Rama : 50% e bizneseve nuk japin asnjë kupon

393

edi -1TIRANË  –  Do të ligjërojmë refuzimin e konsumatorëve për të paguar nëse nuk u jepet fatura fiskale për atë që blejnë.

(Nga fjala e mbajtur sot me drejtuesit e sistemit të doganave dhe tatimeve të republikës)

…Ka ardhur koha e sprovës së sprovave për trupën e doganierëve dhe tatimorëve të këtij shteti: Çelja e një beteje frontale, në çdo hapësirë e cep të Republikës së Shqipërisë, ku zhvillohet aktivitet ekonomik dhe tregtar, për të marrë në mbrojtje konsumatorin shqiptar dhe për t’a vendosur shtetin në krah të çdo biznesi që paguan taksat sipas ligjit. Qeveria është e vendosur t’i shkojë deri në fund kësaj beteje të re që nuk është një aksion i radhës, po një operacion pa ndalim, deri në vendosjen e plotë të rendit ligjor në hapësirën e aktivitetit ekonomik e tregtar të Shqipërisë.

Kryefjala e këtij kapitulli të ri që duam të çelim, në aleancë me konsumatorët dhe në bashkëpunim me bizneset që paguajnë taksa, duhet të jetë e qartë nga fillimi deri në fund të punës suaj të çdo dite: Kjo nuk është një betejë kundër biznesit po një betejë për të mbrojtur konsumatorin, biznesin e vetë shtetin shqiptar, nga ata që zhvillojnë aktivitet ekonomik e tregtar në shkelje të ligjit, duke vjedhur blerësit; duke penguar me konkurencë të pandershme të tjerët në fushën e sipërmarrjes; duke grabitur paratë që shtetit i duhen për të ulur taksat, rritur rrogat, investuar në ujësjellësa, shkolla, spitale e me radhë.

Ne dhe ju, qeveria dhe ekipi drejtues i doganave e tatimeve, do t’u kërkojmë përditë qytetarëve dhe bizneseve ndihmën e tyre të pazëvendësueshme në këtë betejë. Dhe në radhë të parë, do t’u kërkojmë të denoncojnë çdo sjellje, qasje apo veprim të padenjë të punonjësve doganierëve apo tatimorëve. Do t’u vemë në dispozicion adresa, numra telefoni e kanale komunikimi në rrjetet sociale, për të denoncuar me mesazhe apo me foto e video, çdo shfaqje të padenjë ku përfshihen persona që përfaqësojnë administratën doganore ose tatimore. E për çdo rast të kësaj natyre do të japim llogarinë e duhur, duke marrë masat e duhura dhe dhënë shpjegimet e duhura publike.

Po ashtu, ne do t’u vemë në dispozicion konsumatorëve të mashtruar apo bizneseve të cënuara nga konkurenca e pandershme kanalet e duhura të komunikimit, për të na bërë me dije çdo rast konkret të mosdhënies së kuponit fiskal apo të shmangies nga detyrimi për të paguar taksa. Fitorja e kësaj beteje është e barabartë me ulje taksash, rritje rrogash dhe mundësi shumë më të mëdha investime publike në të mirë të komunitetit. Ulja e informalitetit në nivelet e pranueshme të një vendi normal europian, është e barabartë me një hov të ri në zhvillimin ekonomik e social të vendit si asnjëherë më parë.

Por padyshim, suksesi në këtë betejë është i barabartë me një rritje të konsiderueshme të nivelit të bashkëjetesës sonë shoqërore si qytetarë të Europës. Qyshse qeveria jonë e ka shpallur përpara sezonit të pushimeve, objektivin për ta çelur duke nisur nga muaji shtator, këtë front të ri të përpjekjes sonë të përbashkët modernizuese e zhvillimore për Shqipërinë, qeveria ka angazhuar në terren ekipet e saj për të sonduar fushën e betejës.

Të dhënat e sondimit të bërë janë sa shqetësuese, aq edhe inkurajuese për të gjithë, në kuptimin që potenciali për sukses është shumë i madh: Rreth 1/3 e bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare në territorin e vendit tonë ose nuk janë fare të regjistruar, ose nuk kanë fare kasa fiskale, ose kasat fiskale ekzistojnë si orendi pa vlerë që nuk përdoren; në shkelje të rëndë të ligjit po se po, po edhe në vjedhje të hapur të konsumatorit. Ndërsa në total, 50% e bizneseve pothuajse nuk japin asnjë kupon, duke qenë haptazi në kundravajtje të plotë ligjore dhe padiskutim, në shkelje të plotë të çdo norme etike në raport me konsumatorët.

Prandaj, unë sot (dhe në ditët në vijim të gjithë ju) u bëj apel, në emër të qeverisë shqiptare, të gjithë bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregtar të paregjistruar, të vrapojnë të regjistrohen përpara se sa të nisë operacioni rrënjësor i kësaj sëmundjeje të patolerueshme; të vendosin kasën fiskale dhe ta vënë atë në shërbim të plotë të konsumatorit, përpara sesa operacioni që nis në shtator t’i vendosë përpara ligjit; të mos u japin më blerësve të mallit të tyre fatura që s’kanë asnjë lloj vlere fiskale e ligjore, përpara se sa në përballjen me ligjin, të humbasin shumë më tepër se sa ç’mund të fitojnë duke e shkelur ligjin.

Edhe njëherë, dua t’ju përsëris atë që nuk duhet të harroni asnjë çast gjatë këtij operacioni: Ne duam mirëkuptim dhe bashkëpunim me biznesin, jo luftë kundër biznesit!

Ne duam të mbrojmë çdo konsumator nga cilido që nuk u jep kuponin fiskal kur u shet çfarëdoqoftë. Ne duam të jemi në krah të çdo biznesi, të vogël ose të madh, që paguan taksat dhe dëmtohet nga konkurenca e pandershme. Dua gjithashtu të bëj shumë të qartë, se ky operacion rrënjësor kundër informalitetit në ekonomi, nuk ka në fokusin e vet më të vegjëlit, po në radhë të parë më të mëdhenjtë. Prandaj edhe përgatitja e operacionit ka nisur nga më të mëdhenjtë me një analizë shumë të detajuar të situatës. Nafta, cigarja, mallrat e vlerës dhe tregtia me shumicë, do të jenë në qendër të përpjekjes sonë frontale. Por padyshim që zinxhiri i informalitetit ka një fillim, ka edhe një fund dhe ne nuk do të lemë pa kontrolluar asnjë hallkë të zinxhirit, nga më të mëdhenjtë tek më të vegjëlit.

Edhe diçka në fund:

Kujt pyet pse nuk e bëmë që në fillim këtë operacion, u përgjigjem shumë thjeshtë: Sepse ata që nuk e bënë 23 vjet dhe e lanë shtetin përtokë, në pragun e një humnere borxhesh dhe kolapsi energjitik, na e bënë të pamundur të merremi më parë me këtë operacion madhor. Por edhe sepse, kjo betejë është më e vështira, dhe na është dashur të bëjmë shumë hapa të vegjël, e jo të pasuksesshëm në këtë drejtim, për të ardhur në momentin kur mund të hedhim një hap të madh. Pikërisht këtë hap të madh duke nisur nga shtatori! Por askush mos ta harrojë se për ta hedhur këtë hap të madh duhej hedhur më parë fara e një kulture të re të respektit për shtetin e për ligjin, të cilën ne e kemi hedhur tanimë në 20 muajt e parë të mandatit tonë.