Tavo: Të zgjidhet problemi i “toponimeve” .

389

Tavo: Të zgjidhet sa më shpejt problemi i “toponimeve” me Greqinë.

tavo-pasaport

Nuk mund të përbëjë asgjë tjetër përveçse çudi dhe paradoks ky fakt për një vend si Shqipëria, e cila pretendon të fitojë statusin e vendit kandidat në Samitin e qershorit në Greqi . Edhe pse gjithkush nga ne është në dijeni të këtij ngërçi, po ju rikujtoj se mijëra qytetarë shqiptarë në Greqi, mes tyre dhe shumë qytetarë shqiptarë me kombësi greke, jo vetëm që nuk mund të kalojnë kufirin për të parë të afërmit e tyre në fundjavë, por nuk mund të kryejnë asnjë transaksion ligjor, përderisa shteti grek nuk njeh toponimet me emërtesat e vendit tonë. Kjo situatë është e pafalshme. Në radhë të parë për ne, politikanët që po lëmë qytetarët tanë të vuajnë në vitin 2014.

Si politikan, për dijeni të opinionit publik, risjell në vëmendje faktin se emërtesat e toponimeve sugjerohen nga komisionet përkatëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu siç i ka depozituar çdo shtet anëtar i këtij organizmi. Gjithashtu sjell në vëmendje të opinionit Rezolutën 1005/2011 të datës 25.10.2011 të Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Europës për çështjen e toponimeve. Kjo çështje, e diskutuar për herë të parë në datën 03.10.2012 në Athinë, pas vizitës që kreu ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Edmond Panariti, vazhdon ende të jetë shqetësim .

Gjej rastin të falenderoj publikisht edhe institucionin e Avokatit të Popullit në Republikën e Shqipërisë, një ndër institucionet e vetme që e ka ngritur zërin për çështjen e toponimeve dhe që me nismat që ka ndërmarrë dhe po vazhdon të ndërmarrë, është sugjeruesi kryesor i qeverisë sonë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Dua të falenderoj gjithashtu qytetarët shqiptarë në Athinë, Selanik dhe në qytete të tjera të Greqisë për kurajon civile që treguan, duke kërkuar zgjidhjen e problemit të toponimeve. Unë jam në krahun e këtyre qytetarëve dhe përsëris thirrjen që bëra më sipër ndaj institucioneve përgjegjëse, që t’i bashkohen zërit dhe shqetësimit të komunitetit shqiptar që jeton në vendin fqinj, në mënyrë që të mos përsëriten skena që mbajnë era mesjetë në kufirin shqiptaro- grek apo anasjelltas. Këtë thirrje e kam bërë edhe në një mbledhje të Këshillit të Ministrave në shkurt të 2013-s duke kërkuar zgjidhjen e problemit në fjalë . Zgjidhje e cila ende nuk ka ardhur .

Jam i sigurt se çdo deputet i Parlamentit Shqiptar ka me dhjetëra votues të tij që vuajnë pasojat e çështjes së toponimeve . Është absurditet t’u mëshojmë akoma nacionalizmave të sëmura dhe të lëmë qytetarët shqiptarë të vuajnë. Po kaq absurd është edhe fakti i mëshimit të  shahut diplomatik në kurriz të hallexhinjve, të cilët nuk kërkojnë veçse të vizitojnë vendlindjen pa pengesa dhe të kryejnë transaksione ligjor si çdo qytetar i Europës së Lirë. Kjo deklarate vjen pikërisht sot , pasi sipas informacioneve mësohet se nesër ministri ynë i Jashtëm, zoti Ditmir Bushati, për një takim në kuadër të Kartës së Adriatikut, do të vizitojë shtetin grek. Gjithashtu së shpejti vjen në Tiranë Ministri i Jashtëm i Greqisë, zoti Evangjellos Venizellos. Prandaj , kjo deklaratë, le të shërbejë si ftesë për trajtim serioz të problemit tashmë të njohur, nga dy ministrat përkatës .

toponimet