Tahiri kalon në “arrest shtëpie”!

179

Një zhvillim i ri ka ndodhur sot rreth “Çështjes Tahiri”. Gjykata e Krimeve të Rënda njoftoi se ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Punëve të Brendshme, përkundër arrestit me burg pa afat që kishte kërkuar prokuroria.

“Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Saimir Bashkim Tahiri, i datëlindjes 30.10.1979, si person i dyshuar për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal” bëhet e ditur zyrtarisht.

Kryeministri Edi Rama reagoi me këtë rast duke u shprehur se vendimi nuk komendohet, por respektohet. “Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike” shkruajti zoti Rama në Fejsbuk.

Ky zhvillim vjen vetëm një javë pasi ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit dhe u tregua i gatshëm dhe i vendosur të përballej me drejtësinë. Prokuroria pretendon se ka gjetur provatë reja për ish ministrin, ndërsa ka kërkuar shtyrjen dy herë të afatit të hetimeve. Zoti Tahiri ka kundërshtuar vazhdimisht përfshirjen e tij në aferat kriminale për të cilat akuzohet duke i konsideruar akuzat si të motivuara politikisht, por opozita ka kërkuar me ngullm arrestimin e tij. Pak ditë më parë dhe kryeministri i vendit Edi Rama, gjatë një deklarimi lidhur me këtë çëshjtje, tha se ndaj zotit Tahiri ende nuk është gjetur asnjë provë që ta implikojë. Kjo u komentua në mënyra të ndryshme, fillimisht si përkrahje ndaj ish ministrit, por edhe si presion që ai mund ti ketë bërë ish shefit të tij.