Paskal Milo: Rama, projekt për asgjësimin e së majtës

93

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo e konsideron të frikshme fitoren e PS-së në zgjedhjet e 25 qershorit. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ish-bashkëpunëtori i Ramës, thotë se me fitoren e thellë të PS-së dhe me një kryeministër i gjithëpushtetshëm ekziston rreziku i vendosjes së një pushteti personal të tij.

Si e konsideroni fitoren e Partisë Socialiste? U bë një fushatë me dështime dhe sulme për kanabisin dhe krimin por populli i besoi Ramës 74 mandate, e bëri timonierin e vetëm siç e kërkoi?

Do ta quaja fitore të frikshme. E konsideroj të tille për shkak se ajo nuk erdhi si rrjedhojë e një ballafaqimi midis premtimeve dhe realizimeve, që normalist në një vend demokratik do të mund të justifikohej në rast se do të kishte një kënaqësi të përgjithshme. Kjo fitore erdhi si rezultat i një mobilizimi maksimalist të të gjitha burimeve njerëzore, financiare, legjitime dhe jo të tilla, nga ana e PS-së, erdhi si rrjedhojë e një agresioni të pashembullt mediatik i lidershipit të PS-së, erdhi si rrjedhorja e një shit-blerjeje masive të votës, e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar. Këtë fitore e ndihmoi edhe bujaria e kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës që shkoi dhe nënshkroi një marrëveshje kapitulluese me kryetarin e PS-së, gjë që ç’mobilizoi një pjesë të madhe të elektoratit të djathtë, që nuk shkoi për të votuar dhe ndikoi në fitoren e socialistëve për shkak të uljes drastike të votuesve të djathtë. Kjo fitore i jep mundësi Edi Ramës të përqendrojë të gjithë pushtetin në duar të tij, ashtu siç e ka dëshiruar dhe ëndërruar prej vitesh për të vënë në jetë një platformë personale, që më e pakta do të thosha, një regjim të fortë në një demokraci të dobët.

Si e parashikoni qeverisjen e ardhshme të Ramës në kushtet kur kabineti qeveritar do të jetë vetëm socialist?

Rama ka ide dhe projekte në stilin e tij, në shijen e tij. Dihet tashmë që stili i qeverisjes së Ramës dhe shijet e tij për pushtetin, për qeverisjen dhe për reformat, janë tipike të veçanta që rrjedhin nga konstruksioni i tij psiko analitik, nga formimi i tij profesional, kulturor, qasje e veçantë për nga natyra por jo e veçantë nga rrjedhojat që mund të sjellë. Ka një natyrë të dukshëm të shfaqur, e njohin gati të gjithë, nuk i pëlqejnë alternativat dhe mendimet që shkojnë kundër shijeve të tij për rrjedhojë do të mbajë afër vetes në qeveri, në qeverisje dhe rreth e rrotull ata njerëz që do të kenë shijet e tij, që do të jenë të bindurit e tij të verbër, që nuk do të bëjnë vërejtje.

Këto shijet e kryeministrit siç thatë ju, me pushtet të përqendruar do të sjellin gjëra pozitive për qytetarët?

Qeveritë ose qeverisje me pushtet të përqendruar, e thënë ndryshe autoritariste, kanë mjaft elementë të dobishëm të tipit centralizues në vendimmarrje që bëjnë progres, që nuk krijojnë diferenca të mëdha midis asaj që thuhet dhe asaj që bëhet. Në këtë rast siç ka treguar përvoja botërore por edhe aktuale në disa shtete, kryeministri apo Presidenti në varësi të regjimit, e njëson veten me kombin, me shtetin dhe në momentin që kjo ndodh, siç po bëhet tani edhe në Shqipëri, ekziston rreziku i vendosjes së një regjimi personal, që mund të rrezikojë seriozisht demokracinë shqiptare, të zhduk pluralizmin. Me faktin që në këto zgjedhje pluralizmi mori një goditje shumë të rëndë është një paralajmërim dhe një rrezik serioz për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Shqipërisë.

Mund të ndodh kjo në një kohë që përballë Rama do të ketë një opozitë të fortë PD dhe LSI?

