Tavo: Celësi i suksesit në politikë nuk është forca që të jep pushteti !…

566

 Prononcim për mediat i deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Vangjel Tavo

vangjel 5

Zoti Tavo, forca juaj politike doli me një rezultat që siç quhet tashmë “spektakolar”. Kush ishte çelësi i këtij suksesi?

Padyshim që rezultati nuk është thjesht i kënaqshëm, ka qenë një rezultat spektakolar për LSI-në ashtu, sikurse ishte deklaruar nga lidershipi Ilir Meta që, LSI-ja në këto zgjedhje do të ketë një rezultat spektakolar dhe do të arrijë të marrë një numër mandatesh prej 16-17 deputetësh, pra realisht aq sa morëm. Unë mendoj se në arritjen e këtij rezultati ka ndikuar programi që paraqiti LSI-ja tek qytetarët, që padyshim ishte një program i qartë e i hartuar me këmbë në tokë, siç thotë populli, i hartuar me mundësitë reale për ta zbatuar këtë program që të mos jetë thjesht program elektoral por, më shumë qeverisës. Të gjithë çështjet që programi LSI-së prekte ishin dhe janë çështje që prekin problematikat, si integrimi, punësimi, zhvillimi ekonomik i vendit.

Një tjetër faktor i rezultatit të arritur është se, LSI-ja me politikën që ka ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve është kundër konfliktualitetit dhe larg ekseseve ku, jemi përpjekur të bashkojmë forcat politike të tjera, dy forcat e mëdha e t’i ulim në tavolinë për shumë çështje të rëndësishme, reforma të rëndësishme, të cilat ishin shumë të domosdoshme për t’u realizuar në mënyrë që vendi ynë të merrte ftesën e vendit kandidat në BE. Këtu theksoj se, edhe miratimi i tre ligjeve në parlament me këmbënguljen e LSI-së, me këmbënguljen e Ilir Metës ka ndikuar ndjeshëm edhe në rezultatin e ndjeshëm të 23 qershorit. Ne gjatë gjithë fushatës elektorale, por dhe të ekzistencës së LSI kemi manifestuar një qetësi, një kulturë të veçantë duke mos sulmuar asnjë forcë dhe kandidat të partive të tjera. Përkundrazi ne po punonin me elektoratin ku kemi bërë një fushatë model në krahasim me forcat e tjera politike. Ndaj dhe për këtë them se këto kanë qenë faktorët e rëndësishëm të këtij rezultati spektakolar. Ajo që dua të theksoj e që është më e rëndësishme, është se lidershpi i LSI-së, Ilir Meta që shquhet një njeri shumë i vendosur që kur thotë diçka e realizon dhe, fundja fundit këtë duan, një lidership të tillë, kryetar të një partie të forcës së tyre që jo të marrin premtime elektorale sikurse ka ndodhur në këto 22 vite demokraci, ku dhe njerëzit janë lodhur me premtimet. Pra, duke qenë se njerëzit janë zhgënjyer nga gënjeshtrat elektorale nga forcat e ndryshme politike, këtë fushatë njerëzit kishin dëshirë të dëgjonin diçka nga një njeri që kur e jep fjalën e mban dhe, ky ishte Ilir Meta dhe besoj se ka ndikuar edhe kjo në këtë rezultat spektakolar të LSI-se në rang kombëtar.

 

Nëse do vijmë në Gjirokastër unë mendoj se të gjithë arsyet që përmenda më lart. Gjirokastra ka një specifikë tjetër, unë jam deputet me përvojë të gjatë në këtë qark, por jam një njeri që njoh shqetësimet e kësaj zone. Jam i lidhur dhe kam qenë i lidhur me këtë zonë e nuk i kam parë njerëzit në raport me deputetin si deputet me elektoratin, por përkundrazi që me ta të ndërtojë marrëdhënie miqësore e njerëzore të cilat vazhdoj t’i ruajë. Unë në karrierën time në politikë ka nxjerrë një mësim; “çelësi i suksesit në politikë nuk është forca që të jep pushteti” qoftë kjo karrigia e deputetit apo ministrit që unë i kam provuar. Pra çelësi suksesit, të zgjidhësh problemet e të angazhohesh për t’i zgjidhur gjë të cilën e kam bërë në këto 17 vite.

