1 Maji, si kujtesë për protestë

1052

kosturi 55

Astrit Kosturi / 1 Maji, Ditë e Madhe kujtese, për të drejtat e nëpërkëmbura të shqiptarëve! Si pasojë e këtij sharlatanizmi politik, ne nuk jemi në krizë, por në superkrizë, pasi vendi ynë ka dalë në ankand dhe ekonomia jonë kombëtare është kthyer në një lopë që milet nga grupet e interesit partiak. Pra, prej kohësh, na është vënë sipër kokës një këmbanë alarmi që bie dhe vetëm bie, për të na nxjerrë nga gjumi e përgjumja, nga udhëkryqi e bataku ku na ka çuar, pikërisht kjo politikë…

Në të tilla situata të zymta dhe të pa shpresë, të mbushura me drama e tragjedi, e merr në dorë sovrani, në të tilla udhëkryqe historike, lindin kurajot e mëdha.

Këmbana e alarmit nuk bie vetëm për ata që nuk kanë vesh për ta dëgjuar ose që janë të dehur nga retorika boshe e kabinetit qeveriatar dhe e dishepujve të tyre, por bie për shoqërinë shqiptare tashmë në depresion, sidomos për rininë që i ka dyert e të ardhmes plotësisht të mbyllura, si dhe për shtresat në nevojë dhe ektremisht të pambrojtura.

Politika aktuale, që i kaloi dy dekadat e jetës së saj në jerm, nuk bën gjë tjetër veçse mbulon gabimet e qeverive, dhe, si pasojë e saj, ky vend po paguan një haraç të tmerrshëm, duke qenë peng i finokëve, ileqarëve dhe politikanëve të aferave, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse çojnë ujë në mullirin e interesave të ngushta të klaneve, që e përbëjnë, dhe që e mbajnë atë në këmbë.

kosturi-2

Sovrani i shumëlakuar nga kjo soj politike është kthyer në një simbol butaforik dhe i keqpërdorur, mbi të cilin rëndojnë gjithë faturat e kësaj politike të papërgjegjshme, të kapur peng nga mafia.

Të gjitha ligjet që miratohen, të gjitha projektet që sendërtohen në këtë vend, në një Kuvend militantësh fanatikë dhe që më shumë se me ligje merren me biznese personale, nuk bëjnë gjë tjetër veçse çelnikosin pushtetin ekonomik të një rrethi të ngushtë njerëzish që punojnë vetëm për vete dhe grupin e atyre që i rrethojnë, për të pjesëtuar favoret dhe privilegjet e pushtetit dhe për të shumëfishuar barrën e detyrimeve dhe vuajtjeve për njerëzit dhe shtresat në nevojë të kësaj shoqërie.

1 Maji, që kurrësesi nuk është një ditë feste, siç përpiqet ta paraqesë politika bipartiake, por të paktën një Ditë e Madhe kujtese, për të Drejtat e nëpërkëmbura të punëtorëve e të papunëve të këtij vendi, të emigrantëve shqiptarë kudo nëpër botë, të cilët keqtrajtohen çdo ditë nga mënyrat mafioze.

Sidoqoftë dhe pavarësisht kushteve, kanë lindur pëshpërimat e para, prej një ndërgjegjeje të sëmurë, të një shoqërie në depresion, se 1 Maji nuk është festë dhe nuk ka se si të jetë e tillë, përveçse për ata që i kemi qeveritarë e pushtetarë, dhe, që u takon të jenë në jerm, pas grabitjesh në këtë vend.

kosturi 3

Dikush duhet të thërras dëshpërueshëm, të jap alarmin dhe të marrë përsipër zgjimin, dikush duhet të humbas diçka nga vetja, madje edhe të sakrifikojë, për hir të një shoqërie që kërkon shpëtim. Dhe thirrja jonë u drejtohet pikësëpari, të gjithë punëtorëve dhe të gjithë atyre që nuk bëjnë pjesë në rrethin e ngushtë të dy Oborreve Partiake, që të jemi të gjithë bashkë dhe të protestojmë në vazhdimësi!

Kjo thirrje është për të gjitha partitë, lëvizjet politike e shoqërore, sindiktat që nuk janë të lidhura me mafien sindikale, intelektualët dhe njerëzit e ndershëm të këtij vendi, që nuk i lidh asgjë me rrethin e ngushtë të Dy Oborreve, që të bashkohemi e të bëhemi Një për interesat e këtij vendi, që ky vend të mos jetë një varrmihës i ëndrrave tona, siç ka ndodhur në këto vite stanjacioni e dështimi të dhimbshëm.