Opozita për nga numri që ka mendohet që mund të jetë e fortë por për nga gjendja në të cilën ndodhet mund të mos rezultojë e tillë. Përse? Opozita nuk është unike, ka dy forca kryesore tashmë opozitare, PD dhe LSI. E para, ndodhet në një amulli thuajse të plotë dhe nuk i dihet fati i saj pas datës 22 korrik kur do të bëhen zgjedhjet për kryetarin. Ajo rrezikon edhe të copëtohet, ajo rrezikon që edhe numrat që ka në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë të mos jenë të bashkuar dhe për rrjedhojë të mos ketë atë forcë dhe atë kohezion që duhet të ketë një opozitë që duhet ta kryejë funksionin e saj. Mund të ndodh edhe e kundërta që me zgjedhjen e kryetarit të PD-së, nëse do të jetë një zgjedhje e besueshme, mund të dalë një Parti Demokratike më e fortë. Kjo mbetet për tu parë. Ndërkohë që LSI-ja me 19 deputetë padyshim që mund të jetë një opozitë e fortë e cila nuk ka rrugë tjetër veç ta kryejë atë mision që ta zhduk mjegullën që është krijuar rreth saj por edhe për t’u përgatitur për betejat e ardhshme elektorale. Por unë jam optimist që nëse PD-ja e kalon pa truma të mëdha zgjedhjen e 22 korrikut, ajo do ta rimarr veten dhe pastaj edhe në bashkëpunim me LSI në Parlament, do të mund të bënin një opozitë shumë të fortë. Madje, parashikoj që PD dhe LSI në opozitën e tyre të përbashkët me kalimin e kohës do të afrohen edhe më shumë me njëratjetrën për të shkuar drejt një koalicioni të përbashkët në zgjedhjet për pushtetin vendor në 2019 dhe për të rrezikuar seriozisht, në mos për të përmbysur pushtetin vendor në bastionet e PS-së, duke filluar nga kryeqyteti. Ky është për mendimin tim një synim strategjik i opozitës së ardhshme shqiptare.

Zgjedhjet në Shqipëri

Në Shqipëri nuk mund të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë klasë politike që vepron. Është si puna e sëmundjes së pashërueshme që e gërryen nga brenda deri sa e vdes. Edhe zgjedhjet në Shqipëri, mënyra si zhvillohen janë një sëmundje e pashërueshme shqiptare që mund të rregullohet vetëm me qilizmin e politikës shqiptare, vetëm me kalimin e brezave që nuk do të marrin me vete sëmundjen e paraardhësve të tyre. Unë kam një vërejtje të madhe ndaj OSBE/ODIHR dhe ndaj të gjitha atyre vëzhguesve turistë që vijnë gjoja për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ata vijnë thjeshtë si njerëz që paguhen për të bërë një shëtitje, për të bërë disa vëzhgime sipërfaqësore, por asnjëherë nuk u kanë hyrë në themele problemeve të mëdha që ka Shqipëria me zgjedhjet. Edhe tani panë vetëm majën e ajsbergut se si u intimiduan zgjedhjet, sesi u presuan njerëzit, se si u shitën dhe si u vodhën votat. Klima në të cilët u zhvilluan zgjedhjet ishte terrorizuese për qytetarët shqiptarë, të cilët kishin frikë të flisnin dhe të shprehnin hapur vullnetin e tyre, kishin frikë të takonin përfaqësues të partive të tjera politike që nuk ishin në qeveri. Në 2013 u premtua se do të kishte një klimë tjetër, do të kishte një Shqipëri tjetër por për fat të keq Shqipëria e 2017- ës është shumë më e keqe se ajo e 2003 dhe Shqipëria e 2017 unë jam skeptik se mund të përmirësohet, të bëhet më e mirë. Ndryshimi i ministrave e kam thënë që kur u arrit marrëveshja Rama -Basha që PD-së iu dhanë me qera 6 kolltuqe ministrore për ta mashtruar sepse ata, jo për faj të tyre, u kthyen në instrumente që nuk patën asnjë ndikim dhe asnjë vlerë, nuk patën asnjë pushtet dhe nuk mund të kontrollonin asgjë sepse mandati i tyre ishte qartësisht i përcaktuar që do të rrinin në zyra dhe asnjë më shumë.

“Rama, projekt për të eliminuar pluralizmin demokratik në Shqipëri”

Mendoni se me vendimin e tij, jo vetëm për të hyrë në koalicion por edhe për të goditur aleatët e tij të deridjeshëm, Rama ka përçarë të majtën?

Ramën duhet ta marrim dhe ta gjykojmë kështu siç është, siç ka qenë dhe siç do të jetë. Kryetari i PS-së është për nga natyra dhe formimi egocentrik dhe ai gjithmonë ka synuar që të gjithë të majtën ta bashkojë rreth vetes së tij, duke qenë i vetmi, i pari dhe pa partnerë politikë. Pra, ai e ka dashur dhe e do të majtën, një të majtë që ka evoluar në konceptim e tij, nga e kuqe në rozë dhe nga rozë në mavi, dhe që nuk ka dashur ta ndajë lidershipin e saj me asnjë tjetër. Kjo ka qenë dilema e tij prej vitesh dhe përpjekja e parë për të zbatuar këtë strategji u bë në prill të vitit 2008 kur ai në bashkëpunim me Berishën bënë një ndryshim të bëftë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor brenda një nate. Ishte vetëm fillimi i një strategjie tepër të qartë për të eliminuar të gjitha segmentet e tjera të së majtës shqiptare dhe për t’i bashkuar ato jo si formacion politik, por si votues rreth vetes së tij dhe Rilindjes. Me këtë agresivitet elektoral që bëri, ai e çoi më tej projektin e vetë për asgjësimin e së majtës, të cilën me sa gjykoj unë ai e quan një koncept të vjetër, një arkaizëm të pluralizmit shqiptar dhe do të përpiqet me ndryshimet e ardhshme Kushtetuese dhe Kodin e ardhshëm Zgjedhor, që ta çojë deri në fund projektin e vetë, pra eliminimin e pluralizimit demokratik në Shqipëri dhe veçanërisht eliminimin e segmenteve të tjera brenda së majtës për ta shkrirë, siç e ka artikuluar shumë qartë gjatë fushatës dhe pas saj, që ai të bëhet lideri i qytetarëve shqiptarë.

