Pas 23 qershorit Shqipëria, jo më e ndarë si sot.

493

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi sot një takim më strukturat e LSI-së së Qarkut Lezhë. Ky takim në të cilin Lideri i LSI-së ishte i shoqëruar nga kryetari i LSI-së së Lezhës, njëherazi kryetari i baskisë, Viktor Tushaj, ishte i pari pas vendimit të LSI-së për koalicion me Partinë Socialiste dhe shënoi hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit në këtë qark. Në fjalën e tij z. Meta i falënderoi të gjithë të pranishmit për solidaritetin dhe mbështetjen lidhur me vendimin e LSI-së për koalicion me PS-në dhe opozitën e bashkuar.
Ai tha se ky është një koalicion që i shërben të gjithë vendit, të ardhmes së tij evropiane. “Nuk është një koalicion me PS-në kundër PD-së, është një koalicion për ndryshimin e Shqipërisë. Është një koalicion edhe për t’i hapur rrugën ndryshimeve në PD. Sepse për fat të keq, pavarësisht nga përpjekjet tona aktive konstruktive, gjatë këtyre katër viteve bashkëpunimi dhe bashkëqeverisjeje me PD-në, rezultoi se ishte kthyer në një problem shqetësues përqendrimi i pushteteve dhe i drejtimit të shumë institucioneve nga kjo forcë politike. Këtë gjë e vëmë re edhe ditët e fundit ku shohim një degradim të gjuhës politike të komunikimit në publik, një mungesë qytetarie, edhe në parlament apo edhe në mesazhe të tjera publike nga përfaqësuesit më të lartë të kësaj force politike. Nuk është kjo kultura e cila ndihmon politikën shqiptare që të përmbushë ato përgjegjësi që duhen për të arritur ato standarde evropiane”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Sipas tij LSI synon që më 24 qershor Shqipëria të mos jetë më e ndarë siç është sot. “Ndaj e kam thënë edhe më përpara që ne nuk synojmë të bashkojmë nëpërmjet këtij koalicioni të gjithë socialistët, të gjithë të majtët, të gjithë opozitarët në Shqipëri. Ne synojmë diçka më të madhe dhe do ta arrijmë këtë. Më 24 qershor Shqipëria nuk do të jetë kaq e ndarë sa është sot. Ne duam që më 24 qershor shqiptarët të mos ndihen të përçarë dhe të mos ndihen armiqësorë ndaj njëri-tjetrit siç për fat të keq ndihen sot. Dhe të jeni të sigurt se më 24 qershor nuk do të ketë triumfalizëm pavarësisht nga fitorja plebishitare e opozitës së bashkuar, por do të ketë marrje përgjegjësish dhe do të ketë bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë me Presidentin e Republikës dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të tjera, me qëllim që të përmirësojmë standardet e të gjitha institucioneve në Shqipëri.
Edhe demokratët do të ndihen të përfaqësuar në të gjithë jetën institucionale pas 23 qershorit, që nga presidenti edhe të gjithë institucionet e tjera për të cilat ata kanë dhënë votën dhe mbështetjen e tyre gjatë këtyre katër viteve apo tetë viteve. Dhe bashkëpunimi që kërkon Evropa do të jetë një bashkëpunim objektiv, pra jo një bashkëpunim që varet nga humoret dhe nga kultura e një pale, por një bashkëpunim i imponuar nga rrethana objektive dhe unë jam i bindur që do të çlirohen energji shumë pozitive”, vijoi ai.
Lidhur me zhvillimet më të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shprehu keqardhjen më të thellë për faktin se lidershipi i PD-së nuk po arrin të ngrihet në përgjegjësinë që kërkon koha dhe momenti por edhe nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura nga e kaluara. Ai dënoi edhe manipulimin që “Podesta” bëri me deklaratën e Drejtorit të Departamentit të Shtetit.
“Jo vetëm që ndodhi një dhunim i hapur i Kushtetutës dhe i kodit në parlament, në kundërshtim edhe me opinionin e komunitetit ndërkombëtar por, sikurse mund ta keni ndjekur këto ditë, kompania lobuese e qeverisë, për të cilën paguhen qindra-mijëra dhe miliona dollarë, e cila paguhet me taksat e të gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht anëtarëve të PD-së, arriti të censurojë dhe të manipulojë edhe deklaratën e Drejtorit të Departamentit të Shtetit, i cili kritikonte këtë akt që kishte ndodhur me KQZ-në. Është një gabim i madh për lidershipin e Partisë Demokratike që mendon se në mënyra dhe forma të tilla do të mundet të rehabilitojë një veprim të dhunshëm, i cili u jep një përgjegjësi të jashtëzakonshme, jo për rezultatin e zgjedhjeve se rezultati është i vendosur që sot dhe ai është një rezultat spektakolar në favor të opozitës së bashkuar, por për standardin e zgjedhjeve se standardi do të ngelet aty”, tha z. Meta.

