Tritan Shehu: Greqia është partner më strategjik se Turqia. Rama po tregon amatorizëm

264

 

rama_erdogan_477273

Ish- ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, në rrjetin social të Facebook-ut ka komentuar vizitën e kryetarit të PS, Edi Rama në Turqi dhe jehonën në media. Shehu thotë se Rama po tregohet amator, pasi partnerët strategjikë të Shqipërisë janë Italia dhe Greqia.

“Së pari unë dëshiroj ta përshëndes atë vizitë në një vend mik e shumë të rëndësishëm për ne e për rajonin në tërësi. Marrëdhëniet tona me Turqinë janë të shkëlqyera prej shumë vitesh e do të ngelin të tilla dhe në të ardhmen. Kjo është tashmë një traditë e konsoliduar. Por nuk ka pse të spekulohet me këtë fakt e as pse të bëhen lajka të pështirosura. Sot në mëngjes është shkruar në zëdhënësen e z. Rama, gazetën Shekulli qartësisht: “Qeveria e re vendos që partneri ynë kryesor do jetë Turqia”, shkrim që më tej u zhduk. Në Facebook u shkrua se “Turqia është partneri strategjik i ynë”, dhe më vonë u transformua në formulën e përgjithshme: “Turqia, partner strategjik”. Duhet të jemi seriozë e të mos konfondojmë terminologjinë shumë të rëndësishme diplomatike!

Të tilla veprime amatoreske, fëminore, nuk i kanë hije politikës së jashtme të një shteti serioz. Këto janë elemente të mirëpërcaktuar prej vitesh, të palëkundshme. Në nivelin e përgjithshëm të politikave globale, për rajonin e shumë më tej, partneri ynë madhor janë ShBA. Nga ana tjetër partneri ynë strategjik kryesor, porta jonë e integrimit europian, aleati ynë i madh historik, donatori kryesor publik për ne, është Italia. Askush nuk mund ta zëvendësojë rolin e saj në zhvillimin tonë ekonomik, social, politik, në ecurinë tonë drejt perëndimit. Këtë duhet ta themi me zë të lartë, hapur e qartë, pa tentuar të bëjmë servilizma infantile ndaj të tjerëve, qofshin këta dhe miq të rëndësishëm për ne.

Po kështu Greqia përbën një partner tjetër shumë të rëndësishëm strategjik, që ka sot peshën kryesore në investimet private në Shqipëri. Për ne është një avantazh i madh, që dy nga fqinjët tanë, Italia e Greqia, janë anëtare të BE e NATO-s.

Miqësitë apo rëndësia e këtyre vendeve për ne, nuk i bëjnë hije aspak marrëdhënieve tona shumë të rëndësishme me Turqinë mike. Gjithsecili ka vendin e tij. Lodrat e lajkat fëminore të bëjnë veçse të pabesueshëm te të gjithë,” shkruan ish ministri i Jashtëm Tritan Shehu në Facebook.

rama55