Për qytetarët që duan të dëgjohen

278

Nga Afrim Krasniqi/

Ka një slogan të njëjtë në Shqipëri kur flitet për shanset e qytetarëve dhe shoqërisë civile për të ndryshuar gjërat, – nuk kanë mekanizma, nuk kanë mundësi dhe nuk kanë fuqi.

Alibia duket perfekte: partitë tona janë të mbi-pushtetshme, ato kontrollojnë të gjithë hapësirën publike dhe vendimmarrëse, qytetarët janë votues të parëndësishëm në një sistem zgjedhor ku vota e atyre administrohet prej partive dhe se nismat individuale nuk kanë ndikim e aftësi të tërheqin vëmendjen e opinionit publik dhe të korrigjojnë vendimet e politikës apo institucioneve. Përvoja e tranzicionit ofron raste të shumta kur kjo alibi ka funksionuar. Individë apo grupe komunitare, shoqata apo lëvizje sociale të ndryshme nuk ia kanë dalë të fitojnë kauza të drejta për të cilat ata kanë luftuar. A mund të ndryshojë ky bilanc dëshpërues reagimi dhe a mundet që alibia e mësipërme të ketë forcën për tu bërë dominuese edhe në të ardhmen?

“Në demokraci ndryshimet e mëdha mund të vijnë edhe nga qytetarët e thjeshtë por me parime dhe kurajë të madhe” është përcaktimi i Tokvil për atë që Çërçill e quante forma më e keqe e qeverisjes përveç të gjitha formave të tjera që janë provuar. Të njëjtat arsyetime vlejnë edhe për Shqipërinë, pavarësisht se baza referuese duket e mënjanuar nga bilanci gri i zhgënjimit. A nuk ishin disa grupe të rinjsh që iniciuan protestat kundër armëve kimike? A nuk ishin disa lëvizje rinore në mesin e viteve 2000 që bënë headline në media me aktet e protestës dhe reagimit kundër korrupsionit? A nuk bëjnë disa emisione televizive më shumë punë denoncuese në skandale sesa vetë policia e prokuroria publike?

A nuk mbetet simbol i admirueshëm qytetari që përdori të vetmin pushtet e pasuri të tij, bagëtinë, për të protestuar në rrugën nacionale duke e bërë problemin e tij headline në media? A nuk vendosën 10 vota mandatin e kryetarit të Bashkisë në Tiranë dhe 1 deri në 5 vota mandatet e më shumë se 12 kryetarëve të bashkive dhe komunave në zgjedhjet lokale 2003 deri 2011? A nuk ishte nisma e një grupi civil që “mundi” në rrugë gjyqësore bashkinë Durrës për projektin abuzues Veliera apo a nuk janë disa të rinj që bëjnë punën e njësive vendore duke pastruar territorin bregdetar në prag të çdo sesioni turistik? Rastet pozitive janë të shumta, pavarësisht se në morinë e lajmeve ditore që marrim, duket se politika qendrore kontrollon gjithçka dhe se shpresat për të sjellë ndryshim pozitiv në këtë vend janë minimale.

Pikërisht me synimin për të nxitur reagimin qytetar, sidomos të qytetarit të harruar në zonat periferike, dhe për të krijuar kulturën e reagimit komunitar në funksion të standardeve më të larta të demokracisë, të transparencës dhe të llogaridhënies, një numër aktorësh ndërkombëtarë janë investuar vitet e fundit në Shqipëri me donacione e mbështetje për qytetarë, grupe komunitare, media e shoqëri civile. Institucione e organizata si USAID, BE, KiE, KAS, FES, etj, apo ambasada perëndimore nga më të rëndësishmet, përfshirë ato amerikane, gjermane, suedeze, holandeze, zvicerane e austriake, janë aktive në këtë drejtim.