Një tjetër çështje është ajo e emrave në ekzekutiv. Ka nisur LSI-ja të shqyrtojë emrat? Ndërkohë kemi një grup pune të përbashkët dhe, kryetari PS-së tha se do ngrihen grupe të tjera, siç do të jetë edhe ai i burimeve njerëzore?

Padyshim që grupet do të jenë të përbashkët për çdo sektor. Grupin e punës së 300 ditëve e keni parë, ndërkohë për çdo sektor do ketë grupe të veçanta, shëndetësi, arsim, sociale, financa ku grupet do jenë të përbashkëta e do merren konkretisht me mundësitë reale të çdo sektori në veçanti.

Një pyetje lidhur me qeverinë e re. Thuhet se do merrni pesë ministri, a është e vërtetë?

Nuk ka lidhje asgjë nga ajo çka thuhet. Sikurse është deklaruar nga Rama dhe Meta është ende herët për të folur për dikasteret që do drejtohen nga LSI-PS apo aleatë të tjerë. Është shumë e rëndësishme të përcaktohen objektivat, të vihen piketat se ku do duhet të shkojë kjo qeverisje kjo aleancë PS-LSI e aleatët që janë pjesë e kësaj mazhorance. Pak rëndësi ka kush do të jetë dikasteri që do drejtojë LSI-ja apo të tjerat forca politike të koalicionit.

Duke parë këtë rezultat të kënaqshëm për ju. Ka një lloj debati mes jush e PS-së. A ka përfituar më shumë LSI nga PS apo socialistët përfituan nga LSI-ja, duke parë edhe rezultatin?

Nëse do flasim për qarkun e Gjirokastër, se unë për atë mund të flas më mirë, pasi duhen parë në dinamikë të gjitha rezultatet e qarqeve. Por kam përshtypjen se pas këtij rezultati ku ka fituar e majta, x mandate PS, x mandate LSI ajo që është e rëndësishme është se, koalicioni i majtë jo vetëm e ka arritur objektivin, por e ka tejkaluar. Kemi kapur 83 mandate që është një rezultat jo vetëm i kënaqshëm por tejet parashikimeve që kanë bërë PS-LSI, flas për rezultatin e të gjithë koalicionit. Pra pas gjithë këtij rezultati është e rëndësishme që ka fituar koalicioni i majtë dhe tashmë ka një përgjegjësi të madhe në qeverisjen e vendit dhe, kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve që dhanë votën plebishitare në 23 qershor. Nëse do flasim për qarkun e Gjirokastrës ka një rënie 4.4% të votave të PS-së në këtë qark dhe, ka një rritje të LSI-së nga 2005 në 2009 kemi arritur 11 mijë e 600, kështu analizat flasin vetë se kush ka fituar më shumë e më pak. Pra duhet të merremi seriozisht me përgjegjësinë që na ka ngarkuar elektorati.

Le të flasim pak për ndryshimet e famshme kushtetuese dhe veçanërisht ndryshimit të kodit zgjedhor. A do t’i rikthehet Lëvizja Socialiste për Integrim kësaj çështje për të cilën në vitin 2008 kjo forcë politike hyri edhe në grevë urie?

Besoj se do të jete një nga çështjet që do diskutohet në këtë mazhorancë e koalicion të forcave të majta. LSI-ja nuk mund ta harrojë atë që ka ndodhur në 2008-n dhe, normalisht jo vetëm nuk duhet ta harrojë por, në çdo moment do jemi të gatshëm që të rishikohen ato ndryshime që normal janë bërë me qëllim jo të mirë për LSI-në por, energjia e kësaj force ka treguar që jo vetëm nuk u dëmtua por, përkundrazi doli e më e fuqishme. Megjithatë çështje për cilat LSI-ja ka denoncuar e protestuar padyshim do të jenë në qendër të vëmendjes së LSI-së.

Si do i komentoni akuzat e kandidatit për kryetar të PD-së, Sokol Olldashi ndaj LSI-së?

As LSI as unë nuk kemi qenë pjesë e ndonjë bande imagjinare që z. Olldashi pretendon, përkundrazi pyetjen do ia kthej z. Olldashi, sepse ai e di çdo të thotë bandë. Ne kemi shumë gjëra të rëndësishme për t’u marrë dhe, po merremi shumë seriozisht me përgjegjësitë që na ka ngarkuar elektorati jo vetëm i majtë, por edhe ai që nuk ka votuar në 23 qershor. Ne do të jemi të angazhuar t’i kthejmë këtë besim të dhënë.