Politikanët, mashtruesit e sotëm përballë shoqërisë shqiptare

Aktualitet Kryesore

qeveria sot

Focua News /  Askush nuk mohon ecurinë dhe përparimet që ka bërë vendi ynë, po kjo nuk i dedikohet vetëm një politike të caktuar, apo të një pushteti të radhës ashtu siç trumbetohet, por i dedikohet gjithë popullit shqiptar. Që të mashtrosh veten është e drejta kujtdo, por të mashtrosh një popull të tërë përbën një krim politik…

Të mirën shoqëria shqiptare do ta kishte në një kohë kur politika  e vendit do të ishte  në shkallën e duhur. Konkretisht Shqipëria tenton të barazohet me Europën e Bashkuar, një dëshirë e madhe kundrejt një mentaliteti ballkanik, që herë pas herë shfaqet në politikën shqiptare. Çdo ditë populli shqiptar ndeshet përballë të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe rrallë përball realitetit. Gënjeshtra dhe mashtrimi janë binomi i jetës së politikës shqiptare, duke mos përjashtuar edhe vetë Drejtësinë e mbërthyer në kthetrat e kësaj politike të re me fytyra të vjetra.

Dihet që prej shumë vitesh politika punoi për interesat vetjake, duke u shkëputur nga realiteti dhe premtimet e bëra më parë. Në prag të votimeve, në fushatat elektorale  fillojnë mashtrimin e radhës, duke u venë në garë se kush do të gënjejë më shumë. Mungesa e kulturës së politikanëve tanë, mashtrimet dhe ofendimet në debatet publike tregojnë qartë se vendi ynë me këta së bashku do të vuajë akoma edhe dekada të tjera. Politika shqiptare paraqitet para popullit shqiptar me një nivel të ulët kulturor, mashtrues dhe lypës…

Duke ditur se votimet heqin dhe vendosin qeveritë, si maxhoranca ashtu edhe opozita, akoma nuk po marrin parasysh kritikat e ndërkombëtareve për zgjedhje të ndershme dhe të lira. Dhe këto ndershmëri në votime po japin shenjat negative përball shoqërisë shqiptare.

Premtimet e një pas njëshme të tyre me thirrje dhe ofendime nga tribunat nuk mund të realizohen pa një tolerancë dhe mirëkuptim përball kushteve aktuale të vendit. Ky fenomen të bën që të besosh se vendi ynë duhet të përballet tashmë jo vetëm me varfërinë dhe korrupsionin, por edhe me mashtruesit politikanë, që për të siguruar një vend në parlamentin e kthyer vetëm një parajsë bëjnë premtime dhe mashtrime. Lufta e ashpër e pa kulturë ndërmjet tyre në disa momente të vë përball dilemës se vdekja jote është jeta ime. Në një aspekt shikon se populli përpiqet me të gjitha mënyrat për të jetuar, ndërsa qeveritaret shikojnë interesat e tyre. Sot në parlament rrallë mund të gjesh ndonjë politikan që të luftojë për interesat e kombit.

Disa premtime ordinere se: vota juaj do të bëjë që të keni ujë dhe energji elektrike për 24 orë, dhe rrugë të asfaltuar, tregon qartë se pushteti i sotëm mban peng të politikës një pjesë të shoqërisë së vendit. Është një turp që një vend që pretendon të trokasë në dyert i BE, të sillet si një çifligar përball qytetarëve të tij.

Pushteti nuk është kthyer vetëm në një çifligar, por edhe në një vjedhës e mashtrues të  votës. E themi këtë se ky pushtet kishte kohë që për katër vjet të çonte ujë dhe korrent për 24 orë, të shtronte rrugët e pashtruara po të kishte dëshirë dhe vullnet të plotë, duke i parë hallet qytetarëve vetëm në raste të votimeve parlamentare, duke bërë Pazar me termin e njohur më jep të jap.

Partitë që nuk janë transparente me vetveten, që nuk luftojnë brenda gjirit të tyre korrupsionin, që nuk raportojnë publikisht fondet në fushata elektorale, janë parti të tipit O Mete, merr për vete.

Abuzimet e ndryshme në kurriz të popullit tregojnë se politika e sotme ka një ngritje profesionale në premtime dhe mashtrime, përball një populli të vuajtur të çon vetvetiu në pyetje se, a mund të luftohet mashtrimi dhe korrupsioni nga njerëz të korruptuar?…

Një tjetër kryetar partie premton se do të hapë 300.000 vend te reja pune, duke mos argumentuar konkretisht se ku do ti hapë dhe në çmënyrë. Premtimet e ethshme për pushtet kalojnë edhe kufijtë e vendit tonë. Që të premtosh nuk do të thotë që të mashtrosh…