 Vitet e fundit projekti më me impakt publik, sidomos  në drejtim të demokracisë funksionale vendore është ai i iniciuar nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe realizuar në partneriteti me partnerë civilë shqiptarë. Veçoria pozitive e nismave të tilla nuk është vetëm prania aktive lokale, ndërgjegjësimi, monitorimi apo sensibilizimi publik, por edhe kalimi nga axhenda e programuar disavjeçare tek modeli i reagimit të shpejtë, mbështetja për nisma emergjente dhe impakti në afat sa më të shkurtër në çështje dhe tematika që kanë sensibilitet të lartë publik. Është ndofta e vetmja ofertë mbështetëse e reagimit të shpejtë për qytetarët, median e shoqërinë civile në Shqipëri. Përmes programit të reagimit të shpejtë  ky projekt mundëson brenda 10 ditëve kalendarike mbështetje për nisma që lidhen me axhenda emergjence, që kërkojnë ndërhyrje e sensibilizim emergjent, etj.

Të gjithë kemi parë vitin e fundit aktivitete sensibilizuese lidhur me ndërtimin e HEC në Valbonë apo aktivitete reaguese për çështje mjedisore, emisione investigative, etj, të cilat janë mbështetur nga programi i ndërhyrjes së shpejtë. Në secilin rast të mbështetjes emergjente, mesazhi është iu qartë: partnerët ndërkombëtarë duan të shohin akte konkrete reagimi, qytetarë kurajozë që kanë sensibilitet dhe aftësi të reagojnë, shoqëri civile që del nga zyrat për të shkuar tek problemi dhe jo e kundërta, komunitete lokale që e kujtojnë se fuqia e tyre është më e madhe sesa e çdo partie që ua merr votat çdo dy apo katër vjet. Pra, ata duan, mbështesin, promovojnë dhe nxisin qytetarë, individë e grupe, të cilat me akte konkrete mund të ndikojnë pozitivisht në axhendat publike, mund të mendojnë përtej interesit të ngushtë ditor apo natyrës pragmatiste të metropoleve, dhe që përmes akteve të vogla por domethënëse, mund të arrijnë që çështjet e nënvleftësuara apo të harruara lokale ti shndërrojnë në çështje të interesit dhe reagimit publik.

A është produkti final gjithnjë pozitiv?

Në demokraci funksionale e drejta është parakusht dhe lufta për të drejtën është proces i gjatë, ku kultura qytetare, sjellja institucionale dhe mekanizmat e garancisë përbëjnë kriteret për arritjen e saj. E njëjta ka nisur të ndodhë dhe me siguri do të vijojë të ndodh më me intensitet edhe vitet e ardhshme në Shqipëri, – një shoqëri, e cila në thelbin e saj më shumë vuan nga kriza e besimit dhe e reagimit qytetar sesa nga kriza e përfaqësimit. Mësimi? Qytetarët kanë nevojë të dëgjohen, por edhe të lëvizin për tu dëgjuar. Ata janë lënda e parë e çdo ndryshimi, reagimi apo mosreagimi i tyre është mekanizmi që përcakton ecjen apo stanjacionin e shoqërisë.

Sot ne kemi politikanë shumë të pushtetshëm, por të përkohshëm, ndaj sfida jonë thelbësore mbetet të krijojmë shoqëri qytetare të përhershme, dhe kështu, edhe të pushtetshme. Imagjinoni sikur individë e komunitete lokale, grupe civile apo mediatike, forume apo nisma të lira qytetare, të të mund të krijonin secili një axhendë në interes publik dhe të përfitonin edhe nga mbështetja të tilla të partnerëve ndërkombëtarë për të mbrojtur kauza të braktisura, por me sensibilitet të lartë! Kjo prognozë ende embrionale do të ishte dita e parë e një Shqipërie dhe shoqërie të re, në të cilat vlerat dominuese do të mund të ishin besimi tek parimet, avokatia ndaj shtetit të së drejtës, përfaqësimi cilësor, si dhe kurajë për qytetari aktive dhe demokraci funksionale qendrore e vendore.