Nuk shkohet në Europë me mashtrime dhe abuzime

279

Para disa ditësh ndodhi një grabitje (midis qindrave që ndodhin përditë në USA…) u bë një vjedhje  ordinere, ku mes të tjerash u vodhën edhe një palë tanga, të cilat edhe të florinjta të kenë qenë, nuk besoj se vlera e tyre do ja vlente për gjithë atë mediatizim që iu bë, që dhe po i bëhet në Shqipëri dhe jashtë saj. Për atë vjedhje ordinere flasin të gjithë i madh e i vogël, flasin për të njerëz të ndershëm dhe hajdutë, qytetarë dhe politikanë, punëtorë dhe nënpunësa apo (drejtorë…) të papunë dhe biznesmenë. Flasin lypësa dhe sidomos zyrtarë të lartë, flasin studentë dhe profesorë. A thua se është vjedhja e shekullit?! A thua se ka vite që nuk janë vjedhur tanga të kasaj natyre në këtë planet?! Mirëpo ja, jo gjithçka ndodh dhe zhvillohet sipas dëshirës apo pikëpamjes sonë. Sidomos jo përputhshëm, madje as tangetshëm  dëshirës sonë. Eh, ku dëshira  jonë e ku realiteti…?!

Ndërkaq, gjithë këto kohët e fundit në gjithë botën e medias shqiptare ka zenë vend qendror denoncimi i të ardhurave miljardëshe të fëmijëve të kryeministrit! 1miliard e 34 milionë kanë qenë të “korrat” e tyre për vitin që sapo lamë pas. Një shifër  kolosale për një vend dhe ekonomi të dobët dhe të pazhvilluar si ajo shqiptare. Sado që ka rreth një muaj mediatizimi i kësaj pasurie kolosale, as qeveria dhe as enturazhi rreth dhe prapa saj nuk e përcjell jehonën e saj. Mirëpo këto akuza nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje as nga kryeministri e as nga fëmijët e tij. Ka pasur në vazhdim një serial të gjatë shantazhi me kundër-akuza, si në filmat aksion   Hollivoudianë. Rasti i vjedhjes në USA të aktivistit të PS, ka ngritur si një magmë e lartë vullkanike sidomos nga fëmijët e kryeministrit. Por, histeria nuk ndalon këtu. Zëdhënësia emisarë si dhe gjithë establishmenti i propagandës së qeverisë është në mësymje kundër vjedhjes. Një vjedhje vërtet e turpshme  në Amerikë.Vë re me keqardhje se fakti që dikush vjedh, anashkalohet të qortohet dhe të tregohet me gisht, si një gjest i ulët shoqëror, fillon të gjykohet politikisht. A thua se po të mos ishte pjesëmarrës i ndonjë programi partie protagonisti/ja, nuk do kishim ndonjë dëm shoqëror a moral si shoqëri, si popull e si shtet…!Po kështu sillen edhe një pjesë gazetarësh e analistësh, që njëherë thonë se pranojnë : prezumimin e pafajësisë, por dhe sikur të mos e kishin thënë hiç këtë vazhdojnë e gjykojnë, anshmërish, politikisht…! Nejse…përvete e shoh si kërcënues fenomenin  vjedhje – Po…po, po shtohen duart dhe supet që e ngrejnë lart “shtatoren e saj’”. Vë re plot trishtim se këto duar dhe supe janë nga ato që mbulohen me gravata dhe kostume, ndryshe nga ato të përditshmet që stolisen thjesht, me zhele (ndonjëherë kur thotë spikerja e parlamentit). Problemi më thelbësor besoj se është gjesti më i ulët, vepra penale, vjedhja, qoftë një apo 300 euro, kjo ska rëndësi.Veprimi është shumë i turpshëm. (jo thjesht për artikullin që u bë objekt i grabitjes) Si ka mundësi që fenomeni vjedhja, nuk kryhet vetëm nga shqiptarë të thjeshtë, nga njerëz pa formim, keqbërës të rëndomtë, xhepistë nga shtresa shoqërore të lëna pas dore, pra ajo u bëka edhe nga intelektualë, njerëz të artit, ekonomisë, sportit, politikës, akademikë madje..etj…?!

