Zbulohet raporti i ministrave teknikë: Ja 8 qarqet ku u vodhën votat e qytetarëve

Aktualitet Lajme

Ministrat teknikë duket se kanë dështuar në misionin e tyre të vetëm në qeveri, të mos-lejonin parregullsi në procesin zgjedhor. Ky fakt pranohet në përmbledhjen e raportit të Task-Forcës për monitorimin e procesit të zgjedhjeve. Në dokument renditen disa prej arsyeve qe çuan në dështimin e misionit të ministrave teknike të Partisë Demokratike për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Task-Forcës nuk ju vunë në dispozicion mjetet e nevojshme financiare apo logjistike, për të kryer një proces real monitorimi. Të gjitha këto shkaqe, bënë të vështirë, deri në pamundësi, përmbushjen e misionit të ngarkuar. Ministrat teknikë janë përballur me mungesë të vullnetit politik të demonstruar nga pengesa artificiale në ushtrimin e detyrës së tyre në funksion të monitorimit, të krijuar nga nëpunës civil apo funksionarë politikë, të cilët kishin si qëllim të pengonin punën e ministrave.”

Ndërsa sa i takon ecurisë së procesit teknikët të kryesuar nga zv/kryeministrja rendisin plot 17 pika që sipas tyre dëshmon se janë blerë vota, policia është përfshire në zgjedhje në mbështetje të maxhorancës dhe se administrata është përfshire masivisht në këtë proces.

“Janë angazhuar në mënyrë masive burime të dyshimta financiare në shit-blerjen e votës nga subjekte politike të mazhorancës ose persona të lidhur me këto subjekte, ndërkohë që Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave nuk ka raportuar raste të tilla.

Janë angazhuar grupime të njohura kriminale në mbështetje të subjekteve politike të mazhorancës në fushatën elektorale veçanërisht në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Berat, Fier dhe Gjirokastër.

Punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbështetur subjekte elektorale të mazhorancës në bashkëpunim me elementë kriminalë. Pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme të Ministrit të Punëve të Brendshme, Drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka refuzuar marrjen e masave ndaj punonjësve të implikuar Është konstatuar dhënia e privilegjeve të ndryshme gjatë fushatës elektorale, si pajisja me certifikatë pronësie, legalizimit, premtimi i vendeve të punës, premtimi i vlerësimit kalues ose më të lartë gjatë procesit të maturës shtetërore, etj.

Gjatë fushatës zgjedhore sipas të dhënave zyrtare nga ana e organeve tatimore janë kryer rreth 3600 lëvizje të burimeve njerëzore në administratë publike në kundërshtim me nenin 88 të Kodit Zgjedhor. Në të gjitha rastet e verifikuara nga Task Forca ka rezultuar që vetëdeklarimet nga institucionet e monitoruara kanë qenë të rreme. Kjo çështje është adresuar në Prokurori nga ZV/Kryeministri, ndërkohë që është penguar nga protokolli i Kryeministrisë për veprime të mëtejshme.”

Raporti do të behet publik në ditët në vijim, ndërsa me interes pritet edhe qëndrimi publik i kryedemokratit Lulim Basha. /TvKlan/