Rihapet dosja e vdekjes së bashkëshortes së portierit Alban Hoxha

Sporti

Rihapet çështja penale për vdekjen e bashkëshortes së portierit të Partizanit. Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka urdhëruar hapjen e hetimit disiplinor për gjyqtarin Altin Abdiu, i cili gjykoi çështjen e vdekjes së Doriana Hakës, bashkëshortes së Alban Hoxhës, për të cilën u shpallën fajtor për mjekim të pakujdesshëm, kirurgu Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba, por që u dënuan vetëm me 4 milion lekë të vjetra gjobë.

Inspektorati është vënë në lëvizje pas ankimimit të këtij vendimi nga i ati të ndjerës, Enver Haka, i cili me dy shkresa të ndryshme ka kërkuar verifikim të këtij vendimi nga ana e Presidentit të Republikës dhe Ministrisë së Drejtësisë. Në këto shkresa i ati i Dorianës ngre pretendimin se vendimi ndaj të pandehurve Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të dënuar për kryerjen e veprës penale “Mjekim i pakujdesshëm”, nuk i përgjigjet pasojës së ardhur.

Për këtë arsye ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të marrin në shqyrtim rastin në fjalë dhe të vlerësojnë procedurën dhe masën e dënimit që gjyqtari Abdiu ka dhënë ndaj dy të akuzuarve. Pasi ka marrë në administrim dy kërkesat e Enver Hakës dhe dokumentacionin që ai dispononte rreth kësaj çështje, Inspektorati ka kryer verifikimin paraprak mbi arsyet që e çuan gjyqtarin Altin Abdiu në këtë masë vendimi dhe për arsyet e tjera që çuan atë në tjetërsimin e vendimit të parë me një dënim me gjobë.

Siç bëhet e ditur në urdhrin për nisjen e hetimit disiplinor, Inspektorati ka vënë re shkelje të rënda të kryera nga gjyqtari në fjalë, ndaj dhe kërkon që ato të verifikohen nga ekspertët duke i ballafaquar ato edhe me konkluzionet e nxjerra nga Prokuroria, dokumentacionet shtesë, por edhe me dëshmitë e provat që duhet të merren nga personat që kanë dijeni për këtë gjykim.

“Nga shqyrtimi fillestar i ankesës dhe dokumenteve të bashkëlidhura u konstatua se informacioni i paraqitur nga ankuesi është i mjaftueshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Të dhënat e ankesës përmbajnë fakte dhe rrethana nga të cilat konstatohet se ka dyshime të arsyeshme se shkelja mund të jetë kryer.

Inspektorati çmon se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me vendimin penal nr.4073 datë 21.12.2016. Analiza e të gjitha fakteve dhe rrethanave të verifikuara nga Inspektorati konfirmojnë dyshimet se shkelja disiplinore mund të jetë kryer nga gjyqtari Altin Abdiu”, – thuhet në vendimin e Inspektoratit të KLD-së.

Ndaj nisur nga këto konstatime Inspektorati ka ngarkuar dy nga inspektorët e vet, që të nisin hetimin e plotë të kësaj dosje dhe të marrin në pyetje gjyqtarin Altin Abdiu, sekretaren e seancës gjyqësore, kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë dijeni për çështjen.

Hetimi ka nisur zyrtarisht gjatë ditës së sotme dhe do të shtrihet në harkun kohor të një muaji, ndërsa inspektorët do të marrin në dorëzim edhe dosjen e plotë që gjendet në Gjykatë për rastin në fjalë.

“Për efekt hetimi të evidentohet çdo e dhënë që lidhet me përmbajtjen e ankesës, si dhe të dhënat që tregojnë shkelje me pasojë përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarit apo të dhëna për vlerësimin e saj profesional. Për këtë qëllim të merren kopje të akteve që dokumentojnë rezultatet e hetimit, si dhe të merren shpjegime nga gjyqtari, sekretarja gjyqësore, kryetari i gjykatës, si dhe çdo subjekt tjetër që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit”, – shprehet më tej Inspektorja e Përgjithshme e KLD-së, Marsida Xhaferllari në urdhrin e saj.

Mjekët Elona Burda dhe Petrit Rexhepi janë gjetur fajtorë nga Gjykata e Tiranës për mjekim të pakujdesshëm të 25 vjeçares Doriana Hakës, çka solli edhe vdekjen e saj më 19 nëntor të 2014, pas lindjes së djalit. Por pavarësisht pasojës shumë të rëndë që solli kjo vepër penale, gjyqtari Altin Abdiu gjykoi dhe vendosi që ti dënojë dy mjekët e mësipërm me vetëm 4 milionë lek të vjetra gjobë./Oranews/