Shtrenjtimi i heshtur i energjisë

399

Nga Blerina Hoxha  /

Rreth 6300 biznese të konsumit 35 dhe 20 kilovolt të energjisë, duke filluar që nga muaji tjetër, mund ta blejnë energjinë elektrike 16-35% më shtrenjtë nga OSHEE si pasojë e hyrjes në fuqi të liberalizimit të tregut, nëse nuk do të arrijnë ta sigurojnë në treg të lirë. Bizneset janë të alarmuara nga mungesa e tregut, çmimet e larta dhe mungesa e rregullave. Çmimet në të gjitha produktet e pakicës rrezikojnë rritjen, për shkak të kostove të larta të energjisë. Nikolin Jaka i Dhomës së Tregtisë kërcënon: Nëse nuk zgjidhet kjo çështje ndërpresim aktivitetin  dhe zhvendosemi në rajon                                            

Bizneset do të përballen edhe këtë vit me rritje të kostove të aktivitetit që po vijnë nga vlera më e lartë e furnizimit me lëndë të parë. Pas rritjes me rreth 20% të çmimit të gazit në ditët e para të janarit, bizneset e mëdha muajin tjetër mund të paguajnë fatura më të larta të energjisë me të paktën 16%. Të përfshira në procesin e liberalizimit të tregut, 80 konsumatorët nga rrjeti 35 kilovolt, do të duhet të gjejnë energji në treg të lirë me tarifa tregu (minimumi 7.3 lekë/kvh) dhe krahas tyre do të faturohen që nga shkurti me 1.5 lekë më shumë për kilovatorë, si tarifë aksesi. Ndërsa 6200 bizneset e tjera që furnizohen nga rrjeti 20 kilovolt do të paguajnë nga mesi i vitit 3.9 lekë më shumë për kilovatorë, po i tarifë aksesi. Këto tarifa do t’i paguhen Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë për përdorimin e rrjetit si një shtesë mbi çmimin aktual të energjisë.
Këto biznese do të faturohen në këtë mënyrë pasi janë përfshirë në grupin e bizneseve që do të furnizohen në tregun e lirë të energjisë dhe duhet të nxitojnë për të gjetur tarifa më të lira, në mënyrë që të amortizojnë koston e përdorimit të rrjetit.
Të parët janë bizneset e rrjetit 35 KV, që duhet të gjejnë deri muajin tjetër një furnizues privat dhe në çdo rast do të paguajnë në kompaninë publike OSHEE tarifën e përdorimit të rrjetit prej 1.5 lekë për çdo kilovat. Edhe po nuk arritën të gjejnë furnizues, bizneset mund të furnizohen sërish nga OSHEE, por me çmime më të larta, – sqaruan burimet zyrtare të Ministrisë së Energjetikës.
Nëse nuk arrijnë ta gjejnë në treg të lirë, bizneset do i drejtohen OSHEE-së dhe do i paguajnë asaj tarifat shtesë përkatëse (krahas çmimit aktual 9.5 lekë për bizneset e linjës 35 kv dhe 11.5 për ata të linjës 20 kv).
Tashmë infrastruktura teknike për të nxjerrë në tregun e lirë fashën e parë të 40 konsumatorëve e mëdhenj është gati dhe ata do të duhet të paguajnë më shumë që nga muaji shkurt, ndërsa të tjerët në muajt në vijim.
Teksa entet publike kanë bërë gati të gjithë infrastrukturën e sistemit matës dhe bazën rregullatore për t’iu përgjigjur liberalizimit, bizneset që e pësojnë nga ky proces nuk janë gati. Adi Haxhiymeri nga fabrika e përpunimit të miellit “Bloja”, pjesë e bizneseve që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt tha se, ende nuk ka gjetur një furnizues energjie nga tregu privat. I gjetur mes disa problematikave të tjera, si rritja e çmimit të gazit dhe konkurrenca e pandershme e miellit nga Serbia, Haxhiymeri tha se ende nuk ka hulumtuar për një furnizues energjie. Ai pohoi se do të ishte shkatërrimtare për industrinë përpunuese nëse kostot do të rriteshin më tej.
Në këto kushte, konsumatorët e mëdhenj të energjisë do të dalin në një treg jo të plotë. Nga krahu tjetër, prodhuesit privatë (HEC-et koncesionare) që presupozohet se do të furnizonin, pohojnë se e kanë të pamundur. Varësia nga reshjet i bën ata të padisponueshëm për të furnizuar në mënyrë konstante me energji konsumatorët, cilësdo kategori qofshin. Bledar Mehmeti, që po administron me koncesion hidrocentralin e Tervolit, një nga më të mëdhenjtë në sektorin privat të HEC-eve, pohoi se nuk mund të lidhte kontratë shitje energjie me asnjë biznes. Mehmeti thotë se prodhimi në HEC-in e Tervolit është i varur plotësisht nga reshjet, kushtet atmosferike dhe duke mos qenë i bazuar në prodhimin e energjisë me basen, ai nuk mund të sigurojë energji në mënyrë konstante. Në këtë mënyrë, prodhojnë energji edhe të 110 HEC-et e tjera që janë në punë.
Koncesionarët aktualisht kanë blerës të sigurt OSHEE me 7,3 lekë për kilovat orë dhe nuk do të rrezikonin me bizneset private të cilat shpesh kanë edhe vështirësi në pagesa. Kështu bizneset e mëdha nuk kanë shumë zgjidhje në sfond, ndaj do të duhet ose të kenë në pronësi vetë një burim energjie ose ta blejnë tek OSHEE me çmime 15% më të lartë.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Shqipëri po kalon në një terren të brishtë, pasi dalja në treg e bizneseve është bërë pa krijuar tregun dhe modelin e tij. Krijimi i bursës shqiptare të energjisë, e cila do të funksiononte si një platformë ditore për blerjen dhe shitjen e energjisë, duket se ka ngelur një projekt në letër që nuk do të mund të materializohet shumë shpejt, për shkak të angazhimit teknik dhe ekspertizës së lartë që kërkon.

