Zv/kryeministri i Kinës, Zhang Gaoli mbërrin në Tiranë

Politika

Zëvendëskryeministri i Këshillit të Shtetit të Kinës Zhang Gaoli po zhvillon në Tiranë, një vizitë të nivelit më të lartë të përfaqësimit të qeverisë kineze. Qëllimi i vizitës është të forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve sidomos bazuar në iniciativën e qeverisë së Kinës “Një rrip, një rrugë”, përmes të cilës vendi aziatik po investon në mënyrë agresive në vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.

Bankers Petroleum është investimi më i rëndësishëm kinez në Shqipëri. Kompania kineze Geo-Jade bleu përmes filialeve të saj 100% të aksioneve vitin e kaluar duke fituar të drejtën për të shfrytëzuar fushën naftëmbajtëse më të madhe në Evropë, Patos-Marinzën.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, kompania ish-kanadeze, ka arritur të jetë investitori më i madh i huaj direkt dhe taksapaguesi më i madh. Bankers ka investuar mbi  1.7 miliardë $ në Shqipëri, ka dyfishuar rezervat e naftës dhe ka rritur prodhimin në mbi 20.000 fuçi/ditë.

Kompania përfaqëson më shumë se 5% të PBB-së së përgjithshme të Shqipërisë, është eksportuesi më i madh dhe një nga punëdhësit më të rëndësishëm në vend. Prodhimi i naftës realizuar nga Bankers në Patos-Marinzë është ai më i larti në historinë 86-vjeçare të kësaj fushe. Pronarët e rinj kanë një plan ambicioz për kompaninë dhe investimet në sektorin e naftës.

Bankers planifikon të rrisë investimet, të aplikojë teknologji moderne dhe të zhvillojë më tej një nga asetet më të mëdha të vendit, Patos-Marinzë fushë nafte. Qeveria kineze po mbështet plotësisht këtë blerje dhe investim. Bankers është një shembull i suksesshëm i blerjes jashtë shtetit të bërë nga investitorët kinezë nën iniciativën e Kinës “Një rrip, një rrugë” (OBOR), një nga nismat më ambicioze të Pekinit të zhvillimit të ekonomisë së jashtme. Ai synon të depërtojë në tregun e ashpër, por të rëndësishëm evropian, partneri më i madh tregtar i Kinës.

Iljaz Spahiu, sinolog dhe ekspert për çështjet me Kinën tha në intervistën e mbrëmjes në Ora News se kjo është vizita më e rëndësishme që bëhet në Shqipëri që nga viti 1966.

/Oranews.tv/