Prof. Dr. Arben Malaj: Përgjegjësia për të shmangur një krizë të re globale, mund të ndalë përshkallëzimin e konfliktit SHBA- Iran

100

Konflikti ushtarak midis SHBA dhe Irak, i përshkallëzuar nga vrasja e gjeneralit iranian Qassem Soleimani ka nxitur analiza dhe parashikime lidhur me zhvillimet e ardhshme gjeopolitike. Pasojat potenciale të përshkallëzimit të këtij konflikti duhen analizuar se pari ne nivel kombëtare dhe pastaj në nivel global.

Ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël e hapur dhe mund të preket lehtësisht nga goditje të jashtme siç janë efektet e konflikteve nëpërmjet luftërave tregtare, krizave energjetike apo tronditjeve në kurset e këmbimit.

Pyetja një milion dollarësh është – Kush do t’i përcaktojë zhvillimet e ardhshme, konfliktet ushtarake apo një aleancë e globale, e madhe, e shpejtë dhe efektive për të ndalur krizat e ardhshme globale, të cilat edhe pa këtë konflikt po kërcënojnë shumë vende, rajone dhe blloqe ekonomike ku jo vetëm BE –janë të ekspozuar jo pak?

  1. Nëse në aspektin ushtarak një përplasje e Iranit me SHBA, i vetëm apo edhe me aleatet e tij gjithnjë do të ketë një fund të hidhur për aleancat e boshtit të së keqes, në analizën e pasojave në ekonominë e vendeve pjesëmarrëse në konflikt, i humbur ekonomikisht nuk do të jete vetëm apo kryesisht Irani, por edhe ekonomia globale, e cila akoma nuk ka shëruar plotësisht plagët sociale, ekonomike dhe buxhetore të krizës globale 2009.
  2. Shqipëria si vend i NATO-s nuk rrezikohet për sulme direkt ushtarake, kjo edhe sepse sipas neni 5 i aktit themelues të NATO-s, cenimi i çdo vendi të veçante të NATO-s, konsiderohet cenim i gjithë aleancës. Çka do thotë se parandalimi, mbrojtja apo kundërpërgjigja do angazhonte NATO-n, bllokun më të madh ushtarak në botë, përballje me të cilën nuk do ta provokonte asnjë shtet, as Irani.
  3. Siguria e ombrellës së mbrojtjes nga NATO nuk duhet të dobësojë analizat dhe bashkëpunim efektiv të gjitha agjencive shqiptare në fushën e sigurisë kombëtare dhe midis Shqipërisë dhe NATO-s për eliminimin e sulmeve potenciale kibernetike apo akte terroriste.
  4. Ekonomia shqiptare mund të preket kryesisht nga goditjet e jashtme në çmimet e karburanteve. Qeveria duhet të ketë gati skenarë të ndryshme të ndërhyrjeve shtetërore për reduktimin e këtij risku. Rezervat strategjike të naftës duhen verifikuar sa më parë, sa janë ato realisht? Sa agjencitë publike dhe kompanitë private i kanë respektuar këto detyrime? Masa lehtësuese për mbajtjen apo rritjen e rezervës së detyrueshme mund të janë të nevojshme, nëse rritja e çmimit mund të jetë e ndjeshme dhe koha e goditjes së jashtme mbi këto çmime do të rezultojë e gjatë.
  5. Rreziku për një luftë botërore do vijë në zhdukje. Qëndrimi zyrtar amerikan është duke e theksuar gjithnjë e më shumë domosdoshmërinë për të eliminuar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të diskutuar opsione negociatash jo vetëm dypalëshe.
  6. Tensionet ushtarake mund të vazhdojnë dhe kjo mund të godasë ofertën në treg të naftës. Çka mund te rritë çmimin e naftës edhe për shkak se në këto raste bie oferta por njëkohësisht në panik rritet kërkesa për rezerva sigurie në vendet që janë konsumatorë të mëdhenj të naftës.
  7. Oferta e naftës rrezikohet edhe nga lufta kundër anijeve transportuese ku Iraku kontrollon një ngushticë nga ku transportohet drejt tregjeve globale rreth 20% e kërkesës për naftë.
  8. Ka arsye të forta ekonomike që fuqitë globale do të angazhohen për eliminimin e përshkallëzimit dhe zgjatjes së situatave të tensionuara që:

(i) rritin pasiguritë;

(ii) reduktojnë investimet në këtë sektor strategjik;

(iii) tronditin tregjet e mallrave dhe ato financiare;

(iv) por mbi te gjitha BE, Japoni dhe vende me fuqi globale si Kina dhe Rusia do të ishin viktima ekonomike të mos angazhimit për tensionimin e kësaj situate kritike.

