Stadiumi “Qemal Stafa” nuk shembet, hyn në mes politika

334

Të gjithë prisnim nisjen e procedurave për shembjen e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” dhe ringritjen aty të një impianti të ri kombëtar të futbollit, një stadium me mbi 25 mijë vende. Por kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i ftuar në emisionin televiziv “Opinion” të Blendi Fevziut, theksoi e “Qemal Stafa” nuk do të prishet pasi ai është pjesë e arkitekturës së Tiranës, por ka një projekt për ndërtimin e një impianti modern aty ku sot është “Selman Stërmasi”, ose stadiumi “Dinamo” siç njihet ndër sportdashësit.

Ai pohoi se Federata Shqiptare e Futbollit mund të rikonstruktojë stadiumin “Qemal Stafa”, por nuk mund ta prishë atë për të ndërtuar një impiant të ri me pamje tjetër dhe ku të përmbajë edhe një qendër tregtare. “Në planin e ri urbanistik nuk parashikohet ndërtimi i një stadiumi të ri te ‘Qemal Stafa’. Do ngrihet stadiumi ‘Dinamo’ sipas standardeve të UEFA-s. Gjithashtu do të ketë një stadium të ri në fund të trajektores së bulevardit të ri”, – ka deklaruar ndër të tjera kreu i Bashkisë së Tiranës. Problemi Sipas Bashës nuk do lejohet që stadiumit ekzistues në kryeqytet (“Qemal Stafa”) t’i prishet fasada arkitekturore. “Nuk do të lejojmë t’i prishet pamja arkitekturore “Qemal Stafës”. Stadiumi “Qemal Stafa” nuk do të shembet. Nëse federata kërkon ta rindërtojë për ta përshtatur me standardet e UEFA-s, nëse fondet ekzistojnë, bashkia do të japë mbështetjen e saj”, – ka sqaruar Basha.

Plani “B” Stadiumi i ri do të ndërtohet përgjatë bulevardit, por ndërkohë bashkia ka edhe një plan për rikonstruksionin e impiantit “Selman Stërmasi”. Basha deklaroi rindërtimin e stadiumit “Selman Stërmasi”, me partneritet privat. Stadiumi do të ketë kapacitete mbajtëse sa i përket parkimit. “Stadiumi i ri do të jetë në këtë aks si pjesë e disa institucioneve kulturore publike. Paralelisht Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat për rindërtimin e stadiumit të ri ‘Selman Stërmasi’”. Më parë, ishte projektuar një stadium me kapacitet me mbi 25 mijë vende, i cili do të kushtonte rreth 60 milionë euro. 10 milionë euro do t’i investonte FIFA, rreth 3 milionë euro qeveria shqiptare, ndërsa pjesën tjetër Federata Shqiptare e Futbollit. Por projekti duket e do të dështojë, pavarësisht hapave që ka ndërmarrë deri tani FSHF në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n.