Reformat, sfida e një opozite për t’u ndarë nga e kaluara

Ekonomi

arbeni ne parlament- 2Do ishte normale që në një seancë si kjo të diskutohej për ngjarjet në Francë, për çështjet ekonomike apo për reformën në drejtësi, megjithatë nuk u bë kështu, këtu shumëkush flet për “mobokraci”, unë do flas për “llumokraci”. Deri tani kam menduar që ky e ka përdour Lulzim Bashën, në fakt Lulzim Basha e përdor me zgjuarsi atë për të treguar se është emergjente të largohet PD nga e kaluara. Megjithatë unë kam arsyetimin tim se cila është arsyeja pse kjo bolori llumi nga goja e opozitës vjen në parlament, jo thjesht për të deligjitimuar parlamentin, patjetër ka një përpjekje për ta deligjitimuar parlamentin. Dhe nuk është e vërtetë se midis të dy palëve nuk ka vijë ndarëse.  Në fakt është një vijë që ndan një mazhorancë shumë të përgjegjshme që bën reforma të thella, të vështira, madje edhe me risqe elektorale, dhe nga ana tjetër ka individë, nuk po akuzoj të gjithë minorancën, të cilët në 25 vite kanë emra konkretë të vrarësh dhe të vdekurish në kurriz dhe në 25 vite kanë krime ekonomike në kurriz, ata dhe familjet  e tyre. Po unë nuk merrem me familjet e tyre, unë merrem me arsyen pse ata e bëjnë këtë gjë.

E mbani mend që ai njeri foli për skenarin grek? Patjetër, sepse është mësuar të marrë pushtetin në zi. Dhe skenari grek është i zi për popullin grek, një skenar i ngjashëm do të ishte i zi për popullin shqiptar. Nuk ndodhi skenari grek. Nuk ndodhi. Dhe jo vetëm që nuk ndodhi, por trajektorja pozitive ekonomike ka dy vjet që konfirmohet jo thjesht nga ne, jo thjesht nga shifrat e INSTAT, jo thjesht nga shifrat e qeverisë, por ju e dini që kalkulimet ekonomike dhe të prodhimit të brendshëm bruto në Shqipëri që nga 1 janari 2015, i bën EUROSTAT dhe këtë mund ta vërtetoni. Pra nuk ka më një ish-Kryeministër apo një Kryeministër që vendos shifrat e rritjes, por është EUROSTAT.

Atëherë pse gjithë ky lum llumi në një ditë të vështirë si kjo që po kalon Europa dhe në një ditë të rëndësishme që kalon Ballkani për t’u përballur me një kërcënim ndaj një civilizimi qoftë shpirtëror, qoftë kulturor, qoftë demokratik apo ekonomik? Sepse është maniak pushteti, e ka afrodiziak pushtetin dhe e do vendin në zi, e do vendin e  varfër që të vijë në pushtet dhe të qeverisë sërish siç ka qeverisur dikur. Por sigurisht që koha i ka mbaruar.

Si nuk fole një sekond për rritjen ekonomike? Pse e mohon faktin që të ardhurat e disponueshme të shqiptarëve janë rritur? Është raporti i Bankës së Shqipërisë që thotë specifikisht,  të ardhurat e disponueshme të shqiptarëve janë rritur 7.4%; kursimet janë rritur në një periudhë të caktuar 15.8%; kurse konsumi është rritur, por jo me të njëjtin temp. E dini cila është arsyeja që shqiptarët nuk shpenzojnë aq sa fitojnë? Sepse është kjo bolori llumi e qëllimshme që do të ndërtojë një pushtet mbi zi. Cila është arsyeja që vjen këtu dhe flet me emra, e quan këtë qeveri bandë? Nëse ka pasur një qeveri bandë ka qenë qeveria jote, e kapur madje. Qeveri e një Kryeministri që e quajti horr bulevardi ish-Presidentin e vendit dhe i vuri atë emër që i vuri ish-Prokurores së Përgjithshme dhe urdhëroi mos vajtjen në Prokurori të atyre që vranë në 21 janar. E pra, kush është bandë kriminale, këtë e di shumë mirë populli shqiptar.

