Ministri grek : Ne ju duam ne Bashkimin Europian

278

ministri grek ne focus-2Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të mira dhe të dyja vendet kanë vullnet për zgjidhjen e çështjeve në rrugë europiane. Kështu kanë lënë të kuptohet dy ministrat e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, i cili po viziton sot Tiranën.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri Bushati ka deklaruar se, është diskutuar për një sërë çështjesh, që variojnë nga ato që e kanë origjinën tek Lufta II Botërore e deri tek ato aktuale dhe që i përkasin së ardhmes europiane të përbashkët.

“Kemi këmbyer disa ide për të shkuar drejt një platforme të përbashkët për të zgjidhur çështjet dypalëshe që janë në tryezë dhe më vjen mirë të them që kemi rënë dakord për një mekanizëm të përbashkët, i cili do të mblidhet në mënyrë periodike për të gjitha çështjet”, ka thënë mes të tjerash Bushati.

Ai ka bërë me dije se me homologun helen janë fokusuar tek mënyrat se si do t’i zgjidhim këto çështje. “Në idetë e shkëmbyera me mikun Kotzias kam vënë re se ka shumë të përbashkëta dhe vullnet për të ecur përpara. Kemi rënë dakord për një hartë rruge”, ka shtuar Bushati.

Ai ka theksuar se, marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë janë komplekse, por me potencial shumë të lartë bashkëpunimi. “Me Greqinë kemi një partneritet strategjik, por edhe një potencial të madh që duhet ta shfrytëzojmë”, ka shtuar Bushati.

Edhe Kotzias, nga ana e tij, ka shprehur gatishmërinë e Athinës që të zgjidhim bashkarisht problemet dhe të ecim më tutje.

“Kjo është filozofia jonë e përbashkët, sepse duhet t’i zgjidhim problemet ekzistuese dhe të shohim drejt së ardhmes. Ne mendojmë t’i zgjidhim me kulturën e dialogut dhe mirëkuptimit, pra me kulturën europiane. Propozimi i Ditmirit për një hartë rruge dhe përcaktim kohor është i mbështetur në instrumentet e BE dhe ne duhet ta ngremë këtë peshë institucionale dhe të mbarojmë me problemet që mbarim nga e shkuara dhe të procedojmë me anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit”, ka thënë Kotzias.

Ai ka shtuar se, Greqia e do Shqipërinë në BE dhe do të jetë përkrah saj për çdo gjë që do t’i nevojitet drejt BE-së”. Më tej dy ministrat u janë përgjigjur pyetjeve të mediave.

Top Channel: Zoti Bushati, a u diskutua për çështjen came, që ajo të jetë në paketën tuaj? Ndërsa ju, zoti Kotzias, në takimin e fundit keni thënë se ligji i luftës është një formalitet, pse nuk është hequr?

Ditmir Bushati: Respektojmë pikëpamjet e ndryshme që kemi për disa prej çështjeve, por nuk ka diskutim që sa na përket neve, çështja çame është pjesë e kapitullit që e ka vendin gjatë Luftës II Botërore. Jemi vende fqinje dhe është normale të kemi lexime të ndryshme për këtë dhe çështje të tjera, por besoj se një qëndrim realist do të zbuste tonet. Këtu nuk bëhet fjalë as për pretendime territoriale ndaj Greqisë. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim, ajo e respekton Greqinë si fqinj. Por qasja jonë kur flasim për këtë çështje ka të bëjë me respektimin e të drejtave themelore të çamëve, që ishin shqiptarë me nënshtetësi greke. Çdo debat me karakter diskriminues duhet të hiqet.

Nikos Kotzias: Greqia beson se me deklaratën e Këshillit të Ministrave të 1987-s, ne nuk jemi në luftë. Kjo është e vërtetë. Marrëveshja e miqësisë e ’96-s është po ashtu e vërtetë. Integrimi i shqipërisë në NATO dhe perspektiva për hyrje në BE na bën jo vetëm miq e partnerë. Nëse ekzistojnë dyshime nga pala tjetër në jemi apo jo në gjendje lufte, atëherë kjo do të jetë pjesë e diskutimeve dhe besoj se do të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje. Sa për çështjen çame, ne e dimë që ka një popullësi çame që jeton në Shqipëri dhe ne urojmë që edhe ata të përfitojnë nga integrimi, por janë edhe disa çamë të myslimanizuar që janë shtetas grekë.