Pse ka kaq shumë akuza midis nesh ?!

Kryesore Opinion

Mbi të vërtetën nuk vlen asnjë opsion i shtruar, që tenton të krijojë, me ose pa dashje, lëkundje të besimit ndaj saj.

Sulejman ABAZI / Sigurisht, për të vajtur tek e vërteteta është diçka e mundimëshme, aq më tepër për ne shqiptarët, që për shumë dekada i jemi nënshtruar një agresioni gati fatal në thërrmimin e initetit të brendëshëm dhe tentativave të shërbimeve inteligjente për t’i kryer punët e tyre me bashkëpunëtor nga radhët shqiptare.

Shohim që ka shumë goditje nga brenda, me dhe pa argumente, me dhe pa fakte, vetëm mbi bazën e paragjykimeve, mërive, qejfmbetjeve, konflikteve të interesit, në bazë edhe të shpifjeve të servirura nga qarqe antishqiptare, duke u bërë pjesë e së keqes.

Kjo goditje shihet në të gjithë nivelet, me një papërgjegjëshmëri totale, ku të gjithë bëhen kompetentë, pa qenë pjestar të ngjarjeve, ose për të na binduar se pa fjalën e tyre, nuk ka si të jetë ndryshe.

Po përballemi kaq shumë në këtë kohë të vështirë me këto situate, sa po e humbasim orientimin e drejtë kombëtar, duke krijuar me duart tona fatkeqësinë më të madhe, goditjen dhe shkatërrimin e unitetit kombëtar.

Që ka bashkëpunëtor të armiqve, spiunë dhe përfitues interesaxhinj që kanë shitur dhe nënë e babë, e jo më Shqipërinë, kjo dihet.

Por që jemi dhe të ekspozuar ndaj një rreziku të goditjes nga jashtë dhe Brenda njëkohësisht, edhe kjo dihet.

Të krijosh situata të tilla të ndërtuara mbi bazë të dezinformacionit apo të shpifjeve, të trazosh rëndë opinionin shqiptar në pikën më të ndjeshme, tek atdhedashuria, kjo është punë vetëm e armiqve tanë tradicional.

U mësuam tani me këto dhe janë bërë aq shumë sa, kemi vënë në dyshim vetveten, ekzistencën, farën e kombit dhe vet shpresën e të ardhmes.

Për ne sot është e rëndësishme ballancimi i veprimtarisë së krerëve shtetëror, të atyre që kanë në dorë politikën dhe drejtimin e shteteve tona, sa ata i shërbejnë interesave kombëtare, sa ata kanë atdhedashuri në zemër, sa ata janë të denjë për të qëndruar në postet e besimit që u ka dhënë populli.

Shpërqendrimi që po ndodh, duke e shtrire këtë diversion deri poshtë, do të thotë që, ne të shmangim vëmendjen dhe mbështetjen tonë për problemet kryesore kombëtare dhe të merremi me vetveten.

Kjo taktikë dhe startegji dinake antishqiptare, ka kohë që po jep frutet e saj në dëm të çështjes kombëtare shqiptare.

Nuk më kanë interesuar emrat e veçantë në këto përplasje pa nder, pa karar dhe pa asnjë përfitim, por çështjet themelore që duhet të zgjidhim të gjithë sëbashku, në unitet mendimi, për të cilat sot ka nevojë politika shqiptare në orientimin e saj të drejtë.

Me dinakëri po na shpenzojnë kohën dhe energjitë tona në drejtimet e gabuara dhe ne vazhdojmë të bëhemi rob dhe pre e lojës së tyre, pa menduar se të humburit në çdo rast, do të jemi ne dhe vetem në.