai drejton do të vijojë të mbështesë politikat ekonomike ndaj sipërmarrjes dhe punësimit.