Kjo më shqetëson jashtëzakonisht dhe besoj se jo vetëm mua…! Të paktën kisha besuar se inteligjenca nga që përbën në pjesën më të madhe elitën e një vendi, ka një formim e nivel tjetër kulturor, ka moral, ka dinjitet dhe si kudo nëpër botë krijon dhe merr në mbrojtje e përcjell normat e larta të moralit dhe virtytit shoqëror e kombëtar të një vendi. Është logjikisht edhe  pjesa shoqërore më armike e vjedhjes dhe dukurive e veseve negative të tjera shoqërore. Prisja që inteligjenca, akademikët të na e zbardhnin faqen dhe ngrinin krenarinë me vepra dhe punë që i vlerëson bota, qytetërimi, kultura, progresi, zhvillimi. Kisha shpresë se nga inteligjenca kudo nëpër botë do dëgjoja vlerësime pozitive për të, duke na e ndriçuar sadopak atë emrin dhe namin e zi që kemi nëpër botë si hajdutë dhe trafikantë, si njerëz mafiozë dhe të dhunshëm si barbarë, por dhe keqbërës…!  Por,ndodhi të na e errësonin edhe më shumë emrin si rasti i këtij çifti në USA. Tani le të bëjnë shown me rastin flagrant si, PS, ku reagimi i saj ishte plotësisht moral. Ajo u distancua prej rastit negativ të aktivistit të saj. Ndërsa nuk veproi  ashtu  për fat të keq edhe PD. (Këtë reagim të PD nuk e kuptoj…! Çfarë vlerëson më tepër k jo parti: Moralin e pastër shoqëror, emrin e mirë të atdhetarëve e atdheut nëpër botë, apo kapitalin politik e partiak…?! Në qoftë kjo e fundit për të do ishte më e ndershme të heshtëte. Por ajo nuk zgjodhi të heshtë atëherë kur duhej, por zgjodhi të flasë. Pikërisht atëherë që s’duhej ta bënte. Nuk dua t’i referohem shumë rasteve, jo se më mungojnë ato, por se dua t’i balancojë përafërsisht faktet që do ofroj. Së fundi ishte një listë që u publikua nga zyra e Tatim Taksave, një dikaster madje, institucioni më me peshë në vend, e cila i referohej shkeljes së ligjit nga disa qytetarë shqiptarë, por me poste të larta në administratën shtetërore. Madje kryesonte me presidentin, kryetarin e parlamentit, ministrat e transportit, bujqësisë, blektorisë.etj.  Këtë javë të fundit kishim një betejë të fortë politike mes dy partive kryesore pozitë-opozitë. Qeveria e mediatizoi aq shumë rastin e flagrancës në vjedhje në një qendër tregtare në USA, të aktivistit të PS. (bërësit të programit të saj ekonomik) a thua se me këtë denoncim ajo i shpëtoi vendit miliarda  vlera monetare, ndërkohë që autoritetet e lartpërmendura prej vitesh nuk paguajnë taksat për makinat e tyre personale.  Ndërsa publikohej lista nga drejtoria e tatimeve, shfaqet ministri i transporteve dhe kërkon ndjesë publike se gjoja “njerëzisht” paska harruar të paguajë detyrimet në shtet, si gjithë qytetarët për makinën që ka në pronësi. Po të ishte një qytetar i thjeshtë. (e di se nuk mungojnë dhe të tillë, që s’paguajnë.) por këta përballen me ashpërsinë e ligjit dhe brutalitetin e Maliqit, në rastin më të parë…

Si është e mundur të harroni ju, z.ministër…?! Po kur merrni rrogën e majme, a nuk ju shkon ndërmend se keni dhe ndonjë detyrim për të paguar në këtë shtet, që doni ta çoni në Europë..?! Jam kurioz të di (megjithëse e di se s’ka kohë të merret me mua, ministri Olldashi) Si e shpenzoni rrogën mujore ju…?! Nuk është e vërtet se harruat të paguani…?! Nëse e bëni ju, çfarë prisni që të bëjnë qytetarët, të papunët, ata që nxjerrin muajin me lista ose me ditë të numëruara pune. Ata që e shkojnë pjesën më të madhe të ditës nëpër plehra dhe nëpër vende publike, që të nxjerrin  me një mijë mundime bukën e përditshme?! Pagesa e taksave nuk është njësoj si të harrosh çelësat e makinës në shtëpi…!Është vjedhje (edhe  abuzimi vjedhje quhet…) dhe jo harresë z.ministër! E dimë të gjithë këtë gjë! U kujtua edhe ky ministër të prononcohej për grabitjen ordinere të 300 $ që bëri njeriu i PS në Kalifornia. Por, harroi të paguante 100$ në zyrat e tatimeve ngjitur me ministrinë e transporteve. Urgjentisht ky ministër duhet të japë dorëheqjen, që të bindemi se PD dhe qeveria kanë vërtet moral transparencën, si dhe luftën ndaj informalitetit e evazionit fiskal…! Nuk shkohet në Europë me mashtrime dhe abuzime….Ikni zoti ministër, se vajtët dhjetë vjet që ju paguajnë shqiptarët sa  “frëngu pulën” dhe ju nuk mësuat as ‘’A’’ e rregullave dhe ligjeve të shtetit. Jepni njëherë të vetme shembullin tuaj personal, se vërtet punët do ndryshojnë ndonjëherë, pastaj hajdeni dhe na bëni moral për shqiptarët që vjedhin nëpër botë. Praktikisht ministri ka dhënë shembullin më të keq, prandaj edhe realisht nuk duhet që as ai vetë, por as partia e tij që qeveris me “duart të pista” këtë vend nuk duhet të flasin për të tjerët më parë se të lehtësohen nga mëkatet që ju kanë zënë frymën këtu e vite të shkuara. Çuditërisht edhe sot po bëni të njëjtën gjë: Po flisni “Alla- shqiptarçe” zotërinjë qeveritarë dhe gjithë larot e servilat rreth pushtetit…!

 Agim Basha