Sipas tij është e vërtetë që kompania “Podesta” manipuloi deklaratën e Drejtorit të Departamentit të Shtetit për KQZ-së por është po kaq e vërtetë që dje në mbrëmje raporti më i fundit për të drejtat e njeriut i Departamentit Amerikan të Shtetit kritikonte ashpër dhe qartazi KQZ-në si thellësisht politike dhe që ka minuar besimin tek qytetarët shqiptarë tek vota e lirë ashtu sikurse shprehej, po në mënyrë të qartë, se përqendrimi i pushteteve në duart e një partie të vetme po gërryen besimin tek demokracia. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se të gjitha këto konfirmojnë edhe një herë drejtësinë e vendimeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Tregojnë dhe një herë se Shqipëria nuk do të kthehet pas, pavarësisht se ata që kanë përgjegjësinë më të madhe për zgjedhjet, edhe në shenjë hakmarrjeje për humbjen e pushtetit, duan t’i lënë vendit një damkë të pamerituar. Opozita jo vetëm që nuk ka ndërmend që t’i bojkotojë zgjedhjet, këtë gjë ta harrojë i pari Berisha dhe gjithë të tjerët, jo vetëm që nuk kërkon t’i shtyjë zgjedhjet, përkundrazi opozita kërkon t’i afrojë zgjedhjet sepse duke qenë e bindur jo vetëm në fitoren e saj por edhe duke qenë e bindur se ky degradim i cili po ndodh në progresion gjeometrit çdo ditë dhe çdo orë në ditët dhe në orët e fundit i qeverisjes aktuale duhet të marrë fund një orë e më parë në mënyrë që vendi ta ndahet me sa më pak kosto dhe dëme nga një mazhorancë që ka humbur kontrollin, ka humbur vetëpërmbajtjen, kam humbur qytetarinë dhe nuk mund t’i ofrojë vendit në asnjë mënyrë një perspektivë evropiane sepse në themel të një perspektive evropiane qëndron bashkëpunimi. Ajo që e ka penalizuar Shqipërinë është mungesa e bashkëpunimit dhe kur kjo frymë tepër jo qytetare, madje edhe primitive, vjen nga mazhoranca kuptohet se ambienti për një bashkëpunim normal në interes të vendit është tërësisht i kontaminuar”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Z. Meta deklaroi se LSI do të angazhohet edhe më shumë në mënyrë që suksesi i 23 qershorit të jetë i jashtëzakonshëm. “Do të bëjmë më të mirën në mënyrë që vota e çdo qytetari të numërohet me drejtësi dhe me ndershmëri. Do të bëjmë gjithçka për të përmirësuar standardin e zgjedhjeve përmes gjithë instrumenteve dhe kapaciteteve që ne do të mobilizojmë si opozitë e bashkuar. Turpi për prishjen e standardeve do tu ngelet atyre që e bënë këtë gjë në sytë e gjithë shqiptarëve dhe në sytë e gjithë ndërkombëtarëve, por absolutisht që kjo nuk do të thotë se ne pas 23 qershorit do të sillemi në të njëjtën mënyrë primitive, do të ndërpresim mandatet e institucioneve të zgjedhura.

Ne premtojmë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që shikon nga e ardhmja, një Shqipëri që shikon nga ndërtimi i shteti ligjor, nga balancimi i pushteteve, nga një demokraci i shëndetshme dhe funksionale, dhe një Shqipëri e cila ka akumuluar mjaft probleme ekonomike, të cilat do të adresohen me një përkushtim dhe me një energji të re në mënyrë që vendi të ecë më shpejt përpara, në mënyrë që edhe Lezha të ecë më shpejt përpara”, tha ai.

Duke përfunduar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i falënderoi të gjithë të pranishmit për angazhimin dhe për mbështetjen. Ai u shpreh i bindur në një sukses të jashtëzakonshëm të zgjedhjeve të 23 qershorit. “Edhe këtu në Qarkun e Lezhës ne kemi drejtuar për shumë vite Bashkinë e Lezhës dhe vazhdojmë ta drejtojmë pavarësisht në fakt se ajo nuk ka pasur atë mbështetje që duhet të kishte nga ana e qeverisë. Megjithatë ndryshimet kanë qenë të mëdha dhe pas 23 qershorit edhe Lezha si bashki dhe si qytet do të jetë një nga modelet kryesore të një qyteti ku do tregohet kujdesi dhe vëmendja maksimale, në mënyrë që të vazhdojë të jetë një shembull, një performancë e shkëlqyer dhe i zgjidhjes së problemeve më të rëndësishme që kanë qytetarët. Ju falënderoj për vëmendjen dhe për mbështetjen por edhe për angazhimin për të ardhmen. E di që nuk po duroni dot këto dy muaj por absolutisht ne jemi gati, në qoftë se doktori pranon, që zgjedhjet të bëhen që në 23 prill”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar me strukturat e LSI-së në Qarkun Lezhës, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.