Transparency International : Mbi 63 % e shqiptarëve pohojnë se korrupsioni ka prekur shtetin.

62

Raporti i ri i Transparency: Shqipëria ka rezultatin më të keq të shteteve të Ballkanit

Ndonëse jemi vetëm disa muaj para vendimmarrjes të BE për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë, për anëtarësim në BE, Shqipëria jo vetëm nuk bën përparime në integrim, reformat e ndërmarra në drejtësi ende nuk po përmbushin pritshmërinë e shqiptarëve, por, përkundrazi, qeveria shqiptare shënon rekorde negative të transparencës për vitin 2018 dhe pse ligji për të drejtën e informimit e detyron të publikojë informacione zyrtare, ligj ky i miratuar në vitin 2014.

Transparency International: Shqipëria regres në transparencë

Raporti i ri i Transparency International mbi nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik thotë se Shqipëria ka rënë më poshtë në renditjen botërore, porsa i përket transparencës. Qëllimi themelor i ligjit për të drejtën e informimit është të sigurojë një publik të informuar dhe një administratë llogaridhënëse, por vë në dukje se pjesa më e madhe e institucioneve refuzojnë të jenë transparente apo dhe të japin informacion mbi vendimmarrjet e tyre. Për të vlerësuar nivelin e transparencës përmes publikimit të informacioneve dhe dokumenteve nga institucionet me iniciativën e tyre, u monitoruan programet e transparencës për 100 institucione gjatë vitit 2018.

63 shqiptarë mendojnë se Shqipëria është e korruptuar

 Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2018, i publikuar dje, mat nivelin e perceptuar të korrupsionit në sektorin publik në 180 vende dhe territore. Pikët variojnë nga 0 (perceptuar si shumë i korruptuar) deri në 100 (që perceptohen të jenë vendet më pak të korruptuara), duke përdorur vlerësimet e ekspertëve dhe sondazhet e opinionit. Shqipëria, me një rezultat prej 36 pikësh, renditej shumë pak më keq sesa Kosova dhe Maqedonia, të cilave u ishin dhënë 37 pikë. Për Shqipërinë, e cila ka rënë me dy pikë që nga viti i kaluar, zëdhënësja e Transparency International për Ballkanin, Lidija Prokiç thotë se rezultati i saj ngre shqetësime në lidhje me progresin e mëtejshëm të vendit, por shtoi se me procesin në vazhdim e sipër të vetingut të gjyqtarëve në vend dhe strukturën institucionale anti-korrupsion pothuajse të përfunduar, mbetet për t’u parë nëse institucionet e saj do të përmbushin pritshmëritë vitin e ardhshëm.

Mungesë transparence për koncesionet dhe në informimin publik të treguesve ekonomikë

Studimi zbuloi se 40 % e institucioneve nuk kanë program transparence, refuzojnë t’u përgjigjen kërkesave zyrtare për informim, apo dhe në rastin më të keq, nuk kanë as faqe interneti, duke lënë tërësisht në terr informative publikun. Në faqet zyrtare të institucioneve mungojnë informacione që vërtet kanë vlerë për t’u publikuar ku spikat mangësia pothuajse totale e informacionit për monitorimin e kontratave të prokurimit publik dhe koncesioneve. Afro një e treta e institucioneve refuzojnë tu përgjigjen kërkesave për informacion për këto çështje, e gjithë detyrimin ligjor për përgjigje brenda një afati 10 ditësh pune (rreth 14 ditë kalendarike). “Është sidomos shqetësuese që shohim ndërhyrje të qeverive që po dobësojnë sistemin e kontrolleve dhe balancave, tepër i rëndësishëm për përpjekjet e suksesshme kundër korrupsionit dhe demokracinë funksionale,” tha zëdhënësja e Transparency International për Ballkanin, Lidija Prokiç. “Në vend të kësaj, të drejtat qytetare dhe politike po kufizohen dhe mbajtja përgjegjëse e qeverive po bëhet gjithnjë e më e vështirë.” Prokiç theksoi gjithashtu se angazhimi për demokracinë dhe sundimin e ligjit në rajon duhet të përmirësohet në të gjithë rajonin.