Sadiku drejt Izraelit, pranë Maccabi Haifas

Futboll Sporti

“Sammy Ofer Stadium” dëshmoi të gjitha aftësitë e një sulmuesi me cilësi të lartë si Armando Sadiku. Golat e shënuar më fanellën kuqezi në sfidën e fundit ndaj Izraelit ishin vërtetë për tu vendosur në kornizë për nga mënyra e  realizimit dhe këtë duket se e kanë vënë re edhe drejtuesit e një klubi që ndeshjet i zhvillon pikërisht në “Sammy Ofer”, fjala është për Maccabi Haifan.

Duke iu referuar mediave izraelite, negociatat me Zyrihun janë në një fazë të avancuar dhe Maccabi është gati të prezantoj ofertën zyrtare e cila mund të jetë mes 3 dhe 4 milion eurove. Ndërkohë që mësohet se është gjetur akordi me sulmuesin e përfaqësueses shqiptare në lidhje me pagën që ai do të përfitojë apo edhe jetëgjatësinë e kontratës, madje raportohet se flitet për një pagesë mjaft të lartë, megjithëse në këtë pikë nuk jepen detaje të shumta.

Sezoni që sapo u mbyll nuk nisi në mënyrën më të mirë për 26 vjeçarin i cili pasi kaloi një periudhe dëmtimi nuk u shfaq në formën optimale me Zyrihun derisa në muajin Janar kaloi në formë huazimi tek Lugano. Me ngjyrat bardhezi Elbasani u paraqit në nivele të larta duke qënë një pikë referimi dhe një prej aktorëve kryesore që e ngjitën Luganon nga zonat e ulëta të renditjes në një vend në Europa League. Tashmë pas 6 viteve të  kaluara në Zvicër ka gjasa që e ardhmja e Armando Sadiku të jetë në kampionatin izraelit të futbollit.