Nëna ime të lutem mos vdis këtë javë!

264

Këto janë lutjet e shumë emigrantëve tanë, të cilët në pamundësi për të shkuar në atdhe, brenda shpirtit të tyre kërkojnë Zotit, që të mos u vdesin prindërit . Një lutje me shprese se do vejë në vesh të Zotit, pasi Greqia me ligjet e saj antidemokratike të emigracionit u kthyhe përsëri në periudhën më të errët të emigracionit të viteve 1992-1997, periudha më e errët dhe më e tmershmja e emigracionit shqiptar në këtë vend. E themi këtë pasi pjesa më e mirë e shqiptarëve me ligjet e nxjerra për emigracionin janë të izoluar plotësisht, aq sa nuk mund të shkojnë në atdheun e tyre në vdekjet e prindërve, për të bërë adetin, t’i hedhin një grusht dhe mbi varr.

Qeveria Samaras për çështje politike dhe për të ushtruar presion po i përcjell vendit tonë mesazhet e njohura, duke përdorur emigracionin shqiptar “Koka Turku”. Lidhur me këto vdekje në Athinë janë hapur 3 zyra funerale, por në biseda me ta ndigjon probleme nga më të ndryshme që nuk i përmban dot më llogjika njerëzore. Shumë emigrantë na njoftojnë se nuk kanë pasur mundësi për të shkuar e varrosur të afermit e tyre, pasi me atë kartë që u ka dhënë qeveria greke (Veveosi) janë të ligjshëm vetëm për të paguar haraçe (taksë)si në kohën e turkut, paguajnë pllakat e trotuareve që ndodhen para pallatit, paguajnë taksë vjetore për shtëpinë që kanë blerë, me një vlerë baras kjo sa tre pagesa mujore etj.

Shumë emigrantë të indinjuar u janë drejtuar ambasadorit shqiptar në Athinë, si dhe konsullatave të tjera shqiptare, për të cilat ky problem nuk varet në duart e tyre. Por ja që sot në 2012 emigrantët tanë pas 22 vjetësh emigrimi të ligjshëm nuk mund të shkojnë për të varrosur prindërit e tyre, pasi nuk kanë plotësuar numrin e 200 ensimave të kërkuara për të rinovuar dokumentat. Kjo ndodh në Greqi, ndërsa në vendet e tjera të rruzullit tokësor ky problem do dukej qesharak, pasi praktika ka treguar që emigranti mund të behej edhe President si Barak Obama. Nëna ime të lutem mos vdis këtë javë …

Shpëtim Zinxhiria