Po me Kombëtaren çfarë kanë xhanëm?

Aktualitet Kryesore

arena ne focus-3Edi RAMA  /  Ata që si zakonisht i dinë të gjitha prandaj edhe nuk dinë asgjë, janë sulur të përbaltin projektin e Arenës Kombëtare, pa kaluar ende 24 orë nga prezantimi!

Kjo natyrisht është prova tjetër se një tjetër punë po bëhet si duhet. Për sa kohë stadiumi kombetar u kanibalizua nga shtesat e prapashtesat e shëmtuara, s’ishte monument kulture. Askush nga këta nuk ndihej, si gjithnjë bashkëjetesën me rrënimin, pisllëkun e shëmtimin e kanë fare të kollajtë, ndërtimi, pastërtia, bukuria u vret sytë e u sëkëlldis mendjen e kyçur! Tani që rilindjes së stadiumeve u duhet shtuar Arena Kombëtare, u kujtuan këta për monumentin e kulturës…

Për këta s’qe fare problem, që ajo gërmadhë që rri në këmbë duke u mbajtur mbi gjithëfare kioskash e garazhesh të shëmtuar, s’ishte me as stadium për Kombëtaren! E cila, të ishte për sojin e këtyre, do kishte përfunduar në emigracion për ndeshjet eliminatore, sepse UEFA e shpalli non grata stadiumin “Qemal Stafën” e rrënuar. Dhe sikur kjo qeveri mos kishte ndërtuar “Elbasan Arenën” në kohë rekord, Kombëtarja do luante në shtepitë e botës dhe zor se do ishte sot në Francë apo jo?!

Po kur thonë pastaj qe s’ka në botë stadium me kullë, apo për më tepër, me shërbime tregtare, meritojnë një dackë provash syve (shikoni fotot bashkëngjitur, nga stadiumi i ri i Milanit, tek stadiumet amerikane që janë modele zhvillimi të jetës urbane e sociale e deri tek stadiumi kombëtar i Helsinkit).

Sepse stadiumet e gjeneratës së fundit janë të gjithë kështu, jo në formë po në qëllim, kush me kullë vertikale e kush me volume të tjera horizontale; stadiumet duhet të jetojnë 7 ditë në javë jo vetëm kur ka ndeshje. Duhet të jenë objekte me mjedise e hapësira shumëqëllimëshe për jetën urbane, të cilat ofrojnë shërbime, argëtim, relaks, për të gjitha moshat.

Sqaroj se ky projekt është bashkëpunim i Qeverisë me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ne po bëjmë atë që dështoi të bënte qeveria paraardhëse. E cila si në të gjitha punët e tjera, premtoi stadiumin për 100-Vjetorin e Pavarësisë, tentoi ta jepte me koncesion, me garanci të kripur financiare nga buxheti i shtetit dhe në fund beri një vrimë në ujë!

Ne do ta bëjmë “Arenën Kombëtare” në partneritet me privatin, ku partneri publik do jetë FSHF-ja, po ama pa paguar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit! Madje do përfitojmë përmes FSHF-së, një mbështetje financiare 10 milionë euro nga UEFA, pikërisht falë ambicies e standarteve të projektit të përzgjedhur.

UEFA që supervizon gjithë stadiumet e reja në Europë, që nga skicat e para deri në gurin e fundit, “çuditërisht” entuziazmohet për projektin dhe jep fonde. Ndërsa këta që e lanë Shqipërinë pa asnjë stadium për Kombëtaren e për klubet në kupat e Europës, i japin gojës për një projekt që do ta bëjë Shqipërinë vend aplikant, për të marrë finalet e Europa League apo Superkupës së Europës!..

Mirë me qeverinë, po me Kombëtaren çfarë kanë xhanëm?!

Sa për arkitektin e famshëm italian, s’kanë faj që e akuzojnë si kriminel! Nuk zbuluan dot asnjë kriminel në parlament me ligjin e tyre famoz të dekriminalizimit dhe tani e kanë zbuluar në Arenen e re Kombëtare:-))