R. GORO: Kujdes! “Fake News-i”, jo rrallë “fuck” edhe vetë atë që e promovon…

Aktualitet Kryesore

Për fillim, dy shënime shpjeguese: 1)Fake news = lajme të rreme, është një lloj i gazetarisë së verdhë dhe propagandës që mëton dezinformimin e qëllimshëm dhe që shpërndahet përmes mjeteve tradicionale të shtypit të shkruar dhe elektronik, apo rrjetet sociale. Lajmet e rreme shkruhen dhe publikohen me qëllim që autorët të përfitojnë ekonomikisht apo politikisht… (Wikipedia, versioni anglisht); 2)Fuck= fjala troç në anglisht që i referohet kryerjes së kontaktit seksual.

E kam parim gati të shenjtë që të mos merrem me njerëz që pasqyrojnë një nivel kaq të ulët intelektual e moral, saqë vetëm një fije i ndan nga idiotësia. Të kuptohemi, idiotësia, si simptomë patologjike është një fatkeqësi për atë që e mbart dhe normalisht duhet të na dhimbset e ta mëshirojmë. Edhe për arsye se, siç thotë Johan Volfgang Gëte, “nga gjithë hajdutët, idiotët janë më të këqinjtë, sepse të vjedhin kohën dhe humorin”…
Mirëpo, kur mbartësi e prezanton në publik këtë idiotësi, të përzier me një poshtërsi neveritëse, atëherë mendoj se duhet marrë disi më seriozisht. Edhe pse Sokrati, filozofi i madh i Antikitetit këshillon që “nëse një gomar të bie me shkelm nuk ka kuptim ta shkelmosh edhe ti”…
E kam fjalën për një “fake news” të publikuar më 28 shtator pasdite, në një profil facebook-u që ka në ballinë një fotografi dominuese të kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro dhe që normalisht edhe mbështetet nga ky i fundit, apo të paktën zoti Goro ka një farë kontrolli ndaj tij. (Nuk dua t’ia përmend emrin profilit, pse gjykoj që kështu do t’i bëja nder…).
Statusi kishte marrë si shkas një intervistë që ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias kishte dhënë atë paradite për televizionin publik grek, ERT1, ku ndër të tjera i referohej edhe heqjes së nënshtetësisë greke kryebashkiakut.

