Prangoset në Ekuador, Bashkim Driza, ish-bosi i Fondacionit “Populli”

Aktualitet

Vetëm pak ditë më parë, një lajm tronditës nga Ekuadori njoftonte se atje ishte ekzekutuar një djalë shqiptar, i cili dyshohej se ishte i implikuar në një trafik ndërkombëtar droge. Ata e identifikuan viktimën, e jo vetëm atë po edhe persona që mund ta kishin ekzekutuar shqiptarin në atë vend, ndërsa autoritetet tona, nuk e thanë asnjë fjalë për shqiptarin e vrarë. Madje as policia dhe as prokuroria nuk arrinin dot as ta identifikonin si person edhe pse ai kishte udhëtuar me dokumente të rregullta të shtetit shqiptar. Kështu vetëm pak ditë nga kjo ngjarje fatkeqe për një familje nga Vora, vjen një tjetër informacion po nga Ekuadori. Policia vendase ka vënë në pranga një të shumëkërkuar shqiptar, mbase një prej emrave më proverbiale në historinë e dhimbshme të shqiptarëve në më shumë se dy dekada! Ai është ndaluar në fakt edhe shumë vite më parë, është mbajtur në arrest shtëpie në Uruguai, po asnjëherë nuk u mor vesh se si mundi të thyente këtë masë dhe të zhdukej pa gjurmë deri pak ditë më parë kur bëhet me dije se është vënë në pranga e policisë. Bëhet fjalë për Bashkim Drizën, të njohur dhe të konsideruar si ish-kreu i firmës piramidale “Populli”, i dënuar për mashtrime në shuma të mëdha, është ndaluar nga autoritetet vendase në Ekuador. Pas 20 vitesh arrati, për ish-bosin e “Popullit” duket se ka marrë fund saga e arratisjes, ndërsa tashmë Driza pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Arratisja e bujshme nga Montevideo

Në fundin e shkurtit të 8 viteve më parë u tha se ishte arratisur nga apartamenti në Montevideo të Uruguait, Bashkim Driza, i cili qëndronte në masën “arrest shtëpie” në pritje të deportimit të tij në Shqipëri. Por gjatë kontrollit të dy agjentëve të policisë uruguaiane, ai nuk ishte gjetur në apartament. U tha se ish-kreu i firmës piramidale “Populli”, ishte larguar përfundimisht nga shteti i Uruguait për në vendet të tjera të Amerikës Latine, ku mund të jetonte më i sigurt. Në atë kohë Ministria e Brendshme do të saktësonte se: “Informacionet e sjella nga Uruguai deklarojnë se, 51-vjeçari Driza është arratisur nga apartamenti i tij i banimit, ku gjendej në arrest shtëpiak duke qëndruar në pritje të deportimit drejt Shqipërisë. Ministria e Drejtësisë kishte dërguar brenda 40 ditëve, (pas arrestimit), sipas afatit ligjor dokumentet përkatëse për ekstradimin e Drizës, duke i përcjellë ato nëpërmjet konsullatës shqiptare në Argjentinë, drejt Uruguait. Por shteti amerikano-latin,edhe pse duhej ta mbante nën kontroll për llogari të drejtësisë shqiptare, e ka lënë atë në shtëpinë që kishte në pronësi në Montevideo në gjendje gjysmë arresti, pa masa të forta ruajtjeje.  Pas asaj arratisjeje autoritetet tona i kërkuan  sërish Interpolit të nisë kërkimin ndërkombëtar për Drizën, të cilit i kanë mbetur edhe disa vite burg për të kryer. Driza është shpallur në kërkim nga policia që prej vitit 1997. Por trazirat e atij viti i dhanë mundësinë të braktiste burgun dhe të largohej nga Shqipëria, ndërsa informacionet e policisë tregonin se ai kishte shkuar për t‘u strehuar në Amerikën Latine.

Dënimi

Në korrik të vitit 2002, Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë me 16 vjet burgim ish-kreun e firmës piramidale “Populli”. Menjëherë pas kësaj ai u shpall në kërkim ndërkombëtar ndërsa Interpol-Tirana nisi të hetojë për të zbuluar vendndodhjen e ish-bosit të një prej skemave më spektakolare mashtruese për të mbledhur paratë e shqiptarëve. Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Bashkim Drizës, është mbajtur korrespondencë e vazhdueshme me Interpol Santiagon e Kilit, Interpol Montevideon e Uruguait dhe Interpol Santo Domingon e Republikës Domenikane. Shtetasi Driza njihej nga ana e tyre, pasi ishte i pajisur me pasaportë uruguaiane dhe domenikane, si dhe kishte lëvizur nga Uruguai dhe Kili për në Republikën Domenikane dhe anasjelltas pati treguar disa vite më parë Policia e Shtetit, ndërsa priste që të ekstradohej.

Nikoleta Kovaçi/ shekulli/