Shëndetësia shqiptare, me shërbim gjithmonë e më bashkëkohor dhe më pranë pacientit

348

 

Flet ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo

Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, në një intervistë dhënë për televizionin “ABCnews”, deklaroi se zhvillimi dhe investimet që janë bërë në sistemin shëndetësor shqiptar kanë bërë të mundur që të kemi një shërbim ndaj pacientëve gjithmonë e më bashkëkohor dhe modern.

Z. Tavo, ju dy ditë më parë morët vendimin për mbylljen e reanimacionit pranë kirurgjisë së përgjithshme në QSUT-së. Çfarë mund të na thoni më shumë?

Në katin e dytë të QSUT-së ne kemi një reanimacion nga më modernet në rajon, me 15 shtretër dhe normalisht, gradualisht edhe reanimacioni i vjetër ishte i planifikuar që të transferohej në reanimacionin e ri. Por kuptohet kur them gradualisht duhet të plotësohen të gjitha kushtet, të gjitha parametrat që të përfundohej ky transferim i reanimacionit të vjetër tek ai i riu. Prandaj dhe nëse e keni parë, brenda tre muajve QSUT që të krijojë kushtet e komunikimit të kirurgjisë me reanimacionin për t’u bërë përfundimisht reanimacionin total të reanimacionit nga reanimacioni i vjetër tek ai i riu. Ndër të tjera ne kemi reanimacionin infektiv, plus reanimacionin qe është në spitalin pediatrik, kështu që është mjaftueshëm numri i shtretërve që janë në reaminacionin e QSUT-së, duke pasur parasysh që secili pacient do të drejtohet në klinikat ku duhet të drejtohet dhe jo të drejtohen të gjithë të mbledhur në reanimacionin e kirurgjisë.

Ka dhe raste të atyre që konsiderohen pacientë kronikë dhe u duhet të rrinë për një periudhë të gjatë kohore. Si zgjidhet kjo çështje?

Janë raste të tilla, sikurse thoni dhe ju, por në momentin që kalojnë fazën e reanimacionit këta pacientë duhet të transferohen në pavijon. Brenda urdhërit që kam firmosur dje, për transferimin e reanimacionit, bën pjesë edhe një pikë e veçantë ku thuhet që, pacientët nga reanimacioni në momentin që shefi i shërbimit të reanimacionit vendos që e ka përfunduar ciklin e reanimimit, duhet të kalojë patjetër në poliklinikë.

Z. Tavo, një tjetër pretendim, ose ankimim i mbërritur deri në media lidhet me mungesën e medikamenteve, qoftë edhe për reanimacionin. Çfarë ndodh në këtë drejtim?

Kjo është një çështje që është diskutuar këto ditë në medie. Kam qenë personalisht në QSUT, kam zhvilluar takim me shefin e shërbimit, me mjekët, me reanimatorët e shërbimit të reanimacionit në QSUT, me drejtorin e spitalit, me drejtorin e farmacisë së QSUT, me farmacisten e shërbimit të reanimacionit, me kryeinfermierin e shërbimit të reanimacionit dhe me një grup mjekësh të tjerë ku diskutuam pikërisht për këtë çështje. Nuk bëhet fjalë për mungesë medikamentesh në QSUT, në reanimacion, as në urgjencën e QSUT-së. Ekzistojnë të gjitha medikamentet, këto të pranuara nga vetë mjekët, nga vetë shefi i shërbimit, nga vetë farmacistët por ka qenë një çështje, një problem teknik të atyre dy ditëve për arsye të inventarizimit të farmacisë dhe që është përsëri për mua i pajustifikueshëm, pasi edhe gjatë kohës që planifikohet një inventarizim, është normale të bëhet një inventar çdo fundvit ose çdo fillimviti, por gjithsesi duhet që shefi i shërbimit se bashku me kryeinfermierin dhe me farmacistin e shërbimit përkatës të marrin masat që të furnizonin shërbimin e tyre me medikamente. Pra, nuk mungon asnjë medikament në QSUT. Kur themi asnjë medikament, kam parasysh gjithmonë që edhe nëse mungon një alternativë, eksiton alternativa tjetër. Pra, medikamentet në reanimacion dhe në urgjencë, pasi kam pyetur edhe në urgjencë personalisht, dhe shefi i shërbimit të urgjencës bashkë me mjekët kanë thënë se nuk kemi mungesa me medikamente.