  1. Luftërat tregtare dhe konfliktet në zona dhe vende me ndikim të ndjeshëm në ekonominë globale po përshpejtojnë një recesion të ri global.
  2. Shumë prej këtyre vendeve akoma nuk kanë arritur nivelin e para krizës globale të 2009-s, prandaj angazhimi i tyre duhet të jetë i shpejtë dhe efektiv.
  3. Fakti, që dalje nga kriza e 2009-s u synua duke ulur në nivele shumë të ulëta interesat/koston e parasë në ekonomi dhe fakti që shumë vende kane rritur ndjeshëm borxhet për të ndalur thellimin apo vazhdimin e krizës 2009, ka reduktuar në nivele kritike (pa) mundësinë e Bankave Qendrore dhe Ministrive të Financave për politika monetare lehtësues apo politikave fiskale ekspansioniste. FED, Bankat Qendrore Evropiane, Bankat Qendrore të Japonisë, Kinës dhe Rusisë mund të përballen me sfida te vështira për të reduktuar impaktet shumëfishe të rishfaqjes së egër të një krize të re globale. Eksperienca e krizës globale te viteve ’70, ku inflacioni i lartë dhe papunësia e lartë prodhuan stagnacionin si një fenomen i ri ekonomik, përballë këtyre risqeve vjen si një leksion qe flet jo pak dhe që paralajmëron risqe në nivele kritike.

Për shkak te inflacionit të ulet dhe borxheve të larta Bankat qendrore, BQE dhe ministritë e financave të vendeve të tyre kanë mundësi të limituara për të amortizuar goditjet e jashtme në ekonomitë e vendeve të tyre, goditje që mund të vijojnë nga rrija e çmimit tëe naftës. Edhe vendet që duket se e kanë arritur nivelin e para krizës, duke filluar nga SHBA, janë pranë një krize të re për shkak të periudhave të gjata me inflacion të ulët dhe borxhe të larta. Aktualisht, sidomos SHBA kanë një varësi më të vogël të ekonomisë së saj nga nafta e vendeve të tjera, por partnerët e saj tregtare, duke filluar nge BE mund të tronditen jo pak.

  1. Kjo pamundësi i ka ndërgjegjësuar liderët e fuqive globale se mos veprimi i tyre për ndalimin e konflikteve ushtarake dhe zbutjen e luftërave tregtare eshët edhe një vetëvrasje politike personale.

Pikërisht fakti qe vendet e tjera jashtë konflikteve të drejtpërdrejtë me Iranin tronditen me shume nga risqet e rritjes së çmimit të naftës, krijon premisa dhe mundësi pozitive qe SHBA të ketë aleatë të fuqishëm jo vetëm BE por sidomos BE-në për ndaljen e përshkallëzimit të konfliktit Iran – SHBA.

Mbetet për t’u parë se sa është fuqia reale e këtyre shteteve mbi Iranin dhe me SHBA-në, pasi asnjë strategji e shmangies së përshkallëzimit nuk mund te funksionojë duke ndikuar vetëm tek njëri prej dy shteteve në konflikt.

Do të duhet të analizohet sa real dhe sa i gatshëm është angazhimi i pa vonuar i vendeve të tjera me fuqi globale në ndaljen e përshkallëzimit të konflikti/konflikteve.

Mbetet për t’u parë nëse përgjegjësia për të ndalur një krize të re globale do të lehtësojë ndaljen e përshkallëzimit të konflikteve ushtarake dhe luftërave tregtare, si një trend i përgjithshëm i angazhimit të tyre në zhvillimet e ardhshme gjeopolitike.