PD hap thasët, paguan 75 mijë dollarë për zgjedhjet një lobist amerikan

Politika

Nga Isuf Kurtaj

Në kohën kur Partia Demokratike ka bojkotuar parlamentin dhe vijon protestën për disa javësh në bulevardin qendror para kryeministrisë, përmes së cilës kërkon një qeveri teknike si garanci për të hyrë në zgjedhjet e 18 qershorit, kreu i saj ka nënshkruar një kontratë me një kompani amerikane për menaxhimin e fushatës zgjedhore. Ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka firmosur në 22 mars të këtij vitit, një kontratë me kompaninë e lobimit “Stonington Strategies” pjesë e “Muzin Capitol Partners”, e cila është e regjistruar në shtetin Maryland të SHBA-ve.

Kontrata që është bërë mes partisë më të madhe opozitare dhe kompanisë amerikane të menaxhimit të fushatave kap vlerën e 25,000 dollarë në muaj dhe do të jetë e vlefshme për tre muaj. Sipas të dhënave të deklaruara nga “Muzin Capital Partners LLC” në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, qëllimi i kësaj kontrate është “projektimi dhe implementimi” i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare; promovimi i qëllimeve të Partisë Demokratike në media dhe pranë bizneseve dhe figurave politike në SHBA. Gjithashtu, “Muzin Capital” raporton se do ta ndihmojë Partinë Demokratike në krijimin e një lëvizjeje konservatore në Shqipëri. E kontaktuar nga BIRN, Partia Demokratike nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi kontratën, burimin e parave si dhe pjesëmarrjen e mundshme në zgjedhje. Kontrata e fundit e lobimit të Partisë Demokratike nuk është një rast i veçuar. Partitë politike shqiptare janë përpjekur në vazhdimësi të ndikojnë mbi qëndrimet e qeverisë amerikane ndaj tyre, duke paguar lobues të kushtueshëm, veçanërisht gjatë periudhave të krizave politike apo periudhave zgjedhore.

Kush e drejton këtë kompani ?

Muzin Capitol Partners LLC është një kompani e themeluar nga Nicolas Muzin, një këshilltar strategjik dhe zëvendës-shef shtabi për senatorin Republikan Ted Cruz gjatë fushatës së tij për President në vitin 2016.  I trajnuar si mjek dhe jurist, Nick Muzin ka punuar gjithashtu si shef stafi i senatorit Tim Scott, kur ky i fundit ishte në pozicionin e kongresmenit. Gjatë vizitës së tij në Uashington në janar, Basha mori pjesë në një pritje të organizuar nga senatori Cruz. “Senatori Cruz ndau me z.Basha idetë dhe praktikat më të mira që ndiqen dhe në SHBA për të luftuar korrupsionin dhe forcuar drejtësinë. Z.Cruz e siguroi z.Basha se do të ketë mbështetjen e tij në projektin për një Shqipëri të drejtë dhe të mundësive për të gjithë,” tha Partia Demokratike në një  njoftim për shtyp mbi vizitën.

“Jurist i shkëlqyer, prokuror dhe avokat i suksesshëm i Shtetit të Teksasit dhe njohës i rrallë i politikave publike, ai më ofroi këshilla interesante për të luftuar korrupsionin dhe forcuar drejtësinë dhe mbështetje për projektin tim për një Shqipëri të drejtë dhe të mundësive për të gjithë,” shkroi Basha në një postim në Facebook me 19 janar. Ndërsa në vizitën e tij të dytë në Uashington në fund të marsit, Basha nuk publikoi axhendë, por deklaroi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se kishte takuar një numër të madh senatorësh dhe kongresmenësh si dhe bashkëpunëtorë të nivelit të lartë të administratës Trump.

“Kemi diskutuar për gjendjen në Shqipëri, për zhvillimet politike dhe impaktin që ka kriza politike dhe në veçanti krimi i organizuar, paratë e drogës dhe influenca e tyre mbi procesin politik në Shqipëri”, pati thënë Basha më 24 mars për Zërin e Amerikës. Muzin Capital Partners LLC nuk është kompania e parë lobuese e kontraktuar nga Partia Demokratike dhe liderët e saj politikë. Gjatë vitit 2016, PD u asistua për një periudhë të shkurtër nga Podesta Group. Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë tregojnë që edhe kompania Podesta Group është regjistruar si lobist i Partisë Demokratike për periudhën 1 mujore nga 15 marsi 2016 në 15 prill 2016, e cila ka përkuar me një tjetër vizitë të Bashës në Uashington.