5 ditë larg zgjedhjeve në Greqi, inflacioni dhe kostoja e lartë, problemet kryesore

Greqi Kryesore

Zgjedhjet parlamentare greke janë vetëm 5 ditë larg dhe analistët politikë janë të habitur nga paradoksi i sondazheve.

47 parti janë në garë për gjrdhjet parlamentare për 21 Majin 2023, midis tyre marrin pjesë dhe 6 kandidatë shqiptarë për deputetë.

Shumica e njerëzve, kur pyeten se cilat janë çështjet që i shqetësojnë më shumë, përgjigjen duke cituar inflacionin dhe koston e jetesës.

Sërish, këto shqetësime duket se nuk janë mjaftueshëm të forta për të rrëzuar rendin e partive në anketa.

Partia në pushtet, Demokracia e Re, udhëheq në sondazhe me një diferencë të theksuar. Syriza, partia kryesore e opozitës, vjen e dyta; ndërsa Pasok, që konsiderohej fuqia politike e Greqisë përpara krizës së borxhit, vjen e treta.

Për këtë paradoks ka shpjegime të ndryshme.

Njëri vjen nga fakti se inflacioni dhe kostoja e lartë e jetesës konsiderohen të importuara, që do të thotë se nuk janë faj i qeverisë greke por pasojë e krizës energjetike, luftës në Ukrainë dhe vendimit të Bankës Qendrore Evropiane për të rritur normat e interesit.

Së dyti, qeveria ka përdorur pjesë të të ardhurave që vijnë nga rritja e fortë e subvencioneve për familjarët grekë. Për shembull, Greqia pagoi subvencionet më të mëdha të energjisë për person në Evropë, pas Gjermanisë.

Qeveria greke humbi shumë pikë nga aksidenti hekurudhor i ndodhur në muajin mars në Tempi, ku humbën jetën 57 persona.

Sërish, qytetarët grekë fajësojnë për tragjedinë jo vetëm qeverinë aktuale, por të gjithë sistemin politik që konsiderohet i korruptuar dhe jofunksional.