Liria e shtypit në Shqipëri ?!

676

liria e shtypit portret

Turpi ! Ja si mbrohet liria e shtypit në Shqipëri. Digjet për herë të dytë, makina e gazetarit të “Ora News”, Gentian Bellaj në qytetin e Vlorës. Zjarri ka rënë në rrethana misterioze pas mesnate, në orën 2:30 të datës 29 korrik 2014. Makina ishte parkuar në një rrugicë në afërsi të shtëpisë së tij private në lagjen “Lirim”, rruga “Petrit Bisha .

Vetë Bellaj ka deklaruar se ka arsye të besojë tek zjarrvënia e qëllimshme, pasi dy net më parë ka parë, rreth orës 00.30, ka parë një person pranë makinës së tij, që i kishte drejtuar një dritë çakmaku apo celulari në fytyrë.

“Në mesnatë, rastësisht dallova një reflektim nga dhoma ime, që vinte nga makina që ishte parkuar në rrugicën pranë shtëpisë. Ajo që më shkoi ndër mend ishte se makina po digjej sërish. Nuk kisha çfarë të bëja tjetër, pasi zjarri ishte vendosur në tre vatra në krahun tjetër të makinës, jo atë pranë murit. Zjarrfikësit erdhën për ta shuar zjarrin, por gjithçka ishte e kotë.” tregon Bellaj momentet kur ka parë makinën në flakë.

Këto informacione, gazetari i ka dhënë edhe gjatë deponimit të tij në polici.

Pista kryesore: Detyra e gazetarit
Policia ka nisur hetimet për ngjarjet duke nisur nga detyra që kryen Bellaj. Siç u shpreh ai vetë, pyetja e parë që më bënë në Polici ishte “ çfarë lajmi ke raportuar së fundmi?”

Kjo është hera e dytë që gazetarit Gentian Bellaj i digjet makina, pasi edhe një tjetër i është djegur për shkak të detyrës në 19 shkurt të vitit 2011.

Gentian Bellaj tregon për “Ora News” se përjashton zjarrvënien për arsye personale.

Mbrëmjen e 27 korrikut ka parë një person me dritë në afërsi të makinës. “Kam dyshuar se mund të ishin vjedhës, meqënëse lagja nuk ka as drita. Por, personat që pashë ishin dy djem të rinj, njeri prej të cilëve me gjakftohtësi e thirri tjetrin “hajde ikim”. Pikërisht dy ditë pas kësaj ngjarjeje, ndodhi djegia e makinës.

“Kam deponuar në Polici dhe për rreth një orë kam dhënë gjithçka të mundshme. Në qytetin e Vlorës ndodhin shpesh djegie të makinave nga piromanë të pranuar dhe faktet mbeten sekret si nga policia, ashtu edhe nga gazetarët. Unë kam dhe foto të automjeteve të tjera të djegura në qytetin e Vlorës.
Këtë rast më ndodhi edhe mua, sepse njerëzit mendojnë se si gazetare, duke raportuar lajme, ne jemi palë me institucionet.”

Bellaj e mbylli raportimin e tij, këtë radhë për veten, duke shtuar gjysëm me humor: “Eh, sapo kisha mbyllur një kredi për makinën pas djegies së të parës, por tani më duhet të marr një kredi tjetër.”

liria e shtypit ne focus