Vlorë, kapen mbi 15 ton hashash

Aktualitet Lajme

Rreth 15 ton lëndë narkotike u gjet në dy banesa në fshatin Llakatund të Vlorës dhe policia shoqëroi në komisariat disa persona të lidhur me të, mes tyre dy punonjës policie dhe një kryeplak fshati.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 5 armë zjarri kallashnikov. Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së enjtes nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me FNSH-në dhe drejtohej nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Drejtori i Policisë së Vlorës, Gentian Shehaj.

Në fund të tij, Çako i përgëzoi efektivët e policisë dhe u kujtoi që ky është një operacion i madh që nuk përfundon këtu.

“Jemi në vlerësim të mbarë situatës në nivel kombëtar për kultivimin e bimëve narkotike dhe goditjen e të gjithë organizatave kriminale për trafikimin e saj. Janë të shumta operacionet policore gjatë ditëve të fundit, ku nuk kanë munguar edhe rezultatet në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, por edhe në një sërë qarqesh të tjera, ashtu sikurse jeni në dijeni për operacionin në mbarë vendin për parandalimin e bimëve narkotike, ku deri tani mbizotëron një situatë optimiste”, tha Çako.

Operacioni vijon në mbarë vendin, ku edhe në Kavajë janë kapur 700 kg lëndë narkotike.