Kur pyet një pacient se çfarë pakënaqësie ka nga spitalet shqiptare, qoftë edhe nga QSUT në këtë rast, është pikërisht çështja e medikamenteve. Ata deklarojnë se në spitale nuk ka ilaçe dhe se u duhet të shkojnë t’i blejnë ato në farmaci. Me çfarë kemi të bëjmë në këtë rast, z. Tavo?

Po e ritheksoj se ekzistojnë medikamentet bazë në QSUT. Të gjitha medikamentet që janë kërkesë e shërbimeve përkatëse janë sot gjendje në farmacinë e QSUT-së dhe në shërbimet përkatëse nëpër pavijone. Nëse një mjek vendos që ta trajtojë me një medikament tjetër, nëse ne nuk e kemi atë medikament, ne kemi alternativën, atëherë pacienti do të marrë alternativën e vet. Pra, medikamentet ekzistojnë.

Po për sa i përket reanimacionit të ri të kirurgjisë në QSUT, çfarë mund të na thoni, z. Tavo?

Ky është një reanimacion polivalent, që i shërben më tepër kirurgjisë. Është modern, një nga modernet e rajonit dhe është çdo gjë e kompjuterizuar. Kam pasur rastin që ta vizitoj disa herë dhe vetë mjekët specialistë të fushës, të cilët kanë edhe kontakte me homologët e tyre nga vendet e rajonit por edhe më gjerë, me deklaruan që vërtet ky reanimacion i plotëson të gjitha kushtet e atyre reanimacioneve ku teknologjia është e fjalës së fundit.

Kushdo që mund të shkojnë në ambientet e QSUT-së së fundmi, i bie në sy pavijoni i urgjencës e cila ka një diferencë të jashtëzakonshme me pjesën tjetër të infrastrukturës spitalore në vendin tonë. Si do të mund ta neutralizojmë këtë lloj diference, z. Tavo?

Kuptohet se të mendosh se mund të ndërtohet nga fillimi një QSUT e re, është shumë utopi. Por, gjithsesi ka filluar faza e parë dhe është zbatuar tashmë, është kjo godinë ku është instaluar apo është vendosur reanimacioni apo edhe urgjenca e QSUT-së dhe shumë shpejt mendohet që të fillojë investimi për të vendosur edhe kirurgjitë brenda kësaj godine, duke përmbushur kështu edhe fazën e parë të master-planit të QSUT-së. Më pas është një fazë tjetër, e cila pritet që të financohet në vitet në vazhdim. Bëhet fjalë për vitin 2014 fillimi i financimit të fazës tjetër, kur të gjitha shërbimet tashmë, edhe shërbimet që i shikojmë sot jashtë QSUT-së por që janë pjesë e QSUT-së, do të jenë pjesë e këtij masterplani të ri, kësaj godine të re që mendohet të ndërtohet dhe të kompletohet një QSUT me një pamje krejt tjetër. Gjithsesi gjatë këtyre viteve janë bërë investime shumë të mëdha edhe në godinat ekzistuese, ku shtatëkatëshi për shembull ka përfunduar rikonstruksionin. Jemi në përfundim të rikonstruksionit të Neurologjisë, rikonstruksion i cili filloi në fund të muajt shkurt dhe atje pas përfundimit të këtij rikonstruksioni që përfundon brenda muajit qershor do të kemi një spital me një pamje krejt ndryshe, jo vetëm nga ana infrastrukturore e ndërtimit, por edhe nga ana e pajisjeve diagnostikuese dhe trajtuese. Mund të themi që ndërhyrjet që janë bërë në QSUT kohët e fundit janë vërtet ndërhyrjet kaq të specializuara sa ne na ngrenë në pjacën jo vetëm europiane, por edhe më gjerë të nivelit të shëndetësisë botërore. Gjithsesi, asgjë nuk bëhet me një hapur dhe të mbyllur të syve, kërkohet një kohë, kërkohen reforma, reforma të cilat janë ndërmarrë vazhdojnë të kryhen në sistemin e shëndetësisë. Reformat dhe investimet mbyllin kështu edhe fazën rikonstruksionit ose fazën e përmirësimeve infrastrukturore në QSUT dhe mbylljen totale të investimit të ndërtimit të godinës së re të QSUT-së sipas master-planit përfundon kështu QSUT-ja edhe nga ana e teknologjisë diagnostikuese dhe trajtuese e cila është nga më modernet në rajon sot për sot, por edhe nga infrastrukturore.

