Muzika etnofolk e popujve ballkanikë, në koncertin e Ansamblit Kombëtar

294

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore nesër do të përcjellë në skenë një koncert që jo vetëm do të përmbajë krijimtarinë më të mirë popullore shqiptare, por nuk do të mungojë dhe muzikë nga popuj të tjerë ballkanikë. Ky koncert bëhet i mundur falë dhe violinistit Zeqir Sulkuqi, i njohur dhe për punën e tij pranë ansamblit popullor “Isuf Myzyri”. Violinisti është rikthyer tek publiku shqiptar pas më shumë se dy dekadash në emigrim, për të interpretuar në skenë  melodi cigane ballkanase. “Janë motive, melodi, valle, këngë që i kam marrë nga mbartës dhe luhen për herë të parë në këtë skenë, por kam marr edhe natyrën cigane. Trajtimi solistik i partit violinez është trajtuar nga unë”, tregon Zeqir Sulkuqi, violinist. Në koncertin me titull “Nga viset e Arbrit tek miqtë e Ballkanit” do të interpretojnë edhe solistët valltarë dhe instrumentistë të ansamblit, si dhe të ftuar do të jenë edhe këngëtarët Kastriot Tusha dhe Enkelejda Zepishta. Meloditë, këngët dhe vallet me motive nga disa kombe të rajonit janë mbledhur prej vitesh nga violinisti shqiptar dhe vijnë të orkestruara dhe si pjesë të plota muzikore. “Këshilluar nëpërmjet kulturës së vet profesionale dhe është përafruar në përmasat emocionale artistike, që këto pjesë më vonë të kthehen në gravura muzikore, në pjesë, në porpocione të plotë instrumentale, ku në secilën pjesë ta thotë fjalën e vet dhe të sjellë një mesazh të bukur artistik”, pohon Klement Marku, orkestrues. Me shumë rëndësi është dhe koreografia që po përgatitet nga koreografi i njohur Artan Ibërshimi. Ky koncert i ka rezervuar koreografisë tre numra dhe sipas koreografit, është munduar që këta tre numra të përfaqësojnë një filozofi artistike dhe estetike. Një numër ka të bëjë me një suitë Ballkanike që në brendi të saj ka pesë numra koreografikë. Përfaqësohet me valle nga malësia e Elbasanit, nga një valle greke, një valle bullgare dhe përfundohet me një valle kosovare. “Tendenca e kësaj krijimtarie është integrimi i shoqërisë shqiptare dhe gjithë botës intelektuale shqiptare në kushtet e sotme. Koreografia, arti të japi një vokacion dhe të ndihmojë shoqërinë e sotme në këtë përparim, pohon koreografi Ibërshimi, i cili prej disa ditësh po punon me valltarët.