Çfarë thuhej, me pak fjalë në atë fake news?
Fillimisht thuhej se intervistën me ministrin e jashtëm grek e kisha realizuar unë, pra Robert Goro.
Dhe kjo në kohën që shumica e mediave shqiptare që vetë shkruesi idiot e i poshtër kishte përdorur si burim, kishin publikuar me korrektesë si gjithmonë, lajmin e plotë të transmetuar së pari nga televizioni Ora News, ku unë figuroja si autor, TV Ora si burim dhe ku qysh në fillim thuhej se intervista ishte dhënë në televizionin publik grek. Madje edhe Ora edhe Top-Channel e kishin përcjellë lajmin bashkë me sinkronet e marra nga intervista, ku dukej fare qartë që ministri ndodhej vazhdimisht në mes të dy moderatorëve të televizionit grek.
Po shkruesi idiot e i poshtër e injoronte me këmbëngulje këtë fakt. Madje, në përpjekje përtë gjetur edhe argumente të tjera kundër meje, shkonte edhe më tej, duke më bërë një “minibiografi” profesionale:
“Ne te vertete kush eshte Robert Goro, gazetari himariot qe intervistoi Ministrin e Jashtem te Greqise Kotzias? Z. Goro punon per llogari te Ora News, nje media ne pronesi te z. Ylli Ndroqi. Ora News njihet ndryshe si nje media e Tiranes qe financohet nga Erdogani dhe Turqia”.
Shkruesi idiot e i poshtër, harron me dashje faktin që unë kam në gazetari aq vite sa ai ndoshta ai bën hije mbi këtë tokë. Dhe që në asnjë rast, e përsëris, në asnjë rast nuk ka dalë as dyshimi më i vogël se mund të varem nga media në të cilën punoj. Më tej, ai idiot e i poshtër (që nuk ka kurajën as të prezantohet me një emër çfarëdo), harron pa dashje (pse kaq kapacitet ka!), harron pra se Ora News është një televizion lider, i krijuar dhjetë vjet më parë dhe i vetmi ndoshta që i mbulon shpenzimet vetëm nga burimet e veta, e prandaj e ka ruajtur zërin e tij lirë. E prandaj dhe gazetarë që me emisonet e tyre kanë bërë emër në televizione të tjera tashmë po shkojnë te Ora News.
Por me referimin për Ora News që sipas tij na u financuaka nga Erdogani, shkruesi idiot e i poshtër ka marrë kaq shumë revan sa që duke aluduar për një (sipas tij) lidhje të Ora News-it me Erdoganin, në fakt sulmon vetë shefin e partisë që i përket Goro dhe profili i Facebook-ut, pra vetë kryeministrin. Sepse kryeministri ynë, ndër gjithë homologët e rajonit e ka shpallur “vëlla” presidentin e Turqisë, ndërsa Shqipëria zyrtarisht i ka përcaktuar si “partneritet strategjik” marrëdhëniet me Turqinë. Dhe diçka tjetër: 24 orë para publikimit të atij statusi – paçavurrre, Edi Rama pozonte në krah të Ylli Ndroqit, në festën për 10 vjetorin e TV Ora News.
Në yrryshin e vet masturbues, shkruesi idiot e i poshtër, ka përfshirë në mënyrë gjithashtu të poshtër tim atë, Doktor Evriviadhi Goron. Ja çfarë shkruan që në hyrje të statusit:
“Kaq shpejt ta kete harruar Robert Goro dekoraten e propozuar dhe dorezuar nga Jorgo Goro per babane e tij Evriadhi Goro, “Nderi i Qarkut te Vlores”? Pse nuk e nderperu i biri i tij ministrin dhe ti thoshte se te kane genjyer te paudhet qe flasin ne emer te Himares, z. Minister!”. (Citimet origjinal nga statusi).
Siç e shpjegova edhe më lart, unë nuk kisha si ta ndërprisja ministrin e jashtëm grek, për arsyen e thjeshtë se ai ndodhej në zyrën e tij dhe në lidhje direkte me televizionin grek ERT1.
Në fakt, dekorimi i babait tim Dr. Evriviadhi Goro është propozuar në 2014 në këshillin e qarkut të Vlorës, që atëherë kishte për kryetar Anesti Dhimojanin dhe është dorëzuar vërtet nga kryebashkiaku Goro në maj 2015. Është e tepërt të them (dhe kërkoj ndjesë për mungesën e modestisë), që ai ishte një titull i vonuar dhe më se i merituar që para gjithë të tjerëve Doktor Goros ia kishin “akorduar” mijërat e njerëzve nga krahina e Bregdetit, por edhe e Lumit të Vlorës, kudo që im atë kishte shkelur në roje të jetës për më shumë se gjysmë shekulli.
Madje, në ceremoninë e dekorimit kryetari i Bashkisë Jorgo Goro tha edhe diçka që nuk shqitet kollaj nga mendja: “Edhe pse nuk jemi farefis, kur më pyesin se çfarë e ke Doktor Goron u them që e kam xhaxha”. 
Unë jam i sigurt se kryetari Jorgo Goro vazhdon t’i besojë këtij rrëfimi. Ashtu siç dua të besoj se gjithçka që shkruajti për mua dhe tim atë shkruesi idiot e i poshtër, ishte pa dijeninë e Jorgos. Ndoshta, kur e lexoi statusin dhe urdhër që të hiqej, ashtu siç dhe u bë në orët e vona të natës. (Tani nuk gjendet më në Facebook).
Sinqerisht, nuk e di nëse ka dhe sa implikim ka vetë Goro në këtë profil. Nuk, e di gjithashtu nëse moderatori nxjerr ndonjë lek nga kjo punë, dhe nga ç’fonde i jepen këto lekë.  Por sikur dhe vetëm me cilësinë e komshiut që i do gjithkujt të mirën, do t’i jepja një këshillë kryetarit të bashkisë time. Të mos mbajë pranë vetes njerëz të cilët, të vetmen aftësi që kanë është se dinë të përdorin mirë gjuhën, dhe sidomos atë gjuhë që në fjalorin Shqipes së sotme përshkruhet si “organ i mishtë e i lëvizshëm në gojën e njeriut”, që veç të tjerash shërben edhe për të lëpirë. Për fund, nëse Jorgo mendon që vërtet punon mirë në bashkinë e tij, nuk ka pse aktivizon e mbështet shkruesa idiotë e të poshtër si ky personazhi ynë që t’i bëjnë hosanara vend e pa vend. Sepse është e vërtetë që “fake news” pra lajmi i rremë, u ka shërbyer mjaft herë atyre që i kanë inspiruar apo promovuar, por është gjithashtu shumnë e vërtetë që jo rrallëherë edhe i kanë “fuck”-ur ata…