Tifozët kuqezi: Do ta bëjmë Oslon të flasë shqip!

316

Shqipëria do të përballet më 22 mars ndaj Norvegjisë, ndërsa kanë nisur që tani përgatitjet nga ana e tifozëve shqiptarë për ndeshjen e parë Eliminatore të Kombëtares për këtë vit kalendarik. Salih Shala përfaqësues i “Tifozëve Kuq e Zi” për Suedinë ka thënë për portalin “sport. info” se pritet një pjesëmarrje shumë e madhe e shqiptarëve në këtë takim. “Vetëm nga Suedia i kemi prenotuar 4 autobusë, që nënkupton se mbi 300 persona do të udhëtojnë vetëm në mënyrë të organizuar, pa llogaritur edhe ata që udhëtojnë në mënyrë private”, ka thënë Shala. Ai paralajmëron se përveç vendeve skandinave, priten grupe të organizuara nga Anglia, Zvicra, Gjermania dhe shtete tjera europiane. Shala ka bërë të ditur se janë lënë vetëm 7 ditë në dispozicion, për rezervimin e biletave, në tribunën ku do të jetë e vendosur “TKZ-ja”, duke rikujtuar se çmimi i biletave në sektorin e “Tifozëve Kuq e Zi” është 45 euro. “Besoj që mbi 2000 shqiptarë do te jenë  vetëm në tribunën e “TKZ-së” dhe me siguri që tjerët do të shpërndahen nëpër stadium. “Nuk përfundon me kaq. “Tifozët Kuq e Zi”, kanë përgatitur një koreografi gjigante, që do ta bëjë Oslon të flasë shqip”, ka përfunduar Salih Shala.