Çfarë ndodh me këtë trajnim trajnimi i bluzave të bardha, ku ka pasur raste që edhe një shtatëvjeçare ka humbur jetën?

Nuk mund të nisemi vetëm nga një rast për të thënë se shëndetësia shqiptare nuk ka siguri apo nuk ka atë nivel. Në fakt, mjekësia shqiptare vitet e fundit ka ecur me hapa aq të shpejtë që është për t’u admiruar nga shumë që e njohin shëndetësinë, por jo nga ata që nuk e njohin dhe dëgjojnë për shëndetësinë nga ana e televizionit. Realisht mjekët shqiptarë janë nga mjekët më të zotë, janë të kualifikuar sidomos brezi i ri në vendet europiane dhe kthehen në vendet e tyre për të ushtruar profesionin e mjekut. Në bazë të programit të Ministrisë së Shëndetësisë vazhdojnë të marrin pjesë nëpër kombëtare dhe ndë  rkombëtare, shkencore ku përfitojnë kredite, të detyruar për t’i përfituar për të vazhduar të jenë pjesë e atij stafi profesionist që bëjnë pjesë të një spitali të caktuar, qoftë ky, spital terciar siç është ‘Nënë Tereza’ apo një spital rajonal, apo spital rrethi. Rritja profesionale e mjekëve vazhdon në mënyrë dinamike duke i detyruar mjekët që ta bëjnë edukim të vazhdueshëm këto kredite.

Po rasti i spitalit të Durrësit, a nuk është mungesë profesionalizmi?

Rasti i Durrësit sot është çështje e prokurorisë dhe e organeve kompetente. Duhet të ketë masa, ashtu sikurse janë marrë masa përkatëse nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për mjekun, sipas mendimit paraprak që ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë për ngjarjen dhe masat janë marrë që nga shefat e shërbimit deri te pushimi nga puna i mjekut që ishte roje. Le të presim rezultatet e Prokurorisë dhe pastaj jam i gatshëm të ulem dhe të flasim për rastin në fjalë. Por e përgjithshmja nuk bëhet dhe nuk përgjithësohet nga një rast, e përgjithshmja është komplet ndryshe, e përgjithshmja është ajo që qytetari shqiptar e hasin e shikojnë nëpër spitalet tona kur përballen me bluzat e bardha dhe unë e kam theksuar që pavarësisht se ekziston një numër jashtëzakonisht i vogël, siç ishte rasti konkret në Durrës që një bluze e bardhë baltos gjithë kolegët, por realiteti nuk është ky. Janë raste sporadike dhe po ndërmerren të gjitha masat, janë ndërmarrë të gjitha masat jo vetëm për këtë rast por për çdo rast që është denoncuar në Ministrinë e Shëndetësisë, dhe mos prisni që të kemi raste të tilla fatale, por unë nuk kam pritur këto.

Si mund ta parandalojmë?

Së pari, duke përmirësuar sistemin me reforma të vazhdueshme. Së dyti, parandalime të menjëhershme. Rregullat janë absolutisht të forta, problemi është te zbatimi. Në çdo moment qoftë dhe në telefonin tim ka ardhur një ankesë nga qytetarët unë kam marrë masë të menjëhershme për ta verifikuar dhe kam marrë dhe masa, pavarësisht se nuk jam nga ata që dua të bëhem shumë publik për të dalë për të dhënë lajmin se u pushua ky mjek në filan spital, ose ky infermier është larguar nga puna.

Po ndoshta duhet për të parandaluar raste të tilla?

Nuk besoj se këto parandalohen me frikë. Unë thashë janë reformat ato që bëjnë përmirësimin e sistemit të shëndetësisë në tërësi që ndikon pastaj në përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe në sigurimin e shërbimit shëndetësor.