Parllaku, Ramës: Kur u ngrihet kuksianëve…

Kryesore Opinion

Azem Parllaku /  Ndërsa në Kukës janë kryer arrestime, në masë, në errësirë, dhe në heshtje të plotë, udhëheqësi i ndritur i shqiptarëve, i krahasueshëm vetëm me figurën e Skëndërbeut, pasi ka ndërruar çitjanet që i mbushi dje nga nga protestat në Rrugën e Kombit, sot me rastin e ditës së gënjeshtrave nga ERTV-ja e tij, Edi Rama thotë se i është dukur e lartë pagesa e “Rrugës së Kombit”, kur është njohur fillimisht me të, e ndërkohë ka përjashtuar mundësinë që të hiqet kjo pagesë. “Timonieri” që ka rrëmbyer e po e shqyen i vetëm “tepsinë” e Shqipërisë, stërbetohet se po punon për begatinë e kombit, por është i detyruar që ta vjedhë, e t’a marrë çdo qindarkë nga xhepi popullit të tij, dhe t’ia japë ato oligarkisë së majtë dhe të djathtë.

Nëse Rruga e Kombit realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro. Kjo shumë prej 13 milionë eurosh paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore, shtetas nga Kosova dhe biznese që tranzitojnë e eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro. Pagesa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën.

Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve. Lind pyetja! z.Kryeministër, ku i çon lekët e rrugëve që nuk i shpenzon për mirëmbajtjen e tyre? Me siguri lekët e taksave për mirëmbajtjen e rrugëve qeveria jote e votuar vetëm nga 20% e shqiptarëve i çon për konçesione dhe mirëmbajtjen e rrugëve i’a jep privatit, i cili vendosë tarifa shtesë 5-22.5 euro për çdo makinë. z.Kryeministër, kuksianët, hasianët, malësorët e Gjakovës, shqiptarët e Kosovës, dhe të gjithë Shqipërisë, nuk do të lejojnë më t’u vendosësh në qafë gjithë kusarët e kriminelët. Teprimi me zullumin t’a dha një përgjigje popullore në Kukës.

Një leksion jo vetëm për Ju, por edhe për Bashën dhe Kryemadhin e taborin e tyre, që po përpiqen të përfitojnë politikisht nga protesta qytetare e kuksianëve. Terrori shtetëror nuk i ndal dot qytetarët e lirë të kërkojnë të drejtat dhe dinjitetin që meritojnë. Sot, Kryeprokurorja nuk duhet të kërcënojë popullin, por të rihapë hetimet për dyshen Berisha-Basha, të cilët zhvatën 500 milion euro nga ndërtimi i “Rrugës së Kombit”, gjithashtu me të njëjtën forcë të hetohet edhe kabineti Rama-Meta që miratoi këtë tarifë dhe e dhanë me koncesion abuziv.