Pse nuk fole për suksesin e reformave? Pse nuk fole për zerimin e taksës së biznesit të vogël? Nuk fole se të ka dhembur jashtëzakonisht shumë. Dhe unë e kuptoj ashtu si të gjithë ata që të njohin që gjithë atë bolori llumi e ke të lidhur me suksesin që ka mazhoranca. Sukses i vështirë padiskutim dhe jo aq i shpejtë sa do e dëshironim, por në finale është sukses. 25 vite nuk ka ndodhur ajo që ndodhi tani me biznesin e vogël.  U zerua taksa e biznesit të vogël. Nga 0 deri në 5 milionë lekë xhiro, biznesi i vogël paguan zero taksa. 25 vjet nuk ka ndodhur. E pra, u bë, dhe fillon në 1 janar të vitit 2016. Është ulur taksa 33% për biznesin me xhiro nga 5 deri në 8 milionë lekë, nga 7.5% që paguante tatim fitimin, tani do paguajë vetëm 5%. Dhe sigurisht që largimi i Shqipërisë nga ai skenar i dëmshëm grek,  i dëshiruar qëllimisht nga ty, të bën të ndihesh aspak rehat, sepse ëndrrat e tua për pushtet fiken çdo ditë që këtu ka një reformë.

Dhe së fundi, nuk the asnjë fjalë për reformën në drejtësi. Na pyet dikush çfarë kemi bërë. Unë refuzoj të përmend ato rrugë, apo vepra që janë investuar, apo sukseset në bujqësi, apo sukseset në eksport, apo sukseset në rritjen ekonomike. Refuzoj t’i përmend një nga një sepse përpara reformave që janë super-vepra, të tjerat nuk kanë rëndësi.

Reforma makroekonomike, një  super-vepër. E morëm Shqipërinë copë-copë, me rritje ekonomike që po zbriste në minus, me borxhe të padeklaruara, me administratë fiskale të kthyer në bandë. Keni parë ju administratë fiskale të mos pyesë për Ministrin e Financave? Administrata juaj ka qenë. Nuk pyeste dhe as e njihte Ministrin e  Financave. 200 milionë euro të vjedhura në gjashtë muaj përpara fushatës. E pra, kjo ishte situata ekonomike.

Situata energjetike. 52% humbje nga të cilat 31% ishin vjedhje të drejtpërdrejta dhe 1.1 miliardë borxhe. Ku është sot? Krejtësisht ndryshe. Deri dje buxheti shtetit subvenciononte energjinë me 180 milionë dollarë. Sot, për shkak të suksesit në energji, nuk kemi rritur taksat. Një tjetër super-vepër.

Reforma administrative. Një fshat i madh me 363 komuna e bashki ku nuk e merrte vesh i pari të dytin. Çfarë bëri reforma? Vihet rregull edhe në administrimin e territorit, vihet dhe një logjikë e re në zhvillimin ekonomik lokal.

Operacioni antiinformalitet. Në vazhdim dhe tejet i suksesshëm.

Të pestën e presim së bashku me ju, se këto i bëmë vetë. Reformën në drejtësi. Pse i shmangeni fjalës reformë në drejtësi? Nëse, sipas përgojimit tuaj, paska kriminelë banditë nga të gjitha anët, ejani të bëjmë reformën në drejtësi dhe t’i çojmë të gjithë pa përjashtim, përpara drejtësisë. Pse e refuzoni? Pse nuk e pranoni formatin e dekriminilazimit? Ka një reformë në drejtësi? Atëherë ta diskutojmë, ta debatojmë, ta votojmë, në favor të vendit, se nuk është se na durojnë njerëzit aty jashtë me debatet që bëjmë ne këtu për njëri-tjetrin, por duan rezultate.

Dhe sfida e një minorance, për të treguar që është ndarë nga e kaluara e vet është të vijë dhe të bashkërendojë me mazhorancën reformën në drejtësi, e cila nuk është pronë as e mazhorancës as e opozitës, por është pronë e të gjithë shqiptarëve.

Nga fjala ne Parlament

Faleminderit.