ZGJEDHJA E KRYEPROKURORIT, GAZETARJA SUGJERON DEPUTETËT: DIGJINI MANDATET!

Opinion

Gazetarja Sonila Meço reagon pas zgjedhjes së Arta Markut në krye të prokurorisë së përgjithshme, në një situatë aspak të zakontë si pasojë e përleshjeve por edhe mënyrës së votimit në Kuvend.

Nëpërmjet një statusi, Meço thotë se një prokuror i përgjithshëm, i përkohshëm që zgjidhet vetëm nga një maxhorancë e zhytur në hije nuk bind askënd duke sugjeruar pikërisht djegien e mandateve të deputetëve të opozitës.

“Për të fituar besim është djegia e çdo mandati që mban në këmbë një kuvend që bart fajet e kusuret e të gjithëve, maxhorancë e opozitë bashkë”, shkruan gazetarja

Reagim i plotë i SONILA MEÇOS:

Një prokuror i përgjithshëm i përkohshëm, që zgjidhet vetëm nga maxhoranca e zhytur nën hije e dritë skandalesh nuk bind askënd.

Një prokuror që zgjidhet vetëm me votat e opozitës, me kusuret e së shkuarës e frikën e së ardhmes nuk bind askënd.

Një prokuror që zgjidhet me konsensus nga kuvendi i dalë prej kohërave të kanabisit e nga një klasë politike nën hetim e dyshim nuk bind askënd.

Sepse deputetët, ata që sot kundërshtojnë një zgjedhje antikushtetuese e dinin që në krye se miratimi i kësaj reforme, me këto kushte do kërkonte analizën e çdo hapi të së ardhmes për të mos u gjendur sot përballë faktit të kryer. Një Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme në shkelje të Kushtetutës, zgjedhur vetëm me votat e maxhorancës.

Sepse një reformë për të cilën u shpenzuan burime njerëzore e financiare nga Brukseli dhe Ëashington-i do mbrohej deri në fund prej tyre për t’i dhënë udhë një drejtësie të re. Edhe me riskun e hartimit, miratimit e kontrrollit nga e njëjta klasë politike e cila do duhej të përgjigjej me urgjencë para saj. Aq sa nën bekimin e misioneve të tyre u miratuan dispozita antikushtetuese.

Iu dha benefiti i dyshimit më shumë se një herë kësaj maxhorance të sotme, nga vetë opozita e sotme. U mbajt në pushtet deri në zgjedhje, iu dha marrëveshje për të shkuar në zgjedhje të organizuara prej saj. Ndaj nëse ka një mënyrë për të fituar besim është djegia e çdo mandati që mban në këmbë një kuvend që bart fajet e kusuret e të gjithëve, maxhorancë e opozitë bashkë.