Trump godet Sirinë: Nuk lejojmë armët kimike kundër popullsisë civile

155

Nga Bledar Hoti

Shtetet e Bashkuara ndërmorën një goditje me raketa në Siri, si kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike të ditës së martë, për të cilin fajësohen forcat e presidentit Bashar al-Asad. Kjo është goditja e e parë e drejtpërdrejtë amerikane kundër qeverisë siriane. Me urdhër të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhjetëra raketa Tomahawk u lëshuan nga destrojerët e Marinës amerikane në Mesdhe, si përgjigje ndaj sulmit me armë kimike, ndoshta me gaz nervor sarin, për të cilin zyrtarët amerikanë besojnë se u ndërmor nga avionët sirianë kundër një qyteti të mbajtur nga kryengritësit në Siri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën me raketa bazën ajrore të Sirisë, nga ku besohet të jenë ngritur avionët përgjegjës për sulmin kimik të së martës në provincën e Idlibit.

Konkretisht  59 raketa “Tomahaëk” janë lëshuar në 04:40 me orën lokale nga një destrojer i vendosur në lindje të Mesdheut. Në një fjalim të shkurtër përpara mediave në Florida, Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje të gjithë kombeve të civilizuara t’i bashkohen Amerikës, për t’i dhënë fund masakrave dhe gjakderdhjes në Siri e për të goditur gjithashtu terrorizmin e çfarëdo lloji. “Të martën, Bashar al Assad ndërmori një sulm të tmerrshëm kimik kundër civilëve të pafajshëm, duke përdorur një agjent nervor vdekjeprurës. Assadi mbyti jetët e burrave, grave dhe fëmijëve të pambrojtur. Për shumë prej tyre ishte një vdekje e ngadaltë dhe brutale. Asnjë fëmijë i Zotit nuk duhet të vuajë një llahtar të tillë. Unë urdhërova një sulm ushtarak ndaj bazës ku u organizua kjo goditje. Ky ishte një veprim në mbrojtje të interesave jetike të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara për të parandaluar përhapjen dhe përdorimin e mëtejshëm të armëve kimike vdekjeprurëse. Nuk ka asnjë diskutim që Siria përdori armë të ndaluara të këtij lloji, duke shkelur kështu detyrimet e saj që burojnë prej Konventës së Armëve Kimike e duke injoruar Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Trump.

Por, ministri i Jashtëm sirian, Walid al-Moallem, e mohon përdorimin e armëve kimike: “E theksoj edhe një herë se ushtria jonë siriano-arabe nuk ka përdorur dhe nuk do të përdorë asnjëherë armë kimike ndaj popullit të thjeshtë, e nuk ka për t’i përdorur as mbi terroristët”. “Ajo çfarë Amerika ka bërë nuk është asgjë më shumë se sa sjellje e pamatur dhe e papërgjegjshme, që shfaq shkurtpamësinë e saj dhe verbërinë politike dhe ushtarake me realitetin”, thuhet në deklaratën e zyrës së presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad. Sulmin ajror të SHBA-së, edhe pse Rusia kishte dijeni për një gjë të tillë, Moska nuk ngurroi ta kontestonte dhe ta cilësonte si shkelje e sovranitetit të një shteti të pavarur, por mbi të gjitha kjo, sipas saj, do të dëmtojë marrëdhëniet mes dy shteteve. Putin mendon se këto sulme të SHBA-ve u ndërmorën për të hequr vëmendjen operacionit ushtarake që shkaktuan viktima të shumta të civilëve në Irak.

Ndërsa ky sulm është mbështetur nga pjesa më e madhe botës Përëndimore, por është kontestuar, veç Rusisë, dhe nga Irani. Zyrtarë të Pentangonit po deklarojnë se Rusia është bashkëfajtore në sulmin e armëve kimike të ndërmarrë nga Asadi, gjë që shtyu Trump të urdhëronte sulmin ajror. Burime konfidenciale thanë për “The Guardian” se zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se kishte personel rus në bazën e al-Shayratit në momentin kur gazi sarin u ngarkua në një avion sirian, por ende nuk e kanë përcaktuar qartë nëse rusët ishin në dijeni të asaj që do të ndodhte. Ndërkohë me kërkesë të Bolivisë u mblodh dje Këshilli i Sigurimit me urgjencë për të diskutuar mbi situatën më të re të kërkuar. Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley kërcënoi me një sulm tjetër ushtarak amerikan në Siri, pas bombardimit të regjimit sirian nga Uashingtoni si kundërpërgjigje ndaj sulmit kimik të kryer në provincën e Idibit.

“SHBA-ja ka marrë një vendim shumë të matur natën e kaluar me sulmin ndaj një baze ajrore siriane. Ne jemi gatshëm të bëjmë më shumë, por shpresojmë që kjo nuk do të jetë e nevojshme”, tha Haley. Por a do të thotë kjo një luftë e re në botë dhe përplasje forcash mes SHBA-ve dhe Rusisë? Si kundërpërgjigje të këtyre sulmeve, Moska ka bërë të ditur se ka ndërprerë marrëveshjen me Uashington për fluturimet, si dhe ka dërguar në mënyrë të menjëhershme anije luftarake në portin Tartus të Detit të Zi. Ndërsa ka njoftuar se do dërgojë avionë për të mbrojtur vijën ajrore të Sirisë, sistemin antiraketë pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA.