Trafikimi, Shqipëria del nga vëzhgimi

497

DASH

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor të trafikimit të personave për 2013-n, i cili shënon një përparim të lehtë të vendit tonë në klasifikim. Nga lista e vëzhgimit “Grupi 2”, ku ishte një vit më parë, Shqipëria tani renditet më lart, në “Grupin 2”. Raportin e paraqiti në Uashington, shefi i diplomacisë amerikane, John Kerry. “Ky nuk është thjesht një raport, është një thirrje për veprim, është një apel ndaj ndërgjegjes”, u shpreh Sekretari i Shtetit, Kerry. Dokumenti tregon se Shqipëria vazhdon të konsiderohet një vend burimi dhe destinacioni për burra, gra dhe fëmijë, të cilët i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar, si brenda vendit, ashtu dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Qeveria nuk i përmbush plotësisht kushtet minimale për eliminimin e trafikimit, thuhet aty, megjithatë po merren masa të konsiderueshme në këtë drejtim. Tetorin e 2013-s u emërua një koordinatore e re kombëtare anti-trafikim, e cila në Dhjetor mori nismën e ngritjes së një “Task-Force” të posaçme për të përmirësuar koordinimin midis policisë, prokurorëve dhe gjykatësve. Agjencitë e zbatimit të ligjit, vazhdon raporti, e përmirësuan të kuptuarit e një përqasjeje ndaj trafikimit njerëzor me viktimën në qendër, ndonëse duhet edhe më shumë punë, sa i takon përmirësimit të eficiencës së tyre operative, në identifikimin e rasteve dhe çuarjes drejt ndjekjes penale.

 Qeveria e shtoi nivelin e viktimave të identifikuara, por një numër i vogël autorësh të trafikimit u ndoqën penalisht dhe u dënuan.

DASH rekomandon hetimin dhe ndjekjen penale në mënyrë energjike të kundravajtjeve të trafikimit dhe ndëshkimin e autorëve të tyre. Nga Shqipëria kërkohet të sigurojë, që viktimat të kenë akses te ndihma, mbështetja dhe mbrojtja specifike, përfshirë këtu shërbimet e riintegrimit; të ofrojë financim për OJQ-të, për strehat dhe shërbimet e ndihmës për viktimat, përfshi nëpërmjet fondit të posaçëm për parandalimin e krimeve; të zgjerojë njësitë e përbashkëta të lëvizshme, që administrohen nga grupet e shoqërisë civile dhe agjencive zbatuese të ligjit për të shtuar identifikimin e viktimave; të trajnojë prokurorë e gjykatës mbi amendamentet e fundit ligjore të lidhura me trafikimin, si dhe të trajnojë zyrtarët në njësitë për mbrojtjen e fëmijëve.

Trafikimi, Arvizu: Përgëzoj qeverinë

“Kur trafikantët të ndëshkohen, atëherë do shikojmë ndryshim në Shqipëri”

Aleksandër Arvizu, kryediplomati amerikan në Tiranë, dha këtë koment pas publikimit të raportit vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit, për trafikun e qenieve njerëzore.

trafikimi-arvizu-pergezoj-qeveri

“Shqipëria mori lajme të mira në raportin e këtij viti dhe unë dua të përgëzoj qeverinë shqiptare për përparimin e mirëfilltë, që ka bërë në këtë çështje. Është e qartë për mua dhe është e qartë për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, se qeveria e re e ka marrë këtë çështje seriozisht, dhe se është duke bërë përpjekje domethënëse për ta afruar Shqipërinë, edhe më shumë, pranë përmbushjes së standardeve ndërkombëtare. Emërimi i Znj. Elona Gjebrea, e cila ka qenë aktiviste shumë aktive e shoqërisë civile, përpara ardhjes në qeveri, si zv/ministre e Brendshme, por edhe si koordinatorja kombëtare për luftën kundër trafikimit të njerëzve, më duket se ka qenë një hap shumë pozitiv. Ajo ka demonstruar vëmendje serioze dhe të qëndrueshme, ndaj përpjekjeve anti-trafikim dhe ne e vlerësojmë shumë këtë. Mirëpresim përpjekjet dhe vëmendjet e rigjallëruara ndaj çështjes së trafikimit njerëzor, megjithatë, shumë më tepër duhet bërë për të përmirësuar historinë e Shqipërisë në këtë drejtim”, tha ambasadori Arvizu.

Ambasadori Arvizu shpjegon, gjatë kësaj interviste për Top-Channel, arsyet që bënë të mundur daljen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim.

“Është shumë e rëndësishme të vërej për shikuesit tuaj se ‘Grupi 2’ nënkupton se çfarë është Grupi 2, dhe do të thotë që, ndërkohë që qeveria po bën përpjekje domethënëse, ajo ende nuk përmbush plotësisht ato që i quajmë standardet minimale për eliminimin e trafikimit, siç janë përcaktuar në ligjin e SHBA dhe ligjet ndërkombëtare. Tri hapat kyç janë: ndjekje penale, mbrojtja dhe, e treta, parandalimi. Më e rëndësishmja është të hetohen dhe ndiqen penalisht kundravajtjet e trafikimit dhe kjo nënkupton dënimin dhe ndëshkimin e trafikantëve. Dua vërtet ta theksoj këtë pikë, sepse vetëm kur trafikantët të hetohen penalisht dhe të ndëshkohen, atëherë do të fillojmë të shohim ndryshim të vërtetë, këtu në Shqipëri. Sigurisht, shumë më tepër vëmendje i duhet dhënë mënyrës, se si të ndihmohen dhe mbrohen edhe viktimat. Duam të nxisim qeverinë shqiptare, që të bëjë më shumë për të rritur numrin e viktimave të identifikuara dhe pastaj të ndihmuara”, shtoi Aleksander Arvizu.

Përse Shtetet e Bashkuara i japin një rëndësi të veçantë monitorimit të këtij lloj trafiku, në të gjithë botën, duke prodhuar një raport të përvitshëm?

“Përgjigja më e mirë, për këtë pyetje kaq me vend, është të perifrazoj shumë shkurt, atë që ka thënë Presidenti Obama, jo shumë kohë më parë. Presidenti u shpreh se trafikimi njerëzor është diçka, që duhet të shqetësojë çdo person, sepse përbën një poshtërim të njerëzimit, e thenë thjesht. Duhet të shqetësojë çdo komunitet, sepse gris pikërisht kohën sociale të shoqërisë. Duhet të shqetësojë çdo vend, kudo në botë, sepse rrezikon shëndetin publik dhe furnizon dhunën dhe krimin e organizuar. Presidenti dhe ne flasim për padrejtësinë, tmerrin e trafikimit njerëzor; të mos i vijmë rrotull, por ta quajmë me emrin që ka: një formë moderne e skllavërisë”, përfundoi Arvizu.

Ministri Tahiri: Raporti, vlerësim dhe nxitje për të ecur përpara

saimir-tahiri

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë një deklarate për shtyp theksoi se raporti i DASH-it “është dëshmi e rëndësishme për përpjekjet e qeverisë në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore”.

“Qeveria e kaluar e renditi Shqipërinë në listën e vendeve nën vëzhgim. Falë punës dhe rezultateve të këtyre muajve, DASH-i vëren se kemi punuar mirë. Ky raport është një vlerësim dhe nxitje për të ecur përpara me ritme më të shpejta në luftën kundër trafikut. Ky raport shënon një angazhim të përmbushur të qeverisë Rama që kurorëzohet me ngritjen e Shqipërisë në nivelin e dytë”, theksoi ministri.

“Në vitin 2013 janë vetëm dy raste të dënuara për veprën penale të trafikimit. Duhet punuar për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit”, shtoi zoti Tahiri.

Ministri i Brendshëm deklaroi se do të punohet që vitin tjetër të kemi rezultate më të mira: “Jemi të vendosur për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e vendeve problematike të trafikimit”.

trafikimi ne focus

/ Top Channel