SHBA-të sulmojnë me raketa Sirinë (FOTO/VIDEO)

280

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur mëngjesin e sotëm një sulm me raketa kundër një baze ajrore të Sirisë, si kundërpërgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike në një qytet të zotëruar nga rebelët.

Pentagoni bën me dije se Marina amerikane e Mesdheut ka goditur 56 herë, me raketa “Tomahawk”, në aeroportin ushtarak dhe zonën ku u përdorën armët kimike. Sulmi nisi në orën 04:40 të mëngjesit të së premtes, sipas orës siriane, ose 03:40 sipas orës shqiptare.

Ky është sulmi i parë direkt i Uashingtonit ndaj qeverisë siriane në luftën gjashtëvjeçare civile dhe është urdhëri i parë më i rëndësishëm ushtarak i Donald Trumpit që kur është zgjedhur president.

Në një fjalim televiziv, presidenti Donald Trump  u bëri thirrje të gjithë “kombeve të civilizuara” që të ndihmojnë t’i jepet fund konfliktit në Siri.

“Sonte i bëj thirrje të gjithë kombeve të civilizuara, të na bashkohen neve, për të kërkuar t’i japim fund kësaj masakre e gjakderdhjeje në Siri dhe për t’i dhënë fund terrorizmit të të gjitha llojeve”, u shpreh Trump, menjëherë pas nisjes së ofensivës ajrore.

Shefi i Shtëpisë së Bardha tha se ishte prekur nga fotografitë e fëmijëve të vrarë duke u shprehur se “për mua, këtu janë kaluar shumë vija”. “Diktatori sirian, Bashar al-Assad ka kryer një sulm të tmerrshëm me armë kimike mbi civilët e pafajshëm. Duke përdorur agjentë vdekjeprurës nervor, Assad morri jetën e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm”, deklaroi Trump.

Me dhjetëra civilë, duke përfshirë edhe shumë fëmijë, humbën jetën gjatë sulmit me gaz nervor që u krye të martën në qytetin e Khan Sheikhoun në provincën Idlib.

Vetëm pak para sulmit, diplomatët rusë e kanë paralajmëruar SHBA-në për veprim të tillë dhe thanë se SHBA, duhet të marrë “të gjitha përgjegjësitë” për “pasojat negative”.  “Forcat ruse janë njoftuar paraprakisht për sulmin”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, kapiteni Jeff Davis.

/E.SH/

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”https://www.youtube.com/embed/b-gIEdzOtSc” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fusdos%2Fvideos%2Fvb.15877306073%2F10154421545991074%2F%3Ftype%3D3&show_text=0&width=560″ width=”560″ height=”315″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowTransparency=”true” allowFullScreen=”true”></iframe>