Partizani – Tirana, historia përballë…

853

bashkimi ne profilBashkim TUFA /  Sot, në orën 18:00, në fushën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, zbret në fushë historia… Për javën e 24-t të Kampionatit 77-të Kombëtar, në të do të ndeshen Partizani – Tirana, dy skuadra legjendë, të cilat mbartin në vetvete edhe një pjesë të konsiderueshme të historisë së futbollit shqiptar.

Partizani: 15 herë kampion i vendit dhe 15 herë fitues i Kupës së Shqipërisë, ndërsa Tirana: 24 herë kampionë dhe 15 herë fitues të Kupës së Shqipërisë. Përpos diktatit të trofeve, “të kuqtë” e kryqeqytetit ishin baza e kuqezinjve të Kombëtares, stafetë të cilën “bardheblutë” pas viteve ’80 të shekullit të kaluar e bënë pronë të tyre…

Ndeshja e parë e këtij kampionati, ajo e javës së 6-të (03.10.15) luajtur në “Qemal Stafa”, ka përfunduar me fitoren 1-0 të Partizanit, ndërsa ajo e javës së 15-të (07.12.15) për fazën e dytë, luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” është mbyllur 0-0. Kjo është ndeshja e tretë, ndërkohë që kanë për t’u përballur sërish, në javën e 33-të, më 30 prill.

Takimi i sotëm Partizani – Tirana, është derbi i kryeqytetit nr.145, në historinë 69-vjeçare të përballjeve midis tyre.

Shifrat e deritanishme flasin në favor të “të kuqve”, të cilët kanë fituar 61 ndeshje, barazuar 45 dhe humbur 38 me golaverazhin 223-156.

Por statistikat e historisë 69-vjeçare të përballjeve midis të tyre, të analizuara pas ndryshimeve të sistemeve politike, pra pas viteve ’91, në këto 25 vite të sistemit demokratik, flasin për bardheblutë e Tiranës.

Ata kanë fituar 24 ndeshje, barazuar 16 dhe humbur 13, me golaverazhin 65-49, duke fituar 10 fituj të kampionit, si dhe 8 Kupa të Shqipërisë, ndërkohë që të kuqtë e Partizanit kanë arritur të shpallen 1 herë kampionë dhe të fitojnë 3 Kupa të Shqipërisë.

Sidoqoftë, shifra në përballjet Partizani -Tirana, prej kohësh e kanë humbur vlerën e tyre. Fitorja e derbit, për tifozët e të dy kampeve, është e barazvlefshme me “titullin”. Ajo është provë force dhe kënaqësie festive, ndaj le ta shijojmë atë sonte…

Kjo edhe pavarësisht faktit, se që pas 2010-tës, si Partizani dhe Tirana, janë në kërkim të identitetit të tyre historik të humbur, identitet për të cilin ka mjaft nevojë futbolli shqiptar…

tirana ne focus-2