Rama: Qëndrimi ynë për detin nuk ndryshon, me Turqinë hapim një kapitull të ri

775

rama-44

Në një intervistë për “Top-Channel”, kryeministri i zgjedhur Edi Rama jep detaje të tjera që lidhen me vizitat në Itali, Turqi dhe Greqi. Sipas Ramës, qëllimi primar i  këtyre vizitave është nisja e një kapitulli të ri për diplomacinë shqiptare si dhe fuqizimi marrëdhënieve me këto tre shtete të cilat ai i quan partner strategjikë. Sipas tij, Shqipëria gjatë viteve të shkuara nuk ka bërë sa duhet për sa i përket marrëdhënieve me këto tre shtete.

Bisedoi: Muhamed Veliu

Zoti Rama, pavarësisht se ju nuk e keni marrë ende detyrën si kryeministër i vendit, kjo nuk ju ka penguar që të zhvilloni disa vizita jashtë vendit, si ajo në Stamboll, apo në Athinë. Cili ka qenë qëllimi i këtyre vizitave?

 Janë takime njohëse dhe takime pune për të vendosur piketat e bashkëpunimit në funksion të një partneriteti strategjik, që shtrihet mes Italisë, Turqisë dhe Greqisë, për sa na takon dhe po ashtu me vetëdijen e plotë se në marrëdhëniet bilaterale me këto vende Shqipëria nuk ka arritur në gjithë këto vite të bëjë sa duhet dhe të punojë si duhet për të mirën e popullit shqiptar dhe të gjeneratave që vijnë.

Ju keni folur për kapituj të rinj në marrëdhëniet me Greqinë, një shembull që duhet të ndiqet edhe me Turqinë dhe për një tjetër stad bashkëpunimi me Italinë. Konkretisht çfarë do të thonë këto hapa që ju po ndërmerrni?

 Më Greqinë dihet që ka një moment për t’u kapërcyer, pas një periudhe të vështirë në marrëdhëniet mes dy vendeve, për arsyet e njohura. Ne jemi të përgatitur për ta kapërcyer këtë moment dhe për të hapur një kapitull të ri, pas një periudhe që i çoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë në një nivel shumë të ulët, gjithmonë për shkaqe që janë bërë të njohura dhe që nuk kanë lidhje me qeverinë e re. Ne jemi të gatshëm, ashtu sikundër në jemi të gatshëm që të ngremë në një nivel të panjohur më parë marrëdhëniet me Turqinë, që e konsiderojmë një partner strategjik dhe jam i bindur se marrëdhëniet bilaterale me Turqinë do të njohin zhvillime të panjohura më parë. Italia është një partner strategjik i kahershëm, një partner strategjik që e ka ndihmuar shumë në gjithë këto vite Shqipërinë, por nga partneriteti strategjik më Italinë, Shqipëria nuk ka arritur dot, për shkak të paaftësisë së qeverive të saj të marrë atë që mund të merrte në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Le të ndalemi pak te marrëdhëniet me Turqinë. Në ndryshim nga kryeministrat e tjerë të vendit, duket qartë fakti se ju e barazuat Turqinë si një partner strategjik me Italinë dhe Greqinë. Çfarë ju shtyu ta përfshini Turqinë në këtë partneritet strategjik me vendin tonë?

Përfshirja e Turqisë në partneritetin strategjik është pjesë e programit tonë të Rilindjes në kapitullin e politikës sonë të jashtme dhe është rezultat i një analize të detajuar dhe shumë të vëmendshme lidhur me këtë faktor kaq të rëndësishëm dhe fatkeqësisht të lënë jashtë vëmendjes së nevojshme gjatë gjithë këtyre viteve.

A nuk mendoni se kjo dhënie rëndësie ndaj Turqisë do t’i xhelozojë fqinjët tanë?

Unë nuk besoj se ne duhet të merremi me xhelozi potenciale. Unë besoj se ne duhet të forcojmë marrëdhëniet me fqinjët tanë dhe të çojmë përpara një proces partneriteti strategjik me të tre këto vende në funksion të një Shqipërie më të fortë politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht.

 Çështja e kufirit detar mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë mbetet një çështje mjaft problematike. Do të doja t’u pyesja nëse gjatë qëndrimit tuaj në Athinë është prekur kjo çështje.

Është një çështje që natyrshëm nuk mund të lihet jashtë bisedave, është një çështje për të cilën ne kemi një qëndrim të njohur, është një çështje për të cilën në kemi të gjithë vullnetin për ta zgjidhur dhe është një çështje tek e cila edhe fqinjët janë të interesuar të gjejnë zgjidhje dhe jam i bindur se me vullnet të mirë dhe me besim reciprok nuk ka gjë që nuk zgjidhet.

Zoti Rama nuk është hera e parë që ju shpreheni për zgjidhje të këtij problemi me Greqinë. Më konkretisht ju lutem, si do të zgjidhet?

 Tani ne jemi qeveria e re e Shqipërisë për një kohë shumë të shkurtër dhe sigurisht që do mirëkuptoni që çështje të kësaj natyre të mos cenohen në rrugën e zgjidhjes së tyre nga propagandimi i parakohshëm i ideve dhe i rrugëve të mundshme të zgjidhjes.

 Dhe një pyetje të fundit zoti Rama. Gjatë qëndrimit tuaj në Athinë u lajmërua ardhja në Tiranë e ministrit të Jashtëm të Greqisë, zotit Venizellos. Cili është qëllimi i ardhjes së tij në Tiranë?

 Tiranën do ta vizitojnë shumë shpejt, menjëherë pas marrjes së mandatit nga qeveria e re, ministrat e jashtëm të të tre vendeve partnere strategjike të Shqipërisë dhe këtu nuk shoh asnjë arsye për të bërë dallime, apo asnjë arsye për të spekuluar lidhur me këto vizita të shpejta, që janë vizita të dëshiruara nga të treja palët dhe që janë të mirëpritura padyshim nga ne.

 Pas Italisë, Turqisë dhe Greqisë, cili është destinacioni juaj i ardhshëm në kuadër të këtyre takimeve?

Sigurisht që pasi qeveria e re të fillojë nga puna ne do të shkojmë menjëherë në Prishtinë, nga Prishtina do të shkojmë në Bruksel dhe nga Brukseli do të shkojmë në Nju Jork, ku do të plotësojmë edhe udhëtimin e menjëhershëm të qeverisë së sapokrijuar.

 Zoti Rama, faleminderit.

Faleminderit juve dhe kam besimin se me një politikë të jashtme të re, të hapur dhe kurajoze, Shqipëria në rajon do të ketë një rol edhe më të fortë si mishërimi i një partneriteti të madh me SHBA dhe me BE.