Çfarë ka ndryshuar

Deri tani bizneset 20 dhe 35 KV furnizoheshin nga OSHEE me çmim fiks të përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë. Bizneset e linjës 20 KV paguajnë 11 lekë për kv/orë dhe ata të linjës 35 kv paguajnë 9.5 lekë për kv/orë (çmimet janë pa TVSH).
Me liberalizimin e tregut këto biznese janë të detyruara ta gjejnë vetë energjinë në treg të lirë, me çmimin e tregut nga tregtarët e energjisë ose prodhuesit vendas. Aktualisht, çmimi me të cilin OSHEE u blen energjinë prodhuesve vendas është 7.3 lekë/kv orë. Nëse supozohet se biznesi do e blejë po me këtë çmim, do të paguajë 7.3 lekë+1.5 lekë = 8.8 lekë (pa TVSH) për linjën 35 kv dhe 7.3 lekë+3.9 lekë =11.2 lekë për linjën 20 kv.
Në rast se biznesi nuk arrin ta sigurojë vetë energjinë në treg të lirë, burimi i fundit është OSHEE, por kjo e fundit tashmë mbi çmimin e fiksuar 9.5 dhe 11 lekë/kvh do të marrë tashmë dhe tarifën përkatëse të aksesit, prej 1.5 lekë dhe 3.9 lekë. (përkatësisht 11 lekë dhe 14.9 lekë). OSHEE i ka vendosur këto tarifa aksesi që t’i nxisë sipërmarrjet të kërkojnë energji në treg dhe t’i dekurajojë t’i drejtohen asaj, përveçse si alternativë fundore.
Këtu ka disa probleme, sipas prodhuesve:
-Çmimi nuk është i fiksuar dhe prodhuesit mund ta shesin më shtrenjtë se ia japin sot OSHEE-së pasi ka risk më të lartë, pra bizneset edhe në tregun e lirë mund ta blejnë energjinë më shtrenjtë sesa sot.
-Në kohë thatësire apo konsumi të lartë, çmimi mund të rritet dhe bizneset do të jenë të pambrojtura, ndryshe nga konsumatorët që do të vazhdojnë të paguajnë energjinë me tarifë fikse.
-Vetë prodhuesit kanë pohuar se nuk kanë interes të furnizojnë bizneset, sidomos për linjën 20 KV, sepse sasia e energjisë e kërkuar është relativisht e ulët, dhe kanë frikë nga mungesa e korrektesës në pagesa. Për konsumatorët 35 kv leverdia është më e madhe, sepse konsumi i tyre është më i lartë.

Ishte

Deri tani bizneset 20 dhe 35 KV furnizoheshin nga OSHEE me çmim fiks të përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë. Bizneset e linjës 35 KV paguanin 9.5 lekë për kv/orë dhe ata të linjës 20 kv paguanin 11 lekë për kv/orë (çmimet janë pa TVSH).

Bëhet

Me liberalizimin e tregut bizneset e linjës 35 dhe 20 kv janë të detyruara ta gjejnë vetë energjinë në treg të lirë, me çmimin e tregut nga tregtarët e energjisë ose prodhuesit vendas. Krahas çmimit të blerjes në treg (për referencë prodhuesit sot ia shesin OSHEE me 7.3 lekë për kv/orë) do paguajnë dhe tarifë aksesi (1.5 lekë për linjën 35 kv dhe 3.9 lekë për linjën 20 kv). Nëse nuk e blejnë në treg varianti i fundit do jetë OSHEE, por çmimi tani shkon përkatësisht 11 dhe 14.9 lekë/kvh pa TVSH.