Na duhet një Byro që të hetojë draftin e Byrosë!

516

ilva portretIlva TARE / Debati politik i ditëve të fundit mbi draftin e dakortësuar mes maxhorancës dhe opozitës, me ndërmjetësimin e amerikanëve, që thuhet se është firmosur me shkrim apo mund të jetë miratuar me gojë, është vetëm episodi i radhës i komedisë që po shoqëron një nga reformat më serioze në vend. Si zakonisht politika nuk po i zhgënjen qytetarët shqiptarë as këtë herë. Duke vënë interesat e saj përpara atyre kombëtare palët janë përfshirë në një betejë qesharake ku flitet për drafte dhe variante të ndryshme të byrosë së hetimit kombëtar.
Kryeministri Rama për aryse që nuk i ka shpjeguar ende vendosi t’i dorëzohet “presionit” të opozitës së Bashës, për ta miratuar një orë e më parë draftin e dakortësuar me ambasadën amerikane, për ngrijten e strukturës së hetimit të zyrtarëve të lartë. Kështu, qeveria të mërkurën miratoi një projektligj që sanksionon byronë si pjesë të policisë së shtetit dhe i jep të drejtën Ministrit të Brendshëm të zgjedhë drejtuesin. Sipas Ramës ky është drafti për të cilin opozita këmbëngulte të miratohej, pavarësisht hezimit të maxhorancës për të pritur rekomandimet e Marsit të Venecias.
Kur qeveria në mënyrë të beftë ndërroi mendim dhe e votoi variantin e ministrit Tahiri dhe OPDAT, edhe pse kishte pasur një opinion të gjatë kundërshtues për shkak të antikushtetuesmërisë në lidhje me varësinë nga policia, opozita u tërhoq nga zelli për ta votuar. Argumenti kryesor i Kryetarit të Partisë Demokratike është se drafti I miratuar nga këshilli i ministrave nuk është ai për të cilin Basha ka dhënë pëlqimin përmes amerikanëve që janë pala e tretë e përfshirë në negociata. Por maxhoranca këmbëgul se drafti është i njëjti dhe nuk ka pësuar asnjë ndryshim.
Edhe aleati i koalicionit LSI, ka mbajtur publikisht një qëndrim parimor në mbështetje të projektligjit të byrosë së hetimit, madje në përpjekje për t’iu kundërvënë analistëve që e rendisin në llogoren kundër të ashtëquajturës FBI shqiptare, shpreh po të njëjtin ngazëllim që PD kishte përpara miratimit në qeveri në favor të miratimit të draftit në një kohë sa më të shpejtë.
Sikur të mos mjaftonte fatkeqësia e mungesës së pjekurisë së klasës politike shqiptare që ka në dorë vendimarrjen në kohë të vështira dhe sfiduese sic janë reformat integruese, në pozicion të vështirë janë vendosur edhe partnerët ndërkombëtarë, që janë ndjerë të detyruar të marrin përsipër më shumë nga c’duhet dhe më tepër nga sa u takon, me qëllimin e mirë për të ndërmjetësuar një dialog të pamundur politik në këtë vend. E sigurtë është që njëra nga të tre palët po gënjen. Drafti ose është i njëjti ose ka ndryshuar dhe këtë e dinë të tre protagonistët e shakasë aspak për të qeshur me fatin e byrosë.
Demaskimi në publik i gënjeshtarit është një shërbim i vlefshëm ndaj qytetarëve shqiptarë dhe duhet bërë me qëllim dhënien fund të lojërave politike me një strukturë aq të rëndësishme sa byroja. Përndryshe, do të na duhet të nisim nga e para negociatat për të ngritur një byro që të hetojë për gjetjen e draftit që do të shënonte lindjen e FBI-së shqiptare, në mënyrën më shqiptare të mundshme.
rama-2
(Marrë nga Java News)