Kokëdhima-Basha, takimi i parë mes PD-së dhe PS-së ndodhi

Opinion

Nga Genc Burimi

Takimin me Lulzim Bashën, Edi Rama e ëndërroi, por Koço Kokëdhima e realizoi. “Shpresoj që të kem një orë dhe vend për takim, kudo qoftë dhe në çfarëdo formati që të jetë”, dukej sikur i lutej Kryeministri javën e kaluar shefit të opozitës. Pa sukses. Gjatë week-endit ndodhi megjithatë papritur takimi midis PD-së dhe PS-së. Lulzim Basha u takua me Koço Kokëdhimën, anëtar i PS-së, si dhe kryetar i të vetmit fraksion të zyrtarizuar në PS, Zgjidhja. Opozita i dërgoi kështu mesazh të qartë Ramës se nuk është kundër takimit, por me kusht që në të diskutohet seriozisht dhe jo për fasadë. Ndërsa Zgjidhja tejçoi mesazhin se Rama mund të ketë idenë e tij fikse për datën e zgjedhjeve por në këto momente historike për vendin ai nuk mund të angazhojë të gjithë militantët e PS-së. Takimi Basha – Kokëdhima, qe i veçantë në të gjithë pikëpamjet.

“Nëse ti nuk shkon te Lagarderi…”

Herën e fundit kur Lulzim Basha ka gjetur gjuhë të përbashkët me PS-në, ka qenë si për ironi të fatit, për t’i hequr mandatin si deputet Koço Kokëdhimës. Kjo ndodhi fill para një viti. Asajkohe Gramoz Ruçi që komandonte deputetët e PS-në Kuvend, nuk e gjeti të arsyeshme të njoftonte kolegun e tij Kokëdhima se kishte rënë në ujdi të heshtur me Lulzim Bashën që kërkesa e PD-së për heqjen e mandatit të deputetit të Jugut të futej në rend dite në Kuvend e të miratohej. Me siguri që kësaj here elefantët e PS-së nuk kanë pritur që Kokëdhima t’u merrte po ashtu leje për t’u takuar me shefin e opozitës dhe as t’u jepte axhendën. Kokëdhima nuk u ka më asnjë borxh tjetër atyre (por u ka patur vërtetë) përveç se t’u thotë burrërisht se jam kundra linjës suaj ekstremiste, që po e rikthen vendin në një situatë politike kaotike si në epokën e piramidave. Sa për Bashën, i cili së bashku me mentorin e tij, Sali Berisha, e kishin konsideruar Kokëdhimën për vite të tëra si mishërim i të keqes, ky fundit duket sikur i tha më vajtjen në takim atë fjalinë e famshme tek “Kurrizo” , “e nëse ti nuk shkon te Lagarderi, është Lagarderi që do vijë tek ty”.

Numërimi mbrapsht ka filluar

Duke filluar nga kjo e hënë 10 prill, asnjë subjekt politik që nuk është regjistruar para kësaj date pranë KQZ-së për të hyrë në zgjedhje, nuk mund të rregjistrohet më! Jo vetëm PD-ja, por janë një mori partish të tjera (rreth 20) që kanë refuzuar të rregjistrohen për arsye të mos kryerjes së reformës zgjedhore. Në këtë këndvështrim duhet kuptuar takimi i Koço Kokëdhimes me Lulzim Bashën. Si kryetar i lëvizjes “Zgjidhja”, Kokëdhima tregon me gisht nëpërmjet takimit, mungesën e pashembullt të koherencës te lideri i PS-së Edi Rama. A s’ishte ky i fundit që argumentonte se ligji është ligj dhe zgjedhjet nuk mund të shtyhen prandaj opozita ta mbledhë mendjen dhe të marrë pjesë në to? Le të supozohet se opozita ndërron mendje dhe pranon të hyje në zgjdhje në datën e fiksuar nga ligji më 18 qershor. Por sërish ligji duhet ndryshuar sepse legalisht PD-ja, tani që kanë skaduar afatet, nuk mund të hyjë më në zgjedhje edhe po të dojë. Rama do të ishte i detyruar në këtë rast të thërriste deputetët që të votonin një ndryshim të Kodit Zgjedhor për t’i lejuar partive që s’janë regjistruar të rregjistrohen. Por kur qenka e mundur të ndërrohet ligji për të shtyrë datën e rregjistrimit të subjekteve pranë KQZ-së, përse nuk mundet të shtyhet po nga këta deputetë data e zgjedhjeve që t’i lihet kohë përgatitjes së reformës zgjedhore?

Rama është në këtë pikë në një kontradiktë flagrante. Prandaj Kokëdhima i sigurt se lideri i PS-së nuk do t’i shmanget dot shtyrjes së datës së zgjedhjeve, i “zuri vendin” atij në takimin me shefin e opozitës për të filluar pa humbur kohë nga diskutimet mbi thelbin e çështjes. Mbi përmbajtjen e reformës zgjedhore pasi palabrat e Ramës që data e zgjedhjeve nuk shtyhet nuk bindin veçse atë. Për më tepër, Kokëdhima merr kështu “takim” në avancë me delagatët e Kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së më 29 prill. Ai do të paraqitet atje si lideri i fraksionit brenda PS-së që pati të drejtë para Ramës, si ai që tha se reforma zgjedhore do të bëhet duke shtyrë datën e zgjedhjeve. Nëse Rama zbrapset duke u detyruar nga presioni ndërkombëtar të shtyje datën e zgjedhjve, është normale që Kokëdhima do të kërkojë për lëvizjen Zgjidhja lidershipin e PS-së. Ndaj mund të thuhet me plot gojë se takimi i parë i punës midis PD-së dhe PS-së për t’i dhënë konturet reformës zgjedhore ndodhi në fund javë. Kokëdhima i nisi këto bisedime si lider fraksioni në PS. Ai do t’i përfundojë ato si kryetar i PS-së, i votëbesuar nga Kongresi për të nxjerrë vendin nga kriza e paparë institucionale dhe për t’i ofruar së majtës një fitore të re pa prapamendime vrastare midis aleatëve…