Rama dhe Basha kanë parashikuar që ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor ta bëjnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Pra, nëse ju mendoni se Rama do të eliminojë pluralizmin, në këtë projekt e ndihmon dhe Basha?

Lulzim Basha për mua ka për të dalë gjithmonë i humbur nëse do të vazhdojë të bëjë politik siç bëri nga çadra dhe pas çadrës, e thënë shqip Edi Rama e futi në thes Lulzim Bashën dhe kjo është meritë e tij. Tani, sa do të arrijë Basha të dalë nga thesi i Ramës kjo do të shihet në radhë të parë pas garës më 22 korrik. Besoj se do të ketë një ringritje e vështirë e PD-së por në rrugë e sipër, në momente kur qeverisja do të ketë traumat e saj atëherë mundet që edhe PD-ja të rigjallërohet për shkak të alternativave që mund të paraqes. Por unë shoh një politikë tejet të ashpër në parlamentin e ardhshëm shqiptar që do të ketë një opozitë në fillim të diversifikuar, jo të unifikuar, jo kaq të motivuar, të organizuar dhe besoj se në 2019-ën do të kemi një betejë elektorale shumë të fuqishme.

Kreu i PDS: Në zgjedhjet e 2019-ës PD dhe LSI krijojnë koalicion

Ju parashikoni koalicion mes PD dhe LSI-së në zgjedhjet lokale?

Parashikoj një koalicion sepse PSja dhe LSI janë shumë larg me njëra-tjetrën për të mos thënë që janë ndarë përfundimisht për sa kohë që lidershipet e tyre do të kenë këtë tip marrëdhëniesh që kanë sot. Kjo panoramë nuk niset nga keqdashja por niset nga fakti që kemi të bëjmë me një Shqipëri ku shumica e elektoratit shqiptar nuk kanë ndërgjegje politike, niveli i qytetarit shqiptar është shumë herë më i ulët se niveli mestar i qytetarit ballkanik, pale shumë herë më tepër se ai evropian. Shqiptarët janë mësuar të respektojnë të fortin dhe pushtetet e forta, pavarësisht se shtypen e shfrytëzohen, nuk kanë punë, nuk kanë bukë, ky është një tipar karakteristik i shqiptarëve në shekuj dhe ende nuk po arrijnë një mesatare të pranueshme minimale, evropiane për të kuptuar rolin që kanë në shprehjen e vullnetit politik. Është qytetari rural ai që shitet e blihet në mënyrën më skandaloze dhe ata e dinë që vetëm në kohë zgjedhjesh kanë shansin të bëjnë tregti me votën e tyre, me të vetmen pasuri që kanë në dorë. Por duke shitur votën e tyre masive, ashtu siç bën edhe në këto zgjedhje nuk e kuptojnë se në radhë të parë dëmtojnë veten e tyre dhe fëmijët e tyre dhe kthehen në lëndë dhe inerte të pavlerë për këtë vend dhe për këtë shtet. Duke shitur votën ata e kanë humbur të drejtën morale dhe legjitime që të bëhen pjesë e proceseve për katër vjet as nuk mund të kërkojnë, as nuk mund të protestojnë sepse e kanë marrë çmimin me të cilin e kanë shitur ndërgjegjen, integritetin e tyre dhe unitetin e tyre personal.

Pas formimit të parlamentit në shtator, në rast se marrëveshja e arritur mes Ramës dhe Bashës do të qëndrojë janë parashikuar ndryshime Kushtetuese dhe të Kodit. Ju mendoni se duhet ndryshuar ky sistem dhe çfarë pritshmërish keni?

Sistemin unë e kam kundërshtuar që në 2008 dhe e kam votuar kundër dhe këto vite që kanë kaluar më kanë krijuar bindjen e plotë se ishte një nga eksperimentet më të shëmtuara dhe më të dëmshme për Shqipërinë. Por, unë nuk jam i bindur se mund të bëhet diçka më mirë, madje diçka më keq përgatitet që të bëhet për të zhdukur përfundimisht pluralizmin në Shqipëri, për të shkuar drejt krijimit të një sistemi dy partiak me qëllim që të ndërrohen herë pas herë, qoftë edhe në marrëveshje të fshehtë me njëritjetrin për ta sunduar këtë vend dhe këtë popull do të vazhdojë të jetë në këtë nivel të ndërgjegjes politike dhe nuk mendon me kokë por me stomak.