Petrit Vasili: Nëse ka vullnet, zgjedhjet mund të shtyhen

309

Nga Erneta Shevroja

Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet Petrit Vasilit ka hedhur një tjetër alternativë që lidhet me zgjedhjet. Përpos “Qeverisë së Besimit”, LSI-ja duket se e konsideron edhe alternativën e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, në një kohë që palët duket se janë larg njëra-tjetrës për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për t’i dhënë fund krizës politike, që ka nisur për shkak të ngritjes së çadrës së opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili në një intervistë në “News 24” tha se koha është në limitet e saj për përgatitjen e zgjedhjeve me standard demokratike, duke shtuar se nëse ka vullnet politik data që shqiptarët do i drejtohen kutive të votimit, mund të shtyhet. Ministri i LSI-së tha se ka precedentë të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve, duke shtuar se duhet të bëhen sakrifica për zgjedhje të lira. “Sot ne jemi në krizë kohe, ky është fakt. Çdo ditë e humbur është një ditë e çmuar. Nëse ka vullnet politik, çdo gjë mund të ndodhë. Ne kemi ngjarje të tilla. Ne kemi pasur shtyrje zgjedhjesh në vigjiljen e vitit ’91 kur opozita e asaj kohe nuk ishte provuar kurrë në zgjedhje. Nuk e dinte njeri se sa vota kishte. Dhe megjithatë, megjithëse kishte një lider komunist si Ramiz Alia, u detyrua t’i shtynte zgjedhjet për një periudhë kohe të caktuar për të mundësuar t’i mbanim ato. Ne kemi shtyrë me 4 muaj zgjedhjet e 2007-s. Z. Berisha i shtyu atëherë, mbani mend këtu problemin e certifikatave që ishte në fund të fundit një element teknik, por u shtynë”, theksoi Vasili. Kjo është deklarata më e drejtpërdrejtë e një përfaqësuesi të LSI-së mbi mundësitë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve.

3 problemet që cenojnë zgjedhjet

Vasili tha se zgjedhjet janë më të rrezikuara se kurrë. Ai identifikoi tre probleme që mund ta cenonin procesin zgjedhor. Vasili përmendi policinë, paratë e narkotrafikut dhe dekriminalizimin.“Njerëzit me rekorde kriminale, paratë e botës së krimit, paratë që kriminalizojnë procese, paratë që vijnë nga trafiqet e paligjshme, ku në radhë të parë dhe mbi të gjitha është trafiku i drogës, nuk do të jenë ato që bëjnë pis zgjedhjet, dhënia e këtyre garancive, krijimi i këtij besimi do ta shndërronte ditën e zgjedhjeve në një ditë normale si gjithë ditët e tjera. Në rast se këto nuk ndodhin do të ishte dita e mosbesimit të madh dhe sigurisht përgjegjësinë kryesore do ta mbante duam apo nuk duam ne, qeveria”, tha Vasili.

Tryeza e dialogut

Për Petrit Vasilin duket se takimin mes kryeministrit dhe kreut të opozitës e bën të pamundur Rama, për të cilin tha se nuk ka qenë plotësisht i qartë dhe ka përdorur gjuhë konfliktuale. Vasili u shpreh se përgjegjësia kryesore për dështimin e procesit të zgjedhjeve në vend është e qeverisë, ndërsa tha se institucione legjitime të dala nga zgjedhje të njëanshme nuk mund të ketë. “Kam parë që krahas këtyre deklaratave ka pasur edhe të tjera, pjesa tjetër e diskursit ka qenë e ngarkuar me polemikë, ai ka pasion për konfliktualitet që në një situatë të tillë nëna e gjithë të mirave është qetësia. Apeli i parë do ishte vetëpërmbajta dhe i dyti të shihet interesi madhor i vendit. Na duhet të ecim në zgjidhjen politike legjitime, me zgjidhje të njëanshme nuk mund të ketë zgjedhje”, tha ministri i Drejtësisë. Sipas Vasilit, aktualisht ka një krizë të thellë politike, gjë që ka rritur mosbesimin e qytetarëve tek zgjedhjet. “Në këto momente ka krizë besimi të thellë, kjo është evidente, është në tavolinat e politikës, në shtëpitë e qytetarëve. Kemi një rritje të mosbesimit, siç është për zgjedhjet. Se cili është formati që do ngrinte këtë besim, janë të nevojshëm që të bëhen sakrificat e duhura”, pohoi ministri Vasili, duke shtuar se zgjedhjet pa opozitë e çojnë vendin në destabilitet. “Pasi, një sistem jodemokratik, i cili rrëshqet në një anë: autokraci, e cila është paradhoma e diktaturës, bën që të gjitha këto të shuhen dhe praktikisht vendi të zhytet në një drejtim ku nuk do të di ku ta gjejë më veten”, tha ai

Meta apel për dialog: Të gjendet zgjidhja

Kreu i LSI-së, Ilir Meta bëri thirrje dje që palët të gjejnë gjuhën e dialogut dhe t’i japin fund krizës politike. Kryetari Meta tha se duhen bërë hapa që shmangin destabizilimin e vendit.  Këtë apel Meta e ka bërë nga Skrapari. “Është shumë e rëndësishme të gjendet një zgjidhje në ditët që vijnë. Ne do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të ecë në rrugën e stabilitetit, të legjitimitetit të institucioneve dhe të paqes sociale. Të gjithë duam paqen sociale në familjen tonë, në vendin tonë, sepse pa këtë nuk ka as siguri, as arsimim më të mirë, as ekonomi më të mirë, as punë më të sigurta dhe padyshim nuk ka një perspektivë në këtë vend”, deklaroi Kryetari i Kuvendit. Në vijim, ai u shpreh se LSI-ja është një parti bashkëpunuese, duke thumbuar PS. “Mesazhi i LSI-së është mjaft pozitiv dhe këtë mesazh duan të gjithë shqiptarët. LSI është një forcë shumë bashkëpunuese. Të gjithë e shikojnë që LSI nuk nxit konflikte dhe LSI është e përqendruar në çështje konkrete që ndihmojnë të rinjtë, që ndihmojnë maturantët, që ndihmojnë studentët, që ndihmojnë ata që duan punë më të mira, që ndihmojnë zona të ndryshme të vendit”, tha Meta.