Apeli ynë frymëzohet prej një programi ndryshe dhe thellësisht social e human, sepse jemi të bindur, që politika bipartiake e Tiranës ka devijuar shumë nga të qenit lidere progresive e shoqërisë, duke u kthyer në pengesë për mirëqenien e sigurinë shoqërore.

Pra, zëri ynë lind nga revolta dhe revoltimi popullor, vjen si mosnënshtrim e refuzim i këtyre politikave të ndjekura për 24 vjet radhazi, si kundërshtim e protestë, ndaj kësaj situate të zymtë dhe me shpresa gati të fikura. Vjen për  shqiptarët, të mos mbeten konsumatorë e shërbëtorë të botës, por t’i futen prodhimit e menaxhimit të fateve të tyre, që vendi të mos mbetet i braktisur dhe i kthyer në minhane bixhozi, llotosh e kazinosh, si të ishim më të pasurit e botës dhe, të kishim ardhur në këtë kohë të absurdit, vetëm për gjumë, lojra e pushime. Që shqiptarët, të mos vriten si zogj e të mos trajtohen si skllevër kudo nëpër botë, nga politika servile që heshtë kaq në mënyrë acaruese, si të mos kishte për shqiptarët e varfër e në mjerim, as ministri të jashtme, dhe as ambasada shqiptare, por njerëz që majmen me gjakun dhe vuajtjet ekstreme të shqiptarëve.

kosturi-protest

Gjendemi përballë një situate të tillë, ku shoqëria shqiptare është nën trysninë e dy vektorëve të kundërt, që e mbajnë atë nën një tutelë drastike. Nga njëra anë, është krijuar një dy-polarizim ekstrem, ku gëlojnë klanet nepotike dhe rrjetet e organizuara të oligarkisë politiko-financiare të oborreve të dy partive kryesore dhe nga ana tjetër, gjendemi përballë një depolitizimi të diktuar, me anë të përjashtimit ekstrem nga politika dhe të largimit të njerëzve prej saj si pasojë e një zhgënjimi sistematik dhe e humbjes së besimit tek politika, duke u bërë si gjëja më e shpifur dhe e pështirë, për shkak të largimit të saj nga parimet dhe normat etike, nga rregullat e saj si shkencë, si teori e praktikë e ndërtimit të qeverisjes së një vendi dhe e organizimit të shtetit.

Pra, kush nuk e sheh, që shoqëria shqiptare ka ngecur në një batak të pakuptimtë, drejt partitizimit përçarës, me të ashtuquajturin sovran në qindra e qindra copash dhe një depolitizimi çorroditës, që ka prishur kohezionin social deri në sherre e ndarje pafund, që u  shërbejnë sundimtarëve dhe vetëm regjimit të tyre?!…

Dy partitë kryesore politike në Shqipëri luajnë lojën e kungulleshave, zihen e ulërijnë sa për sy e faqe, ndërkohë që kujdesen me një zell për t’u admiruar, që asnjë pëllëmbë tokë të mos rrëshqasë nga kulla e ndikimit të tyre mbi këtë shoqëri të traumatizuar, asnjë forcë apo lëvizje e re politike, që nuk çon ujë në mullirin e tyre të ndenjur, të mos bëjë prokopi, të mos promovohet në këtë vend.

Ligji elektoral mbetet akoma një përpjekje diabolike për të përjetësuar dy ngjyrat e shpëlara të kësaj politike: rozë dhe blu, për të ligjëruar militantizmin si pararojë të zhvillimit dhe progresit kombëtar.

Edhe ky 1 maj mbeti i pëgjumur dhe  i munguar, për të gjithë ata njerëz në vuajtje e mjerim, që presin të zhgënjyer, por dhe me shqetësim e indinjatë, ndaj gjithë kësaj katrahurë të organizuar qëllimshëm… ndaj kësaj rruge pa krye, të sajuar me ngut dhe me alarm nga Dy Oborret Partiake të Tiranës, ndaj kësaj llumhaneje me emrin tranzicion, që po bluan fatet dhe ëndërrat e shumicës dërmuese të shqiptarëve, në mënyrën më primitive, më feudale e mesjetare.

Në të tilla situata dhe kushte, është radha e sovranit për të thënë fjalën e vet, në sheshet e Shqipërisë, në sheshet ku populli përherë ka nënshkruar kthesat historike, për të rinisur Misionin e vet për Drejtësi Shoqërore.

*Kryetar i Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve




Këtë e pëlqejnë %d blogues: